Nga Afrim Krasniqi
Kuvendi i Shqipërisë ka në rend dite një propozim për heqjen e dekoratave dhe titujve të nderit për një sërë funksionarësh të lartë të periudhës komuniste. Nisma është firmosur nga kryeministri dhe një deputet, – duke mbetur unikale si i pari kryeministër që merr nismë personale ligjore megjithëse me Kushtetutë ai mund të marrë nisma ligjore si kryeministër dhe si kryetar i këshillit të ministrave. Nisma erdhi pas debatit që shkaktoi publikimi i një liste të vitit 2014 për dekorimin e veteranëve të luftës, midis të cilëve bëjnë pjesë një numër zyrtarësh të lartë të ish regjimit komunist. Nisma duket parimisht pozitive, megjithëse kategoritë e përmendura në të janë abuzive, të pamatshme dhe kështu, nëse miratohet si e tillë, e bën nismën të pazbatueshme. Për shembull, përmenden ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, – listë që me ligj nuk mund të bëhet publike dhe nuk ka të dhëna të sakta mbi emrat përkatës, prek zyrtarë të nivelit të mesëm në hierarkinë komuniste, por përjashton anëtarët e Komitetit Qendror, sekretarët e parë në rrethe, etj, të cilët kishin varësi direkte politike mbi hetuesinë, prokurorinë, gjykatën dhe policinë lokale. Qoftë edhe detaje të tilla, e bëjnë nismën më shumë deklarative e simbolike sesa serioze dhe funksionale.
Nga ana e saj opozita dhe eksponentë të saj kanë folur për rezolutë dhe masa penalizuese për titujt e lartë që mbajnë ish drejtuesit e regjimit komunist. Shpeshherë del në media fakti se diktatori Hoxha mban titullin “Hero i Popullit” apo se një numër anëtarësh të ish nomenklaturës mbajnë tituj gjithashtu të lartë. Në të gjithë këtë histori, më shumë se sjellje serioze dhe shtetërore, dominojnë emocionet dhe retorika politike për qëllimet e ditës. Argumentet ilustrues janë të shumtë, por disa mbeten kryesore. Për shembull, çdo regjim ka dhënë dekorata të larta dhe në Shqipëri, referuar regjimeve dekoratat më të lartë i ka Princ Wied, Ahmet Zogu, Viktor Emanueli, Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe deri tek Fatos Nano apo Sali Berisha. Secili i ka marrë dekoratat në kohën e tij, shumica ia kanë dhënë vetes apo nga institucione nën varësinë personale. Vlera e dekoratave që jepen nga regjimet kanë vlerë vetëm për atë regjimi, – fuqia e tyre reale humbet me rënien e regjimit dhe nuk mund të jetë subjekt i një sistemi tjetër vlerësimi e dekorimi. Për shembull, në sistemin aktual të dekorimeve nuk ka më tituj “Hero i Popullit” dhe as “Hero i Punës Socialiste”, por ka dekorata “Urdhri i Flamurit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në periudhën e Mbretit Zog apo pushtimeve të huaja nuk ekzistonin asnjëra prej tyre, secili regjim krijoi hierarkinë e vet të dekorimeve, sistem që ra me ndryshimin e regjimit.
Nga ana tjetër, nga të gjitha regjimet, vetëm ai komunist njihte të drejtën e shtetit për heqjen e dekoratave dhe titujve, kryesisht për rastet e gjyqeve politike. Mbi këtë bazë 70% e zyrtarëve të lartë që kishin titujt “Hero i Popullit” u arrestuan më vonë, dhe bashkë me dënimin, iu hoqën edhe titujt e nderit. Ata pak prej tyre që sot jetojnë, e përdorin këtë dekorim, pavarësisht se nuk ka një vendim gjykate në demokraci që anulon vendimin e gjykatës në diktaturë dhe rikthen dekorimet. Baza ligjore prej 1991 nuk e njeh konceptin e heqjes së dekoratës dhe as rikthimin e saj. Në tri raste kur Presidentët janë vënë nën presion publik për dekorata të gabuara, kanë qenë individët që kanë hequr dorë (nuk ka bazë ligjore as për këtë akt), jo institucioni, sepse ai nuk ka të drejtë ligjore ta bëjë. E njëjta ndodhi edhe në rastin e fundit me Ministrinë e Mbrojtjes .
Problemi i nderimeve është tjetër, – dhe shumë më kompleks. Për shembull, nëse i referohemi rasteve absurde, ende kemi me titullin “Qytetar Nderi” në Tiranë ministrin pushtues fashist, Konti Çiano, udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov apo figura të tjera të periudhës komuniste. Nuk i ka hequr askush, nuk kujtohet askush për to dhe ata nderohen e pasqyrohen në manualin historik të qytetit, megjithëse titulli “Qytetar Nderi” parimisht siç jepet edhe mund të hiqet. Në Gjermani p.sh, i janë hequr çdo figure të periudhës naziste, në Shqipëri ende janë në fuqi. Le të marrim një shembull tjetër: më 2014 me rastin e 102 vjetorit u nderuan me titujt më të lartë shtetërorë dy sportistë (peshëngritës), të cilët arritën rekorde ndërkombëtare. Ata u pritën me ceremoni madhështore, ngritën flamurin në Vlorë dhe u bënë figura dominuese në aktet e nderimit të 28 nëntorit. Disa javë më vonë organi evropian i këtij sporti i pezulloi nga çdo aktivitet dhe u hoqi titujt me akuzën se kanë përdorur lëndë të ndaluara narkotike. Ata u penalizuan, por zyrtarisht mbajnë dekoratat dhe nderimet më të larta të shtetit shqiptar, të njëjta me Gjergj Fishtën dhe Ismail Kadarenë. A duheshin hequr? Ligji nuk e parasheh heqjen, ndaj kur mungon baza ligjore secili zgjedh vetë sesi të sillet.
Kemi edhe raste të tjera specifike: ka ndodhur shpesh që regjimet e ndryshme, përfshirë sistemi i 25 viteve të fundit, ka nderuar me dekoratat më të larta krahina dhe organizata të caktuara, shumica e të cilave nuk ekziston më si subjekt publik. Për shembull, më 2013 u nderuan dy komuna, të cilat nuk ekzistojnë më, ose vijojnë të nderohen krahina, megjithëse koncepti i “krahinës” nuk është ligjor, nuk gjen shprehje në asnjë ligj në legjislacionin shqiptar. Kush i merr ato, kujt i jepen, çfarë vlere kanë, a janë të merituara dhe a ka sens praktik që në një vend me 26 rrethe, 14 mbajnë dekoratat më të larta, 12 nuk kanë dekorata! Ka një numër rastesh absurde, kur personat që nuk jetojnë më, vijojnë të marrin dekorata më të larta pas vdekjes. Kjo ka sens kur nderimi i tyre është mohuar në një regjim tjetër, pra si proces rehabilitimi, por jo brenda të njëjtit regjim, pasi personat që nuk jetojnë nuk mund të shfaqin merita të reja për të cilat të rivlerësohen më shumë. Madje në modelin britanik, kur personat vdesin, dekorata i rikthehet Mbretëreshës, pasi lidhet vetëm me individin dhe vetëm me meritat e tij në të gjallë. Së fundi, kryeministri Rama ishte në Izrael dhe i dha medaljen e kryeministrisë ish kryeministrit Peres. Ajo është medalja më e ulët që Shimon Peres ka marrë, – një simbol rutinë i ndërtesës dhe institucionit të kryeministrisë. Nëse shteti shqiptar donte vërtetë ta nderonte (me siguri që do), do të duhej ti jepej dekoratë e lartë dhe ajo duhet të dalë nga Presidenti i Republikës. Anashkalimi i institucionit dhe praktikës krijon situata gati qesharake për shtetin, si në këtë rast.
Një vend si Gjermania me mbi 80 milionë banorë jep zakonisht 20-30 dekorata zyrtare në vit, Shqipëria me 2.8 milionë banorë efektiv jep thuajse të njëjtin numër në muaj. Tradita absurde e abuzimit me nderime shprehet më së miri nga kujtimet e Princ Wied 1918, sipas të cilit, aq shumë shqiptarët ishin të etur pas dekorimeve saqë nëse do të kishte pasur më shumë dekorata për të dhënë me siguri do të kishte mbretëruar më gjatë. E njëjta ndodh edhe sot. Kjo traditë spekulative meriton qasje serioze që të kthehet në produkt serioz për shtetin dhe shoqërinë.
Cila duhet të jetë zgjidhja? Nuk mund të ketë zgjidhje me nisma partizane që lidhen me disa emra, që reflektojnë emocione të ditës dhe që më shumë krijojnë sesa zgjidhin probleme. Zgjidhja duhet të jetë institucionale dhe afatgjatë.
- Së pari, një ndërhyrje në ligj për ti njohur institucionit ose gjykatës, të drejtën e heqjes së dekoratës në raste flagrante, si disa nga rastet e përmendura më lart.
- Së dyti, një vendim konsensual politik për të njohur nderimet e çdo sistemi politik vetëm brenda sistemit, pra për ti konsideruar nderimet e sistemeve të tjera, si pjesë të atij sistemi, pa ndikim e përdorim në sistemin aktual.
- Së treti, asnjë dekoratë e titull nuk mund të ketë efekt financiar nëse nuk ratifikohet nga sistemi aktual qeverisës. Pra nëse Byroja apo PPSH i kanë dhënë vetes dekorata, ato nuk mund të kenë efekt financiar privilegjues në demokraci, përveçse në rastet e nderimeve të meritës së provuar, ratifikuar nga komisione të posaçme pune në regjimin e sotëm demokratik.
- Së katërti, nëse zbatohet saktë legjislacioni aktual mbi dekorimet do ishte evituar çdo skandal, përfshirë dekorimet nga Ministria e Mbrojtjes. Anashkalimi i procesit seleksionues dhe transparencës, solli skandalin, i cili nuk është as i pari dhe as i fundit.
- Së pesti, do të duhet një sistem më i drejtë i meritës, larg preferencave klienteliste, për ta përdorur dekorimin dhe dhënien e titujve për vlera dhe jo për konsum pushteti, mirënjohje personale apo për shkak të presionit nga miqtë, shokët dhe partia.
- Së fundi, është e rëndësishme që shteti të krijojë një data base mbi dekoratat dhe titujt e nderit, data base publike, në mënyrë që të evitohen rastet e nderimeve paralele, abuzive apo e dhënieve të dekoratave më të ulta në rang për një person që ka pasur dekoratë më të lartë, – siç ndodh rëndom tek ne./Ikub.al/