PD vazhdon që të denoncojë situatën që sipas saj është mjaft e rënduar në Jug të vendit për shkak të motit të keq në ditët e fundit.
Arben Ristani i kujton kryeministrit që premtoi se do të investonte 160 milionë dollarë në kullim e ujitje për 4 vite, që nuk do të lejonte përmbytjen e asnjë pëllëmbe tokë.
Deklarata
Përmbytjet në Fier e në Vlorë, por dhe në zona të tjera të Jugut, janë dramatike jo vetëm për dëmet që kanë sjellë në qindra familje e biznese, por sidomos për faktin se, shkaku kryesor është neglizhenca e qeverisë.
Unë takova dje banorë të Fierit e të Vlorës. Edhe pse të mbuluar nga uji dhe balta, ata nuk kanë parë dhe as takuar qoftë edhe një punonjës, një përfaqësues të bashkive apo të qeverisë.
Ndërkohë, ministri i bujqësisë, deklaroi se hidrovoret kanë qënë jashtë shërbimit në ditët e reshjeve. Pse? Se nuk kanë pasur energji. Ja ku del njëra dorë e qeverisë.
Kjo është një dorë kriminale në fakt, që duhet hetuar me urgjencë dhe përgjegjësit duhet të shkojnë para ligjit për këtë maskaradë që kanë kryer me jetën e me pronat e qytetarëve.
Dora tjetër e qeverisë është kujdesur të heqë fondet e parashikuara për kullime dhe investime në kanalizime.
Janë ulur me 25.6 përqind këto fonde, ose janë hequr 5 milionë dollarë, që po të ishin investuar, qindra familje do të kishin shpëtuar nga uji dhe balta.
Qytetarët jane të përmbytur nga uji dhe balta, nga ana tjetër, kemi kryeministrin që nuk shpreh as keqardhje, por merret me ceremoni sportive e kërkon të fitojë me çdo kusht merita aty ku nuk i takojnë.
Po ky kryeministër që premtoi se do të investonte 160 milionë dollarë në kullim e ujitje për 4 vite, që nuk do të lejonte përmbytjen e asnjë pëllëmbe tokë, që gënjen paturpësisht dhe thotë se aq sa ka investuar ai, nuk janë investuar në 20 vitet e fundit. E në fakt, populli vuan nga përmbytjet sa nuk ka vuajtur në 20 vitet e fundit të marra së bashku sepse kjo qeveri nuk ka bërë asgjë, ose ajo çfarë ka bërë është lënia pa energji elektrike e hidrovoreve.
Asnjë dollar i investuar, asnjë metër kullim.
Qytetarët janë në dorë të perendisë, sepse qeveria dhe Edi Rama nuk e ka mendjen te hallet e tyre, madje duket sikur as me sy nuk e sheh se cfarë ndodh.
Partia Demokratike do të kërkojë llogari deri në fund.
Ne i nxisim qytetarët të kërkojnë të drejtën e tyre e të evidentojnë dëmet që kanë pësuar.
Qeveria u detyrohet dëmshpërblim të plotë dhe të shpejtë, e ne do të jemi në krah të tyre derisa kjo të ndodhë.