Kryeministri Rama ka reaguar sërish për situatën e përmbytjeve në vend. Kreu i qeverisë deklaron se jemi në situatë të jashtëzakonshme dhe i gjithë shteti është në këmbë për përballimin e situatës.
“Siç e paralajmëruam jemi në situatë të jashtëzakonshme nga reshjet e dendura dhe papushim të dy ditëve të fundit. Kjo situatë po përballohet me angazhimin maksimal të të gjithë strukturave shtetërore, të cilat ishin në gatishmëri të plotë dhe prej mbrëmjes së djeshme janë në krye të detyrës duke ndihmuar qytetarët e familjet e prekura. I gjithë shteti është në këmbë dhe do të jetë pranë jush, ditë e natë për të përballuar situatën e për të garantuar sigurinë e jetës deri në normalizimin e plotë të situatës“, shkruan kryeministri.
Shefi i qeverisë deklaroi se janë shpëtuar 315 persona nga përmbytjet, ndërsa paralajmëron se situata pritet të rëndohet.
“Gjatë natës janë shpëtuar nga përmbytjet dhe akomoduar në kushte të sigurta 315 persona. Gjatë ditës së sotme pritet rëndim i gjendjes, veçanërisht në pjesën jugore të vendit. Janë marre masa për menaxhimin e situatës në basenet e lumenjve Vjosë, Shkumbin dhe Seman ku priten edhe prurje të shtuara“
Rama u bën thirrje qytetarëve të bashkëpuniojnë me Forcat e Armatosura, strukturat e emergjencave civile, bashkitë e prefekturat, në përpjekjet e tyre për sigurinë e jetës suaj në radhë të parë.
javanews.al/a.ç