Përballja në “Elbasan Arena”, Shqipëria humb në minutat e fundit
Dy gola të shënuar në minutat e fundit të takimit heshtën entuziazmin kuqezi në Elbasan Arena dhe i dhanë fitoren skuadrës Serbe në përballjen e vlefshme për grupin I të eliminatoreve Euro 2016. Sinjalet se kuqezinjtë e De Biasit kishin hyrë në fushë për tri pikët u dha që në minutën e parë, kur një krosim i Hysajt nuk gjeti asnjë fanelë të kuqe në zonën serbe.
Në minutën e tretë, Milivojeviç kreu një ndërhyrje me takë nga prapa ndaj Lenjanit, një ndërhyrje e ashpër të cilës Rizzoli nuk i kurseu kartonin e verdhë.
Serbët u shfaqën pesë minuta më vonë në portën tonë, ku pranë zonës morën një goditje dënimi. Adem Ljajiç mori përsipër ekzekutimin e saj, por topi u përplas në murin mbrojtës.
Në minutën e 16, Lorik Cana shkakton një faull teknik për të shmangur një kundërzbritje të serbëve me anë të Mitrovic dhe me të drejtë ndëshkohet me karton të verdhë nga gjyqtari.
Në minutat në vazhdim, Shqipëria mundohet kontrollon më shumë topin, por disa zbritje dhe pasime të sakta në mesfushë, nuk finalizoheshin në të njëjtën mënyrë me repartin sulmues.
Në minutën e 37-të, serbët shënojnë një gol me anë të Ljajiç, por pasi Tosiç kreu një ndërhyrje të gabuar ndaj portierit Berisha dhe me të drejtë gjyqtari i takimit anuloi gjithçka.
Kjo solli nervozizëm në fushë mes lojtarëve, por që u mbyll pa asnjë incident të qenësishëm.
Menjëherë pas këtij rasti, kuqezinjtë dalin në kundërsulm përmes disa pasimeve të sakta dhe të bukura të Lilës, Balajt dhe Lenjanit, por sërish mungon pasimi final. Në minutat e fundit, Andi Lila largohet me barrelë nga fusha e lojës dhe mbetet për t’u parë nëse do të jetë gati për pjesën e dytë.