Programi i Rindërtimit e ka transformuar tërësisht Valiasin ku pas përfundimit të bllokut të parë të banimit me 112 apartamente të reja, kanë përfunduar dhe 158 apartamente të tjera të ndara në 12 pallate dhe janë gati për të pritur familjet.
Kryeministri Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Kamzës Rakip Suli dhe nga zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ishin në këtë lagje të re e cila po merr jetë dita ditës.
“Janë përfunduar 158 apartamente të tjera në 12 pallate, që janë gati pë të pritur familjet. Cilësia, standardi janë për tu marrë si shembull për cilësinë e ndërtimit. Edhe kopshti ka përfunduar dhe është funksional dhe në shtator përfundon dhe çerdhja dhe shkolla. Si zonë e ka të gjithë infrastrukturën e duhur për të gjithë shërbimet”, – u shpreh kreu i bashkisë Kamëz.
Edhe infrastruktura përreth këtij blloku të ri banimi dhe rrugët lidhëse kanë përfunduar ndërkohë që të gjitha pallatet janë të pajisura ma parkim nëntokësor. Në këtë bashki janë të shumta objektet arsimore të ngritura nga themelet të cilat kanë përfunduar, për të ofruar kështu më shumë cilësi në mësimdhënie për të gjithë fëmijët e kësaj zone.
“E gjitha kjo është konceptuar si një lagje më vete me shkolla e me kopshte. Kjo bashki është shembull. Janë 20 shkolla të ndërtuara me buxhetin e shtetit dhe 9 janë me donatorët”, – u shpreh zëvendëskryeministri Ahmetaj.
Gjithashtu në këtë lagje do të vijojë puna për ndërtimin e një parku të madh sportiv i cili do ti shërbejë gjithë komunitetit.
Gjatë vizitës ata u shoqëruan edhe nga kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, i cili krahas prezantimit të punës që është bërë, i tha Ramës që kishin mbjellë edhe domate e speca në tokën përreth bllokut të pallateve, “ashtu siç e kishte lënë porosi kryeministri”.
Te kopështi siç na e ke lënë porosi kemi filluar të mbjellim domate, speca. Kamzën e kam kthyer në një model për infrastrukturën arsimore dhe nuk do të ketë problem me shkollat për 50 vjet”, tha Suli, ndërkohë që Rama dukej se kishte veshur një bluze me logon e Partisë Socialiste dhe shoqërohej nga vetëm një badigarde.
Në këtë zonë janë ndërtuar gjithsej 270 apartamente për qytetarët që u preken nga tërmeti. “Pas përfundimit të bllokut të parë prej 112 apartamentesh të reja, kanë përfunduar dhe janë gati për të pritur banorët edhe 12 pallate me 158 apartamente të tjera. Mbyllet këtu përfundimisht puna për banesat e lagjes së re të Valiasit, ku janë 270 apartamente dhe ku do të ndërtohet edhe parku më i madh sportiv i një zone urbane të qarkut Tiranë”, shkruan Rama në Facebook.
g.kosovari