Nga Prof. Aleko Miho*
Po mbushen 4 javë që studentët kanë ndërprerë mësimin dhe janë në rrugë për cilësinë e shkollimit dhe të jetës studentore, por dhe për peshën në financim që ata dhe familjet e tyre mbajnë mbi supe. Ritheksoj se kjo nuk është kauzë vetëm e studentëve, por dhe e jona si botë akademike dhe e gjithë shoqërisë shqiptare. Sërish nuk dua të imponoj të drejtën e protestës, të paktën deri aty ku ajo është demokratike. Por ajo që po përjetojmë këto 2 javë të fillimit të vitit nuk më duket aspak e tillë, jo në përputhje me të drejtën e mendimit dhe të veprimit të individit, si të profesoratit dhe të studentëve në tërësi. Me këtë shkrim unë dua të pohoj se distancohem nga militantizimi dhe populizmi i atyre studenteve dhe kolegëve për të vazhduar me çdo kusht protestën, për të bojkotuar mësimin me gjithë mënyrat! Mendoj se protesta e studenteve e ka humbur atë çiltërsinë e saj të ditëve të para në dhjetor. Ajo duket se është marrë peng nga militantë që kërkojnë zgjidhje të skajshme, duke bërë presion deri në dhunë psikologjike dhe ndonjëherë dhe fizike, ndaj studentëve dhe profesoratit jo protestues, ndaj figurës së tyre, ndaj vetë institucionit ku ata pretendojnë se do të rikthehen të marrin dije! Kjo formë proteste dhe bojkoti nuk është aspak demokratike, dhe nuk ndihmon aspak zgjidhjen e problemeve tona të brendshme. Me anarki asnjë palë nuk është e fituar, jo më institucioni ynë arsimor, por dhe vetë studentët dhe apo kolegët militantë!
Me këtë mbresë timen nuk dua aspak të mbështes zgjidhjen kozmetike që qeveria bëri këtë fundviti për kërkesat e studentëve; as dhe qëndrimin patologjik të Kryeministrit kundër botës akademike në vend! Nuk jam kurresesi as me ndryshimet në qeveri, ashtu si bën një trainer në një ndeshje stërvitore futbolli! Edhe kjo nuk është aspak demokratike. Për mua është fatkeqësia e radhës në vendin tonë që palët e kundërta nuk dinë të përdorin demokracinë për të zgjidhur si duhet nevojat e përbashkëta, dhe për t’u ngritur mbi interesat e vogla dhe të çastit, si dhe për të shmangur zgjidhjet e sforcuara që mbjellin anarki dhe regres në zhvillim!
Me “Paktin për Universitetin” qeveria zgjidhi vetëm një pjesë shumë të vogël të halleve që ka universiteti publik, vetëm atë që lidhet me studentët, thjesht për të shuar protestën, por jo shërimin e sistemit! Në se realisht duam që sistemi të fillojë një farë kthese unë do të këshilloja sëpari të zgjidhet mbështetja financiare, deri në dyfishimin e grantit nga Buxheti i Shtetit për arsimin e lartë publik. Kjo do të sillte rritje të investimeve për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies për studentët dhe për stafin akademik; motivimin më shumë të tyre; shtimin e hapësirave për mësim dhe kërkim sipas standardeve, për pedagogët dhe për studentët; përmirësimin kushteve të qëndrimit dhe të mësimit në auditor, në laborator, në konvikt; mbështetje për kërkimin shkencor, për botimin e librit universitar, për biblioteka etj.
Por që kjo të mundet si duhet, patjetër duhet edhe rishqyrtimi i Ligjit aktual të arsimit të lartë dhe akteve të tjera, të cilat nga praktika kanë sjellë deri sot shqetësime dhe amulli në funksionin e organeve drejtuese dhe arsimit të lartë në tërësi. Kjo lidhet me dyzim pushtetesh në universitet, botë akademike-administrim, shtim veprimesh burokratike në përdorimin e fondeve, shpërdorime të tyre, dhe të tjera mangësi që burojnë nga Ligji 80/2015 dhe aktet nënligjore të tij. Për më tepër, shumë akte që kanë dalë për zbatimin e ligjit kanë qënë tepër të vonuara, disi kontradiktore, dhe aspak në drejtim të përmirësimit të cilësisë; përkundrazi e kanë ulur atë më tej. Shumë rregulla në arsimin e lartë, përfshirë këtu dhe vetë rregulloren ‘bardhezi’ të zgjedhjeve, nuk ndihmojnë aspak në zhvillimin e demokracisë në universitet, nuk nxisin aspak meritën mes stafit akademik.
Si unë dhe shumë të tjerë prej nesh brenda sistemit arsimor publik jemi të ndërgjegjshëm për mangësitë tona. Shpesh këtë e kemi treguar edhe hapur, ndryshe nga heshtja autokritike brenda sistemit privat! Gjithmonë nga brenda sistemit privat shohim të flitet për suksese, madje me njëfarë këmbëngulje jo fort etike! Kurse ndaj botës akademike publike, ironia, sarkazma dhe përbaltja janë shprehur rëndom, në dëm të mundit dhe djersës së një stafi që punon me pasion e sakrificë brenda sistemit, edhe pse në varfëri të skajshme! Mjafton të pohojmë se pagat e punonjësve akademikë në IAL-të publike janë ndër më qesharaket në rajon! Duhet thënë, se për hir të interesave thjesht ekonomike, është po ky staf që mbështet edhe vetë universitetet private. E gjithë kjo lloj propagande dëmton rëndë, jo vetëm të ardhmen e studentëve dhe të mijëra të tjerëve që kanë sot diplomën e universitetit publik, por gjithë imazhin e vendit! Ritheksoj sërish fort se universiteti publik, më i madhi i dijes në vend, nuk meriton aspak të përdhoset! Pa ruajtur dhe forcuar dinjitetin dhe autoritetin e botës akademike nuk mund të ketë arsim të lartë cilësor dhe zhvillim në vend!
Universitetet publike janë viktima të tranziconit, të nëpërkëmbura në vite nga qeveritë dhe politikëbërja, nga vizioni i munguar. Për këtë, nuk është shumë burrnore, nuk është ‘fair’ të merresh me pasojën, por me shkakun që e ka çuar sistemin arsimor publik në këtë gjendje! Universitetet publike punojnë me kosto minimale për student në vit, e cila përkthehet në varfëri në rroga, në infrastrukturë, në pajisje, kimikate, qelqurina, praktika etj. Buxheti i shtetit mbulon për këto vetëm pjesërisht dhe pjesa tjetër mbulohet nga tarifat e shkollimit, kjo tashmë deri diku e përgjysmuar prej protestës. Krahasoni buxhetin e çdo IAL-je publike me atë të sistemit privat, dhe me të ardhurat e institucioneve të tjera të ngjashme në rajon! Sot 16 IAL publike mbajnë barrën kryesore në vend për përgatitjen e specialistëve të nevojshëm për vendin; dhe këtë e bëjnë me një kosto shumë të ulët, thuajse falas, po ta krahasosh me sa paguhet në 26 institucionet private. E megjithatë, pavarësisht vështirësive financiare të mëdha në vite, përsëri diploma që merret në universitetet publike është shumë herë më cilësore se në universitet e tjera në vend. Duan apo nuk duan të gjithë ata ata që çirren sot plot mllef nëpër foltore apo në rrugë, diplomat nga institucionet publike janë shumë herë më të larmishme dhe më të denja, jo vetëm për tregun vendas, por edhe për tregun europian dhe më gjerë.
Në të vërtetë sistemi ynë arsimor është bërë në vite gjithënjë e më shumë masiv, por aspak i mbështetur financiarisht, si në mësimdhënie apo në kërkim, në hapësira apo mjete pune, në botime librash apo monografish, në harresë, në mungesë rregullash të qarta për oponencë dhe kontroll. Si i tillë, këtu mund të gjejnë strehë edhe dukuri të tilla, si pseudoshkenca, plagjatura dhe autoplagjatura, nepotizmi dhe familjariteti, mitmarrja etj. Nuk dua aspak të mbështes dhe justifikoj këto dukuri të shëmtuara për cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit. Ҫdo nismë ligjore për zgjidhje është patjetër me vend, madje e vonuar, por kjo nëpërmjet drejtësisë, dhe në mënyrë sa më profesionale, kurrësesi me arrogancë, me subjektivizëm, klientelizëm korruptiv, apo me militantizëm partiak dhe studentor. Ritheksoj se dukuri të tilla janë pasoja dhe jo shkaku! Shumë prej tyre janë pasojë e keq menaxhimit të institucioneve tona në vite, kjo dhe prej rregullave të cunguara ose të munguara. Por më shumë ndikim këtu ka patur vizioni i dobët i gjithë shoqërisë shqiptare për arsimin e lartë, pasojë politikëbërjes dhe vendimarrjes së dobët dhe shpërfillëse për thuajse 3 dhjetëvjeçarë në tranzicion, përfshirë këtu edhe qeverisjen aktuale.
Në gjithë këta vite tranzicioni pati shtim absurd të universiteteve, si publike dhe private, shpesh thjesht për interesa klienteliste, apo partiake, shtim kuotash në mënyrë fiktive, etj. Kjo ka bërë që në universitete të regjistrohen të rinj edhe me shkollim të dobët, të cilët nuk meritojnë për shkollën e lartë. Duhet pohuar se në këta vite tranzicioni, shkollimi parauniversitar ka rënë dukshëm, dhe nota është gjithnjë e më fiktive, e pamerituar. Edhe në universitet, nuk ka rregulla për të larguar ata studentë që janë tepër të dobët, edhe pse mund të kenë ardhur në universitet me shumë pikë. Këta studentë e ndjekin shkollën me pahir, vijnë sa për të mos u ndëshkuar nga mungesat, thuajse nuk hapin librat, por notën kaluese e duan, ndonjëherë edhe notë të mirë! Ky kontigjent e kërkon me ngulm diplomën, por jo dijen! Nuk ‘lënë gur pa lëvizur’ për atë diplomë! Unë kam bindje se edhe kontigjenti i studentëve në shumë nga IAL-të private nuk është më i mirë se në universitetet publike, përkundrazi! Po ky kontigjent i dobët hyn dhe në universitetet private, por aty e merr pa u ndjerë notën, me pagesën e majme që bëhet që në fillim në zyrën e financës; kurse në universitetet publike ky kontigjent ose e merr ‘qyl’, ose bie në ‘prehrin’ e pedagogëve të papërgjegjshëm që notën kaluese nuk pranojnë ta japin falas! Megjithatë, këtu dua të theksoj fort se në shkollën e lartë kemi gjithmonë një kontigjent studentësh shumë të mirë, që përbëjnë kënaqësi dhe nxitje për punën tonë, por edhe krenari për vendin. Ndoshta ky shkrim ka parasysh pikërisht këta studentë të zellshëm, të talentuar që përbalten dhe zhgënjehen nga një sistem shkollimi jo i drejtë, por dhe nga kjo protestë e mjegullt që sot po përjetojmë.
Në mbyllje theksoj se duhet ta shohim drejt në sy gjendjen në universitetet tona, si nga qeveria dhe nga studentët apo profesorati militant i protestës. Kjo nis nga numri i tepruar i IAL-ve, i studentëve, nga konkurrenca e pabarabartë mes dy sistemeve, publike dhe private, nga shpërfillja financiare dhe ligjore! Kush është Burrë Shteti, apo forcë politike me përgjegjësi për vendin, dhe gjithë faktorët militantë këtë duhet të kërkojnë, por gjithmonë në rrugë demokratike! Unë uroj dhe mbetem me shpresë se qeveria, universitetet dhe studentët do të gjejnë forca dhe rrugëzgjidhje të mënçura për të dalë nga kjo rrugë e errët, pa krye, ku duket se ka hyrë sot lëvizja studentore.