• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, July 15, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Përcillet për në banesën e fundit Dhimitri i Gjirokastrës, Imzot Joani: Ndërtoi ura mbi ndasitë dhe solli paqe

by A R
01/07/2025 21:24
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kreu i kishës ortodokse të Gjirokastrës, Imzot Dhimitri u përcoll me nderime në banesën e fundit. Ceremonia u drejtua nga Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, i shoqëruar nga klerikë të ardhur nga mitropoli të ndryshme të vendit dhe nga jashtë kufijve, përfshirë Greqinë dhe Malin e Zi.

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Imzot Joani, solli në vëmendje jetën dhe veprën e Hirësisë së Tij, që për 19 vite udhëhoqi Mitropolinë e Gjirokastrës.

Në fjalimin e tij, Fortlumturia tij Joani foli me përulësi për rrugëtimin shpirtëror të Mitropolitit Dhimitri, për sakrificat, përkushtimin dhe rolin e tij në rindërtimin e Kishës pas rënies së komunizmit, shkruan atsh.

Fjalimi i plotë i Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Imzot Joanit

Jemi mbledhur sot me hidhërim të thellë, për të përcjellë vëllain dhe bashkëmeshtarin tonë, Hirësinë e Tij, Mitropolitin e Gjirokastrës, Imz. Dhimitrin. Më 28 të muajit, në prag të festës së Apostujve të Shenjtë, Zoti e thirri pranë Vetes këtë shërbëtor të Tijin, i cili, sipas shembullit të Apostujve, ia kushtoi gjithë jetën shër-bimit të Ungjillit. Ndjenja të përziera na pushtojnë në atmosferën e festës së Apostujve të Shenjtë. Kemi pikëllim dhe vajtojmë, por shpresa e mesazhit të Ngjalljes, që predikuan Apostujt e Krishtit dhe vazhdon të predikohet pandërprerë nga Kisha, nuk na lejon të mbytemi në detin e hidhërimit. Sepse – siç na mëson Shën Pavli – edhe nëse rrojmë, për Zotin rrojmë; edhe nëse vdesim, për Zotin vdesim. Edhe nëse rrojmë pra edhe nëse vdesim, të Zotit jemi (Rom 14:8).

Vëllai ynë, Mitropoliti Dhimitër, lindi në Serez të Greqisë në shtator të vitit 1940. Qysh në moshë të re dëgjoi thirrjen e Zotit dhe iu bind asaj. Studioi në Fakultetin Teologjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ku mori një formim të mirë teologjik, që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Por zemra e tij nuk kërkonte vetëm arritje akademike, por kryesisht përsosmërinë shpirtërore dhe asketike.

Në vitin 1974, në moshën 34-vjeçare, hyri në Manastirin e Shenjtë të Shën Ekaterinës së Sinait, ku u qeth murg. Më 1988 u dorëzua Hierodhjakon dhe Hieromonak. Në këtë kështjellë historike dhe shumë të njohur të Orthodhoksisë, nën hijen e malit ku Perëndia i foli Moisiut, Hirësi Dhimitri përjetoi misterin e shkretëtirës dhe të heshtjes. Punoi me përkushtim në fushën e paleografisë dhe të sistematizimit të dorëshkrimeve të çmuara të manastirit. Përvoja në Sina e formoi thellësisht personalitetin e tij. Mësoi vlerën e heshtjes, të bindjes dhe të përulësisë. Kultivoi jetën e thellë të brendshme që më vonë do të bëhej burim force për punën e tij të vështirë baritore, sepse, siç thotë Shën Joan Gojarti: Janë më të shumta stuhitë që trazojnë shpirtin e priftit, sesa valët që godasin detin.

Në gusht të vitit 1991, kur Ekzarku Patriarkal, Episkopi i Andrusës, Imzot Anastasi mbërriti në Shqipëri për të marrë përsipër veprën titanike të rindërtimit të Kishës së shkatërruar, Hieromonaku Dhimitër, me zellin e tij të madh apostolik ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes së tij. La Manastirin e dashur të Sinait dhe erdhi të shërbente atje ku Kisha kishte nevojë. Ai e ndjeu këtë thellësisht, pasi nga Metoqi i Manastirit të Shenjtë të Sinait në Janinë, ku shërbente, informohej për të gjitha vështirësitë e popullit të Shqipërisë.

Shqipëria e vitit 1991 ishte një vend që sapo po dilte nga errësira e regjimit ateist. Kisha ishte plotësisht e shkatërruar. Në këtë peizazh shkretimi, Kryepiskopi Anastas dhe bashkëpunëtorët e tij u thirrën të bënin të pamundurën njerëzore, por të mundshmen për dash-rinë e Perëndisë: të ringjallnin nga gërmadhat Kishën tonë.

Vetë zgjedhja e tij nga Kryepiskopi Anastas përbën në vetvete provë të dhuntive dhe vlerës së të ndjerit. Kryepiskopi Anastas nuk i zgjidhte bashkëpunëtorët e tij rastësisht; kërkonte njerëz që ndërthurnin pjekurinë shpirtërore me mençurinë baritore, formimin teologjik me përulësinë, zellin me durimin. Pikërisht këto dhunti njohu te Atë Dhimitri, dhe për këtë më 11 nëntor 2006, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, anëtar i të cilit ishte tashmë edhe folësi, pas miratimit të Statutit nga Asambleja e Përgjithshme Kleriko-Laike, e zgjodhi atë Mitropolit të Gjirokastrës. Dorëzimi i tij u bë më 16 nëntor në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, dhe fronëzimi i tij më 26 nëntor në Kishën e Shenjtë të Krye-engjëjve në Gjirokastër.

Si Mitropolit, Dhimitri zhvilloi një veprimtari baritore të shumanshme për nëntëmbëdhjetë vjet. Shën Joan Gojarti shkruan: Prifti duhet të sillet ndaj grigjës së tij, pikërisht ashtu siç do të sillej një baba ndaj fëmijëve të tij të vegjël. Këtë dashuri atërore e mishëroi Mitropoliti Dhimitër. Njëkohësisht funksionoi si faktor stabilizues. Me dallimin e tij dhe dashurinë e tij arriti të bashkojë grigjën, të ndërtojë ura mbi ndasitë, të sjellë paqe atje ku kishte përçarje.

Kujdes të veçantë tregoi për të rinjtë: studentët e Liceut Kishtar “Kryqi i Çmuar”, si dhe të konviktit për vajzat në Bularat dhe shkollat e Mitropolisë, të cilat përbëjnë shembull institucionesh arsimore.

Ishte i sjellshëm me të gjithë, i paktë në fjalë, por thelbësor, i qëndrueshëm në parimet e tij, por plot mirëkuptim për dobësitë njerëzore. Kujtoj vëllanë Dhimitër, frymën e respektit dhe bashkëpunimit që patëm gjithmonë dhe që e vulosi me praninë e tij sakrifikuese në zgjedhjen e Kryepiskopit të ri të Shqipërisë para pak muajsh. Ndërsa shëndeti i tij ishte tronditur, nuk ngurroi të udhëtonte për në Tiranë për zgjedhjen dhe të qëndronte në këmbë për orë të tëra në Liturgji, duke treguar në këtë mënyrë respektin për Sinodin, dashurinë e madhe për Kishën dhe ndjenjën e përgjegjësisë për të ardhmen dhe unitetin e saj.

Nuk do t’i harroj fjalët e fundit, të Kryepiskopit Anastas, kur, si përfaqësi nga Sinodi i Shenjtë, e vizituam në spitalin “Hygeia” të Tiranës: Jini të bashkuar dhe ruani unitetin me çdo sakrificë, duke na i përsëritur disa herë këto fjalë. Më lejoni që këtë mesazh uniteti, që na theksoi Kryepiskopi Anastas atë ditë, t’ua përcjell edhe gjithë ju vëllezërve të Mitropolisë së Gjirokastrës. Jam i sigurt, se brenda këtij uniteti në Krishtin, hierarkët e lumtur të Sinodit tonë që janë larguar prej nesh dhe vazhdojnë të luten për ne, të ndërmjetësojnë te Krishti me guxim për grigjën e Kishës së tyre të dashur, së cilës ia kushtuan jetën. Këtij uniteti do të përpiqem ti shërbej edhe unë si Kryepiskop, me hirin e Perëndisë.

Vëllezër dhe motra,

Pikëllimi i ndarjes është i rëndë, por shpresa e Ngjalljes e kthen pikëllimin në gëzim. Sepse e dimë se vdekja nuk është fundi, por fillimi i jetës së vërtetë sipas premtimit të Zotit dhe Perëndisë tonë Jisu Krishtit.

Kisha e Shqipërisë do të të kujtojë gjithmonë me mirënjohje. Gjirokastra do të të mbajë në zemër si bariun e saj të dashur dhe ne do t’i qëndrojmë pranë me dashuri dhe përkujdesje grigjës suaj të bekuar, të cilën e drejtuat për 19 vjet.

I përjetshëm qoftë kujtimi yt, o vëllai ynë i lumtur dhe i paharruar! Amin.

Next Post
Mbyllja e USAID, mbi 14 milionë persona mund të vdesin nga mungesa e ndihmave

Mbyllja e USAID, mbi 14 milionë persona mund të vdesin nga mungesa e ndihmave

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Deputeti Vasil Llajo kërkon hapjen 24 orë të Doganës së Qafë Botës: Letër zyrtare autoriteteve greke

Deputeti Vasil Llajo kërkon hapjen 24 orë të Doganës së Qafë Botës: Letër zyrtare autoriteteve greke

July 14, 2025
Prishet pas disa orëve tensione banesa e fundit e paligjshme në Theth! Banorët u futën në godinë, përplasje me policinë

Prishet pas disa orëve tensione banesa e fundit e paligjshme në Theth! Banorët u futën në godinë, përplasje me policinë

July 14, 2025
Fuqizimi i  Forcave të Armatosura, mbërrijnë në Kosovë autoblindat ushtarakë nga SHBA

Fuqizimi i Forcave të Armatosura, mbërrijnë në Kosovë autoblindat ushtarakë nga SHBA

July 14, 2025
“Ja ku janë, shkrepe o babe…”/ Dosja e plotë e përplasjes me armë në zonën e “Ali Demit” në Tiranë

“Ja ku janë, shkrepe o babe…”/ Dosja e plotë e përplasjes me armë në zonën e “Ali Demit” në Tiranë

July 14, 2025
Si po zëvendësohen shqiptarët? Nga India deri në Filipine, 20% e punonjësve në vend janë të huaj

Si po zëvendësohen shqiptarët? Nga India deri në Filipine, 20% e punonjësve në vend janë të huaj

July 14, 2025
Bamir Topi: Përplasja ime me Berishën nis pas Gërdecit dhe kulmon në 21 Janar!

Bamir Topi: Përplasja ime me Berishën nis pas Gërdecit dhe kulmon në 21 Janar!

July 14, 2025
“Dashuria” për UÇK/ Gazetarja polake mbledh fakte e dëshmi në Kosovë

“Dashuria” për UÇK/ Gazetarja polake mbledh fakte e dëshmi në Kosovë

July 14, 2025
Banorët kundërshtojnë prishjen e ndërtesës së fundit në Theth, bllokojnë fadromën (FOTO)

Banorët kundërshtojnë prishjen e ndërtesës së fundit në Theth, bllokojnë fadromën (FOTO)

July 14, 2025
“Ndërtoni identitet mbi vlera“/ Analisti Roland Bejko këshillon partitë e vogla për të çarë në sferën politike

“Ndërtoni identitet mbi vlera“/ Analisti Roland Bejko këshillon partitë e vogla për të çarë në sferën politike

July 14, 2025
Manja pret në takim zv.kryeministren e Ukrainës: Bashkëpunim për drejtësinë dhe rrugën drejt Europës

Manja pret në takim zv.kryeministren e Ukrainës: Bashkëpunim për drejtësinë dhe rrugën drejt Europës

July 14, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com