Reshjet pandalim të këtyre ditëve që kanë përfshirë vendin tonë kanë rikthyer përmbytjet në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Kështu në Fier janë plot 600 shtëpi dhe 150 lokale e objekte tregtimi që janë përmbytur nga dalja prej shtratit e lumenjve Seman e Vjosa. Dëme të pallogaritshme ka sjellë brenda qytetit edhe lumi Gjanica.
Situata e rëndë bëri që gjatë orëve të para të mëngjesit të evakuohen mbi 300 banorë të vendosur nëpër banesa në zonat e prekura nga lumi. Më shumë e rënduar gjendja është paraqitur në lagjen “1 Maji” dhe “Kryengritja e Fierit”, në lagjen “Liri” dhe në lagjen “Sheq i Madh”.
Përveç banesave të vendosura rreth shtratit të tij, lumi Gjanica vërshoi edhe në territorin e lagjeve të tjera përreth, ku uji ka mbuluar katet e para të disa subjekteve tregtare, duke përmbytur gjithë mallrat që ishin në to. Shtabi i emergjencave civile tregon se 60 mjete të emergjencave civile janë vënë në dispozicion për evakuimin e banorëve, ndërsa shprehen se do të jenë në gatishmëri të plotë.