Grupi i zjarrit që ka qëlluar mbi policinë mëngjesin e 24 Qershorit në Lazarat përbëhej nga 11 persona të përfshirë direkt dhe një sërë bashkëpunëtorësh.
Është ky rezultati i hetimeve që ka nxjerrë Prokuroria e Krimeve të Rënda pas ekzaminimit të telefonit të Xhuliano Malos një prej të ndaluarve të parë për këtë ngarje, pas dëshmisë së tij e përgjiemve telefonike të realizuara.
Sipas A1 Report në numrin e telefonit të Xhuliano Malos është gjetur dhe numri i Arbjon Alikos.
Nga analizimi i thirrjeve hyrëse e dalëse në numrin e Arbjon Alikos ka rezultuar se personat që ai ka kontaktuar ndër 11 të pranishmit në grupin e zjarrit kanë qenë dhe tre të arrestuarit mëngjesin e kësaj të shtune Elvis Boci, Dervish Gaba dhe Klodjan Selimi, për të cilët prokuroria kërkon nga gjykata masën e sigurisë arrest me burg.
Ndërsa nga gjurmimi i qelizave të telefonave të shtetasve të ndaluar e atyre të shpallur në kërkim rezulton se ata kanë qenë në të njëjtin vënd në hyrje të fshatit Lazarat, pasi të 11 numrat e telefonit kanë marrë sinjal nga antena celulare e vendosur në qendër të fshatit nga ku kanë shkëmbyer telefonata dhe mesazhe.