Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, duke filluar nga ora 13:00.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Rreth 12 orë brenda dy ditësh, presidenti i vendit Hashim Thaçi është intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Për dallim nga dita e hënë kur Thaçi pas intervistimit 6 orësh dha një deklaratë të shkurtër për media, mbrëmë ai nuk u deklaruar fare.
Ende nuk dihet se si ka shkuar intervistimi përveç që mësohet se do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.
Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.
/e.rr











