Përplasja politike dhe e sigurisë në Izrael është përshkallëzuar ndjeshëm ndërsa afrohet përvjetori i tretë i sulmeve të 7 tetorit 2023.
Ish-drejtori i agjencisë së sigurisë Shin Bet, Ronen Bar, i cili dha dorëheqjen në mars të vitit 2025, ka njoftuar publikisht se do të ngrejë një padi për shpifje kundër Kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Hapi i Bar-it vjen si përgjigje ndaj deklaratave të kryeministrit, sipas të cilit kreu i atëhershëm i shërbimit sekret ishte në dijeni të sinjaleve direkte natën mes 6 dhe 7 tetorit, por nuk e kishte informuar krerët e qeverisë.
“Unë e paralajmërova Netanyahun për një katastrofë të afërt me përmasa të papara dhe kryeministri i injoroi këtë paralajmërime. Zyra ime nuk e mbajti të fshehtë informacionin.”, deklaroi Ronen Bar, ish-drejtor i Shin Bet.
Ish-kreu i shërbimit sekret ka kërkuar publikimin e plotë të dokumenteve zyrtare dhe dëshmive që tregojnë të gjithë informacionin që i është përcjellë kryeministrit përpara se të ndodhte masakra e milicisë së Hamasit, ku humbën jetën rreth 1,200 izraelitë.
Paralajmërimet ndërkombëtare që u minimizuan
Sipas raportimeve të botuara nga gazeta izraelite Haaretz, alarme të drejtpërdrejta i kishin ardhur kryeministrit Netanyahu edhe nga udhëheqës të rajonit javë përpara sulmit masiv.
Dëshmitë dhe intervistat e mbledhura tregojnë se udhëheqësi i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, si dhe shefi i inteligjencës egjiptiane, gjenerali Abbas Kamel, e patën njoftuar personalisht Netanyahun për planifikimin e një operacioni të madh ushtarak nga Hamasi.
Mesazhet konfidenciale mbi planet e Yahya Sinwar iu përcollën fillimisht Shin Bet-it dhe më pas drejtpërdrejt kryeministrit përmes një telefonate 45-minutëshe. Kryeministri izraelit e minimizoi rrezikun në Rripin e Gazës, duke vlerësuar se vëmendja dhe forcat ushtarake duhet të përqendroheshin vetëm në Bregun Perëndimor.
Zyra e Kryeministrit i ka hedhur poshtë këto rindërtime të ngjarjeve, duke i cilësuar si “gënjeshtra të gatitura nga opozita”.
Reagimi i bllokut opozitar dhe kërkesa për hetim
Zbulimet e fundit kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të udhëheqësve kryesorë të opozitës izraelite. Përfaqësuesit e bllokut opozitar — përfshirë Gadi Eisenkot, Naftali Bennett, Avigdor Liberman dhe Yair Golan — kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke kërkuar çeljen e menjëhershme të një hetimi gjithëpërfshirës.
“Publiku izraelit ka të drejtë të dijë se çfarë dinte Netanyahu, kur e dinte, pse nuk i informoi shërbimet e sigurisë dhe pse nuk veproi për të mbrojtur qytetarët izraelitë. Netanyahu dhe partnerët e tij në qeveri janë të papërshtatshëm për të qëndruar në detyrë.”, thuhet në deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të opozitës.
Me afrimin e zgjedhjeve të caktuara për më 27 tetor, debati mbi përgjegjësinë e dështimit të sigurisë më 7 tetor mbetet tema qendrore e përplasjes politike në vend.










