Përmbytjet, 40 mln euro për zonën e Fierit dhe Lushnjës
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi vizitoi sot në zonat e përmbytura në Levan të Fierit. Peleshi u shpreh se ka përfunduar projekti për kanalin Vjosë-Levan-Fier, që parashikohet të zbatohet vitin e ardhshëm.
Në takimin me banorët e zonës së përmbytur, ai bëri të qartë se grupet e punës do të konstatojnë të gjitha dëmet e shkaktuara, për të cilat do të mbahet edhe përgjegjësia përkatëse, aty ku ajo do të evidentohet.
Peleshi njoftoi se projekti i Bankës Botërore për kanalet ujitëse, kulluese dhe digat, parashikon 40 milionë euro.
“6 milionë euro kanë filluar të zbatohen në 16 spote në gjithë Shqipërinë, projekte parandaluese, argjinatura, mbrojtje nga erozioni i lumenjve. I kemi vënë vetes objektivin t’i përfundojmë ndërhyrjet në 16 spote, në mënyrë që të jemi gati për të pritur dimrin. Buxheti shtetit i ka dhënë prioritet të fortë Ministrisë së Bujqësisë dhe programit të kanaleve ujitëse dhe kulluese”, nënvizoi Peleshi.
Ndërkohë, hidrovoret e Hoxharës janë në gatishmëri gjatë gjithë kohës dhe punojnë me eficiencë të plotë dhe furnizim normal të energjisë elektrike. Problematike janë kanalet sekondare kulluese, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.