Zbardhet dinamika e aksidentit të rëndë që ndodhi të martën në zonën e Treshi, Tiranë, ku humbi jetën një i mitur 7-vjeçar. Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Flutura Tota, ngjarja ka ndodhur sapo semafori për makinat është ndezur jeshil.
Fillimisht, 7-vjeçari ka marrë disa monedha që i ka dhënë drejtuesi i automjetit, T. Sh., të cilat i kanë rënë në tokë. Fëmija ka dalë para makinës për t’i marrë, dhe në atë moment është ndezur jeshilja e semaforit, duke u përplasur.
Goditja fatale ka ardhur nga makina e dytë, ku fëmija ka përfunduar poshtë rrotave. Sipas raportimeve, 55-vjeçari T.Sh. ka ndaluar makinën menjëherë pas dëgjimit të britmave të kalimtarëve dhe ka dërguar fëmijën në Spitalin e Traumës, ndërsa 42-vjeçarja, shofere në makinën e dytë që ka qenë e përfshirë në aksident, ka vijuar rrugën dhe është larguar.
55-vjeçari që e ka dërguar fëmijën në spital, ka deklaruar se nuk ka qenë ai që e ka përplasur fillimisht, por e ka kuptuar pas britmave të njerëzve në rrugë dhe ka reaguar duke e çuar në spital.
Zbardhja e ngjarjes është mundësuar nga kamerat e vendosura në zonë dhe dëshmitë e qytetarëve. Pak orë më vonë është gjetur një kamerë me pamje të qarta që tregon dinamikën e aksidentit. Autoritetet dyshojnë se 7-vjeçari në momentin e përplasjes ka qenë duke lypur në rrugë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:20 të datës 24 shkurt 2026. Hetimet e kryera nga grupi i posaçëm zbuluan se i mituri u përplas fillimisht nga automjeti që drejtonte shtetasi T. Sh., 55 vjeç, dhe më pas nga automjeti i drejtuar nga shtetasja V. K., 42 vjeçe.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe komunitetin, ndërsa policia vijon hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.











