Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes dhe vendim të presidentit të Republikës së Serbisë mbrëmë ka filluar kontrolli i aftësisë operative të një pjese të njësisë së ushtrisë serbe, raporton Anadolu Agency (AA).
Bëhet fjalë për vëzhgim të jashtëzakonshëm, të paparalajmëruar, për inspektim në terren mbi aftësitë operative të një pjese të forcave për reagim urgjent i cili do të realizohet deri më 9 mars në disa lokacione në Serbi, u konfirmua sonte nga Ministria serbe e Mbrojtjes.
Kontrolli i aftësive operative filloi me dhënien e alarmit nga Qendra operative e sistemit të mbrojtjes, në të cilën ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes Zoran Gjorgjeviç dhe kryeshefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, gjeneral Ljubisha Dikoviç.
Kontroll i forcave për reagim të shpejtë
“Gjatë kohëzgjatjes së mbikëqyrjes do të kontrollohet gatishmëria e njësive që në afatin sa më të shkurtër të përgjigjen ndaj detyrave të vendosura në kuadër të skenarëve të parashikuara të situatave të krizës. Në kuadër të aktiviteteve stërvitëse do të realizohen njësi të kombinuara marshi, qitje, zgjidhje të supozimeve të ndryshme luftarake me realizim të veprimeve speciale”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Qëllimi i kontrollit të aftësisë operative, siç theksohet, është realizimi i nivelit sa më të lartë të aftësisë dhe gatishmërisë luftarake të njësive të Ushtrisë së Serbisë për reagim ndaj rreziqeve eventuale dhe kërcënimit mbi sigurinë e shtetit./a.m.