• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 19, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Për Nënë Terezën

by Edi Rama
03/09/2016 09:25
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter
Nga Edi Rama

Për shumë kohë Nënë Tereza është përkujtuar dhe është kremtuar ne vendin tonë, më së shumti e mbështjellë virtualisht me ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar. Me të vërtetë 40 vjet pasi ju mohua gjaku, emri dhe rrënjët e saj përfshi këtu, mjerisht edhe nga vendi prej ku u çel jeta e Gonxhe Bojaxhiut, Shqipëria dhe shqiptarët ndjenë një nevojë therëse për t’ju përgjigjur krahëhapur por edhe të penduar, rënkimit të përsëritur të Nënë Terezës, “Nga gjaku, unë jam shqiptare”.

Përmasa kombëtare e këtij personi unik, të rreshkur në përvuajturi nga dashuria dhe vetëmohimi absolut për të tjerët, pa më të voglin dallim është për ne si shqiptarë i domosdoshëm. Sepse ai mëton që në gjakun tonë lëvrin ndoshta disi e egër dhe e pakultivuar sa do të duhej, ndjenja e vetëmohimit për vëllain dhe motrën në humanitet, pa dallim kombësie, etnie apo shtrese sociale, siç na e sjellë në një formë të caktuar vëllazëria fetare këtu në Shqipëri dhe nga ana tjetër dëshira për të përqafuar universalen, një dimension që është i pazëvendësueshëm në brendinë e dinjitetit dhe të identitetit tonë kombëtar.

Në filmin e tij të famshëm Paolo Sorentino i vendos personazhit të Shenjtores një përgjigje shumë hermetike për pyetjen se përse ushqehej vetëm me rrënjë. Sepse rrënjët janë të rëndësishme. Nëse rrënjët shqiptare të Nënë Terezës janë një e vërtetë për t’u mirëmbajtur me përkushtim, në fakt ato janë vetëm një pjesë e një të vërtete më të madhe dhe ai rënkim që vjen në testamentin e saj njerëzor për rrënjët, meriton që të meditohet deri në fund. Prej gjakut jam shqiptare, prej kombësie jam indiane, prej besimit jam rregulltare katolike, prej thirrjes i përkas mbarë botës dhe prej zemrës jam një me zemrën e Krishtit.

Këtu e kuqja dhe e zeza që na takon në këtë mozaik gërshetohen me të gjelbrën e shpresës, me të kaltrën e mbretërisë së qiejve dhe me të bardhën e një zemre që i është dhënë të tjerëve. Kjo është pëlhura modeste, sa ari indian i mirësisë, rrënja e përhershme që ishte i vetmi ushqim, veshmbathje, shtëpi, familje dhe dashuri e Nënë Terezës. Këto ngjyra, ky sahari dhe kjo përvuajturi janë kthyer me të drejtë në flamur të përbotshëm paqeje si fryt i përkushtimit për të tjerët, i dhembshurisë për të vobektit, i vetëmohimit absolut për dinjitetin e njeriut, që prej nisjes së një jete dhe deri në kalimin e saj në amshim.

Paqja e ka një çmim dhe shumë shpesh e ka një çmim të frikshëm. Për të qenë ithtar i paqes jo rrallë duhet të bëhesh dëshmor i saj, qoftë duke falur vetë jetën, qoftë përmes të një të jetuari si dëshmitar që të takon të pranosh përçmim nga të tjerët, të takon të jetosh me një dyshim gërryes, të pareshtur brenda vetes, të takon të mbash goditje morale të pamerituara, të takon madje të përballesh me kërcënimin e integritetit tënd fizik dhe më tutje akoma, të njohësh urinë, të njohësh frikën, të njohësh skamjen dhe të bashkëndash deri dhe kafshatën e fundit me dikë që mund të qëllojë të jetë krejt i panjohur për ty.

Një ditë, – tregonte vetë Nënë Tereza, – sollën në qendrën tonë në Kalkuta një grua që tërë jetën kishte jetuar në rrugë, trupi i së cilës ishte mbushur me plagë të gangrenizuara.

Ndërkohë që ajo mallkonte botën mbarë, Nënë Tereza për orë të tëra i pastronte plagët dhe papastërtitë e frikshme. Si u lodh së mallkuari misionaret, ajo ju kthye eprores: – Murgeshë pse e bën këtë?! – Për hir të tënd Zot. E kush na qenka ky zot? E duke e përqafuar, Nënë Tereza i përgjigjet: Tani ti e njeh, – ai është dashuria.

Për ju të gjithë këtu të pranishëm si vullnetarë mund të ngjajë shumë i madh hendeku mes gjërave, në dukje shumë të vogla dhe pa nevojën e gjithë këtij vetëmohimi që ju bëni përmes vullnetarizmit tuaj dhe gjërave kaq të mëdha në kornizën e vetëmohimit të tyre që bënte Nënë Tezera.

Mirëpo në fakt, janë të dyja pjesë e të njëjtës gjë. E nëse i besojmë Nënë Terezës, mjaft të kujtojmë një fjalë të sajën: “Mos prisni një lider t’ju thotë se çfarë duhet të bëni, por bëni atë që mundeni person në person.” Ndoshta askush prej jush nuk do të përjetojë përvojën mistike dhe rrugëtimin unikal të Nënë Terezës dhe të motrave të saj. Megjithatë çdonjëri prej jush, çdonjëri prej nesh, kur është fjala për të qenë vullnetar për një kauzë të madhe apo të vogël, po në thelb çdo kauzë që i shërben qoftë dhe një njeriu të vetëm, është e madhe sa vet njerëzimi. Jemi sidoqoftë të thirrur të mbartim përkushtimin dhe vetëmohimin që rrezaton në madhështi figura dhe rruga e Nënë Terezës.

Jemi të thirrur të dëgjojmë brenda vetes atë thirrjen brenda thirrjes, siç e quante Nënë Tereza misionin e përveçëm të gjithsecilit për t’ju dhënë me mish e me shpirt tjetrit.

Tjetri mund të qëllojë të jetë një familjar, po dhe mund të qëllojë të jetë dhe një njeri krejt i panjohur, që në rrethana të caktuara të bën të jesh shpëtimtari i tij dhe përcaktues i fatit të tij, përmes përkushtimit tënd, i fatit të tij të mirë ose i fatit të tij të keq, në varësi nga sa i madh dhe i vërtetë është përkushtimi yt.

Nënë Tereza thoshte që një zemër e ndarë është varrmihëse e paqes. Në këtë aspekt besoj që qëndron dhe vlera thelbësore e vullnetarizmit, sepse duke krijuar kushtet për të bashkuar zemrën tënde me zemrën e dikujt apo disa të tjerëve, në fakt krijon mundësinë për të mbajtur të bashkuar zemrën tënde në një ekuilibër të shëndetshëm mes gjërave që vlejnë dhe gjërave që trupi dhe mendja i kërkojnë, duke ua rritur artificialisht vlerën dhe duke i bërë shpesh kryesore, ndërkohë që mund të jenë dytësore, tretësore apo krejt pa rëndësi, në raport me gjërat që vlejnë dhe që shpesh sedra, egoizmi, ambicia i bëjnë të harrohen ose të fashiten në rendin e prioriteteve të njeriut.

Ka pasur edhe Nënë Tereza kritikët e saj. Madje edhe mohuesit e saj të pamëshirshëm, si për të provuar se nuk ka asnjë mundësi që dikush që vullnetarizon t’i shpëtojë sprovës së të qenit nën goditje. Ndër kritikat që i janë bërë ka qenë ajo që Nënë Tereza ishte një personalitet i dyzuar, për shkak të ndërthurjes së vetëmohimit autentik me organizmin autentikisht menaxherial. Po në fakt kjo do të thotë që të bësh moralistin siç e bëjnë shumë njerëz edhe në të gjitha nivelet dhe në të gjitha sferat pa e njohur as thjesht kulturalisht Ungjillin, i cili në versionin e Shën Lukës përmban një tog rreshtash, që me siguri e kanë ndihmuar edhe vizionin e Nënë Terezës:

“Mjeshtri lavdëroi kujdestarin dinak, sepse në fakt, ky i fundit kishte vepruar me shumë zgjuarsi. Fëmijët e këtij shekulli janë më të aftë se fëmijët e pafajësisë. Dhe ja ku po jua them, bëni plot miq me paranë e pandershme. Kështu një ditë, kur të mos mbetet më asgjë, të mirëpriteni në banesën e përjetshme. Kush është i denjë për besim në gjërat më të vogla, është po ashtu për më të mëdhatë. Nëse nuk je i denjë për besim për paranë e papastër, si mund të jeni për gjërat me vlerë të vërtetë.”

Në frymën e një asociimi të vazhdueshëm mes thirrjes shpirtërore për mision dhe një thirrjeje në pamje të parë të thjeshtë, nisur nga motive të ndërgjegjes, Nënë Tereza u bë pioniere e një ndërlidhjeje mes çka sillte angazhimi religjioz dhe çka sjell një angazhim personal, qoftë edhe krejtësisht jo fetar. Këtu besoj qëndron edhe një pikë lidhjeje tek figura e Nënë Terezës, mes angazhimit religjioz dhe angazhimit aspak fetar të misionareve të Nënë Terezës dhe të misionarëve të Korpusit të Paqes, fjala vjen. Nuk është feja apo angazhimi fetar që i shtyn vullnetarët e Korpusit të Paqes në të njëjtën rrugë dhe që i bëj të ndjehen bashkudhëtarë me Motrat e Nënë Terezës, apo me të tjerë që vijnë në misionin e vullnetarizmit nga feja.

Themelimi i misionit laik të vullnetarizmit është në fakt, një rrugë paralele në të njëjtin drejtim me misionin fetar të vullnetarizmit dhe të dyja bashkë i lidh dashuria, e cila frymëzon të gjithë dinamikën e vullnetarizmit. Dhe është një dashuri që përmes të tjerëve krijon kushtet që njeriu të përmirësojë vetveten dhe tek e mbramja, në fund të rrugës të ndjehet shumë më i pasur, shumë më i vërtetë përballë të gjitha tundimeve dhe sfidave, që në çdo çast e thërrasin njeriun drejt rrugësh të tjera.

Unë besoj që ka shumë gjëra për të cilat ia vlen të bashkojmë forcat dhe të punojmë sëbashku, pavarësisht nëse vijmë nga rrugë të ndryshme, dikush vjen nga rruga e angazhimit fetar, dikush nga rruga e angazhimit social dhe dikush tjetër nga rruga e angazhimit politik. Ajo që e bën të mundur bashkëpunimin ndërmjet njerëzve që vijnë nga rrugë të ndryshme është emëruesi i përbashkët. Një emërues i përbashkët, të cilin Nënë Tereza ia vuri përpara si mundësi, njerëzve të kombeve të ndryshme, të feve të ndryshme, të rrugëve të ndryshme dhe të statuseve krejt të ndryshme sociale. Mjafton t’i hedhim një sy paraqitjes shumë të përmbledhur grafike të imazheve në ekrane, për të parë sesi në një fotografi, Nënë Tereza i përulet një fëmije të sëmurë dhe në një fotografi tjetër, Princesha Diana i përulet Nënë Terezës.

Në këtë emërues të përbashkët vlen si shembull, edhe ajo çka 30 vjet më parë, ekzaktësisht në vitin 1985 Sekretari i Përgjithshëm atëherë i Kombeve të Bashkuara, Peres De Cuellar, i rezervoi në fjalën e tij mikpritëse, Nënë Terezës:

“Ja gruaja më e fuqishme e kësaj toke! Ja gruaja që kudo mikpritet me respekt dhe me adhurim! Ajo është një njeri dhe në të njëjtën kohë, Kombet e Bashkuara. Sepse në zemrën e saj i ka dhënë strehë të varfërve të çdo cepi të globit. Atë që e bëjnë apo përpiqen ta bëjnë çdo ditë, Kombet e Bashkuara, mund ta bëjë edhe një zemër e vetme, duke u përpjekur çdo ditë si të ishte Kombet e Bashkuara.”

Next Post
Të hënën Parlamenti Europian flet për vizat me Kosovën

Të hënën Parlamenti Europian flet për vizat me Kosovën

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Listat e kandidatëve/ Minxhozi: Zgjedhjet janë edhe një lloj ‘vettingu’, s’janë thjesht akt i hedhjes së votës

Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush

December 18, 2025
Fëmijët tanë nuk lindin me thikë në dorë

Një letër “nga brenda shtëpisë” (dhe çfarë do bëjë SPAK nëse Kuvendi bëhet Gjykatë)

December 18, 2025
I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

December 18, 2025
Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

December 18, 2025
Ankimimi në GJK për pezullimin e Ballukut/ Rama: S’dua t’i hyj dokrrave për ‘’pse-në’’ e kësaj beteje ligjore! Duhet të jesh krejt i verbuar nga..

A ke menduar të ikësh? Rama përgjigjet troç: Ja kush është misioni im

December 18, 2025
“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

December 18, 2025
“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

December 18, 2025
Berisha fton Ramën në debat dhe u bën mediave skenarin: Vendosni dy karrige dhe pastaj…

“Mishëron rrezatimin negativ”, Rama për Berishën: Komunisti ultrafanatik u kthye në konservator

December 18, 2025
1640593911_basharama1

Marrëveshja e 17 Majit, Rama zbulon për herë të parë: Bashën e mora në Elbasan! Berisha e bekoi 100%

December 18, 2025
Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

December 18, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In