Nga Carlo Bollino
Rituali përsëritet, i pandryshueshëm në kohë, njësoj si arroganca dhe etja për pushtet që ka Sali Berisha. Pas çdo zgjedhje të humbur, Berisha denoncon manipulime, sepse të vetmet zgjedhje që i konsideron të lira dhe të ndershme janë ato që fiton. Dje, kur sapo dolën rezultatet e votimit elektronik që dekretuan fitoren e dukshme në Kamëz, Sali Berisha e cilësoi atë fitore si ”provë” që procesi ishte manipuluar në mënyrë digjitale. “Dhe ky është fakt”, theksoi disa herë, duke ngatërruar bindjen e tij personale me të vërtetën. Sipas Berishës provë e manipulimit është thjeshtë fakti se ai nuk fitoi. E gjitha këtu. Delirit të tij iu shtua kori i analistëve të tij që nga studiot e televizionit të pavarur të të birit, i konsideronin ato 6000 vota diferencë të marra nga Partia Socialiste në Kamzë si një provë më shumë të manipulimit. “Si ka mundësi që në Kamzë Berisha merr 6000 vota më pak se socialistët, normale që kanë manipuluar”. Logjik! Për të çertifikuar konkluzionet e tyre përdorën si dëshmi një teknik të faqeve ueb që prej disa muajsh është vetëshpallur si ekspert i sigurisë informatike, duke arritur të emërohet si konsulent i Belind Këlliçit në fushatën e tij elektorale triumfuese, duke u bërë kështu veçse ekspert, edhe i pavarur. Tamam siç i pëlqejnë Berishës. “Eksperti digjital”, pa asnjë fakt dhe pa asnjë kompetencë, premtoi një denoncim në SPAK kundër KQZ-së se sipas ai ka manipuluar sistemin e votës elektronike “duke përdorur një çelës usb”. Cirku mediatik me Sali Berishën në qendër vazhdoi për orë të tëra pretencën e mërzitshme kundër manipulimit të votës elektronike që veç Kamzës dekretoi fitues PS-në edhe në Elbasan dhe në Vorë.
Pastaj gjatë natës nisën të mbërrijnë edhe të dhënat e numërimit të votave në mënyrë manuale dhe fitorja socialiste filloi të mbulonte bashki pas bashkie, gjithë Shqipërinë. Mes pak bashkive të fituara nga Meta dhe Berisha, shkëlqen Himara ku kryebashkiaku Fredi Beleri mori 19 vota më shumë se rivali i tij socialist, fitore që e shijon nga burgu pasi u arrestua për blerje votash! Imagjinojmë se ato skeda do të rinumërohen pasi diferenca është tepër e ngushtë dhe duke u bashkuar me arsyen e arrestimit të tij dhe precedentët elektoralë të aleatëve të tij politikë, ndonjë dyshim është legjitim. Por për televizionin e pavarur të Berishës ai i Himarës është një triumf pa asnjë dyshim: pra 6000 vota më pak në Kamëz janë provë e manipulimit, ndërsa 19 vota më shumë në Himarë, janë fitore e padiskutueshme. Ka ndodhur gjithmonë kështu. Në 2011 për Berishën ishin fitore e qartë dhe legjitime edhe 12 votat e ripeshkuara brenda një kutie që i dhanë bashkinë e kryeqytetit Lulzim Bashës. Berisha e kujton mirë se çfarë bëri në maj 1996, kur votat i vodhi me dhjetëra mijëra, jo nga 10.
Nata e tmerrshme për Berishën dhe Metën u mbyll me një agim ngjyrë mavi. Partia Socialiste shkon drejt fitores së 54 bashkive, kundër 6 të mbetura në shportën e “Bashkë Fitojmë”. Në të vërtetë bashkë humbën, një rezultat që nuk ka të bëjë aspak me votat e vjedhura. Shqiptarët e refuzuan këtë çift hibrid, gjysëm të majtë e gjysëm të djathtë, shokë që e urrejnë njëri-tjetrin, të bashkuar vetëm nga një projekt antiamerikan dhe nga një aleancë anti-SPAK. Berisha humbi në Tropojë, në qytetin e tij të lindjes. Një shuplakë të njëjtë mori edhe Ilir Meta, i braktisur nga njerëzit e vet në Skrapar. Vodhën edhe aty? Berisha humbi dhe Shkodrën e tij, ku Benet Beci fitoi me mbi 12000 vota avantazh: nuk kishte ndodhur kurrë më parë në të shkuarën, pasi edhe kur nuk mori fare pjesë në zgjedhjet e 2019, në fund bashkia e Shkodrës mbeti në duart e PD. Edhe në Shkodër ku e gjithë administrate është në duart e PD-së, u vodhën votat? Berisha humbi dhe në Kukës, në Lezhë dhe Dibër, bastione të tjera në veri të vendit që njëherë e një kohë konsideroheshin si kështjella të pamposhtura të partisë së tij. Berisha dhe aleati i tij po rrezikojne edhe Kavajën, një kohë djep i berishizmit, për të mos folur për Durrësin, ku kandidatja e PS ka 10000 vota avantazh. Edhe këto janë vota të vjedhura?
Pastaj Tirana. Sondazhet që Berisha i konsideronte të blera “për 1 milion euro” që prej javësh e jepnin Erjon Veliajn në avantazh të fortë, u konfirmuan. I vogli Belind Këlliçi me diplomën e tij amerikane me 10 me yje, por pa dëftesë pjekurie, humbi më keq sa nuk mendohej. Ndërsa mbeten vetëm 1 të 5 e qëndrave të votimit për t’u numëruar, Veliaj ka mbledhur një avantazh prej 43000 votash. Këlliçi ëndërronte të bëhej lideri i ri i Partisë Demokratike dhe për këtë arsye u kandidua, por nga ai do të kujtohet vetëm gishti i mesit drejtuar qytetarëve dhe gënjeshtra se mund t’iu ofronte autobusë gratis të gjithëve. Si Berisha dhe Meta, edhe atë, as në lagjen e vet në Tiranë nuk e votuan. Që sot Belo duket i humbur në mes të grumbullit të klonëve të tjerë që Berisha ka prodhuar rreth vetes për t’i braktisur më pas në fatin e tyre.
Siç shkruan kolegu Mero Baze me ironinë e tij therëse, Sali Berisha u deklarua person “non grata” edhe nga shqiptarët. Do të përpiqet të shpëtojë siç ka bërë përherë, duke hedhur baltë mbi të tjerët, dhe do të gjejë mijëra fajtorë për këtë disfatë, ndoshta do të shkarkohet edhe mbi Ilir Metën pasi e bëri me Lulzim Bashën. Do të kthehet të akuzojë Enkeled Alibeajn, duke bërë sikur harron se në 90% të bashkive ku koalicioni i tij humbi, PD nuk kishte vendosur asnjë kandidat, e megjithatë ato pak vota të mbledhura nga PD me vulë aty ku ishte në garë, nuk dolën kurre vendimtare për të mbushur hendekun e humbjes. Një humbje që është e gjitha e Sali Berishës pa asnjë alibi. Ai do ta vazhdojë luftën e tij vëllavrasëse kundër ishave të partisë së tij, duke u kapur edhe me rrënojat që ka lënë nga pas. Plaku i dëshpëruar do të vazhdojë të akuzojë të tjerët, qeverinë, narkoshtetin, narkopolicinë, duke i treguar si fajtorë dhe se kanë manipuluar rezultatet, e më pas komunistët dhe oligarkët dhe mediat e blera, të gjitha gjëra të para e të dëgjuara në këto 30 vite. “Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve – tha pa provuar asnjë një grimcë turp – Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa te omega nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner”.
Por e vërteta është shumë më e thjeshtë. Sali Berisha, që tashmë nuk është më simbol i asgjëje veçse i historisë së tij të errët personale, u shpartallua nga zgjedhësit e vet. U shpartallua nga shpifjet e zbuluara me mijëra herë e që njerëzit e tij nuk i durojnë më, përfshi dhe gafën e fundit me këngëtarin amerikan duke u betuar para gjithë Shqipërisë se ai ishte Erjon Velija i maskuar si spiun në Iran. U shpartallua nga arroganca e tij, nga kërcënimet e tij, nga era e vdekjes që e përhap kudo shkon, nga korrupsioni me të cilin ka pasuruar familjen duke shpetuar gjithmonë nga Drejtësia, nga akuzat pa prova të bëra për këdo, të gjitha gjëra që shqiptarët nuk i durojnë dot më. Sali Berisha u braktis nga njerëzit e tij, të lodhur nga ai, jo vetëm nga elektorati i moderuar që nuk ia dëgjon dot as emrin.
Janë demokratët që nuk donin ta votonin që dezertuan qëndrat e votimit, duke e çuar pjesemarrjen në pikën më të ulët të historisë së demokracisë, jo armiqtë e tij. Socialistët votuan si përherë, janë demokratët që nuk votuan. Dhe fakte të vërteta janë shifrat që po ju tregoj: sipas qendrave të votimit të numëruara deri tani, Berisha bashkë me Metën dje kanë marrë 283.292 vota më pak në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021. Partia Socialiste ka marrë 13.591 vota më shumë. Po, dje ka pasur bojkot të zgjedhjeve, por ishte vetëm kundër atyre të dyve, jo kundër Edi Ramës. Sali Berisha më në fund u shpartallua nga Sali Berisha, pa asnjë ekuivok dhe pa asnjë alibi. Bashkëpunëtori i vetëm në këtë shpartallim quhet Ilir Meta, edhe ai i transformuar në një klon që për të imituar doktorin humbi atë qetësi dhe dashuri, që jo për gjë tjetër, por e bënin më njerëzor. Asgjësimi i tyre pa kthim nuk fsheh asnjë mister, është vetëm fati i një përbindëshi të mbaruar që pa patur më fuqinë të kapë asnjë viktimë, në fund, ha veten.