Nga Elisa Spiropali
Ne nuk biem dakord për asgjë. Kultura e kundërshtimit dhe refuzimit është kaq e ngulitur sa as numrat dhe as aritmetika e thjeshtë dhe logjike, nuk shërben më si një kriter e bazë mbi të cilat të diskutojmë, të debatojmë, të qortojmë apo të kundërshtojmë njëri-tjetrin. Nuk shërben si një mundësi për ta parë të njëjtin realitet edhe me këndvështrime dhe interesa të ndryshme. Kjo ndodh sepse një pjesë e madhe në këtë sallë është ndarë nga logjika. Ndaj është mundim I kotë që këtë debat ta bëjmë me ju, por është një detyrim I fortë për publikun që të flasim me ju për shifrat e buxhetit.
Por para se të dal aty, dua të bëj disa vërejtje, për të cilat nuk kam pikën e kuriozitetit që të di reagimin e mëpasëm të Haxhiut dhe të Qamilit, të cilët, meqë vesi nuk ju del as nga humbjet e njëpasnjëshme, do të bëjnë të bardhën të zezë dhe do të bucasin, këlcasin e krokasin që katrani I tyre zbardhëllon dhe e bardha e qytetarit është sterrë e katran.
Ka probleme në Shqipëri?
Po, ka pafund!
Eshtë vendi më mirë se dje?
Padyshim që po!
A jemi në udhë të mbarë, a po ndjekim kursin e duhur ekonomik për t’ju përgjigjur sfidave të panumërta të kohës? Po dhe padiskutim!
Bota, Evropa dhe rajoni kane hyrë në Epokën e Rrezikut te madh. Kjo kohë kërkon stabilitet, udhëheqësi të fortë, një qeverisje të qëndrueshme dhe partneritet të fuqishëm ndërkombëtar. Pikërisht në këto parametra sigurie është përqëndruar një pjesë e opozitës e marrë peng nga një individ: me yrysh për të goditur stabilitetin e për të përdorur krizën që po kërcënon gjithë botën, me yxhym kundër themeleve të sistemit, njëlloj sic bëtë atëherë kur dezertuat nga sistemi.
Për të skicuar skenarin e përkundërt, për t’ju thënë edhe njëherë si përherë sesa të ndryshëm jemi, po ju bëj një sprovë minimaliste:
Supozojmë se Non Grata I anglo-amerikanëve dhe Qamili I tij do të ishin në pushtet në nëntorin e 2019-ës. Tërmeti shkatërrimtar që mori dhjetra jetë dhe shkatërroi në dukje pakthim mijëra jetë njerëzore duke shkaktuar drama e trauma të panumërta, morri një përgjigje unike nga qeverisja jonë. Në një inisiativë të pashembullt, gati personale, në emër të Republikës së Shqipërisë, kryeministri u shndërrua në një lypës zyrtar për atdheun, e bashkë me të edhe gjithë administrata zyrtare. Dhjetra projekte e tentativa diplomatike, e politike të dorës së shtrirë për solidaritet ndërkombëtar, morën gjithashtu një përgjigje të pashembullt financiare. Ne shqiptarët nuk ishim vetëm në këtë fatkeqësi dhe rindërtimi u kthye në një mundësi transformimi.
A mendoni se çfarë do të ndodhte nëse Non Grata do të ishte në krye të qeverisë shqiptare jo më larg se tre vjet më parë? Edhe sikur të kishte aq mend e zemër sa të tentonte të bënte të njëjtën gjë, njeriut të ekspozuar si mbartës I një korrupsioni domethënës nuk do t’I afrohej asnjë qindarkë sepse të gjithë do të dyshonin se ato para me të gjitha gjasat do të shkonin për caj boronicash.
Një vit më pas, kur pandemia gjunjëzoi botën, sërish në emër të qytetarit shqiptar, kryeministri udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara në një përpjekje në dukje të dëshpëruar për të siguruar vaksinat e shpresës. Dhe I mori nga Phizer-i duke sjellë shpresë se në luftën e padukshme, Shqipëria nuk ishte e vetme. A do të ndodhte kjo gjë nëse do të ishte kryeministër Non Grata? Haxhiu as vizë nuk do të merrte sepse amerikanët I kanë vënë vizën.
Për të mbërritur në luftën e dytë që po zhvillohet në Evropë, mbas frontit të egër të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Shqipëria u vu gjithashtu nën agresionin e luftës hibride nga Irani, në një sulm të paprecedent që synoi të dhëna delicate dhe të ndjeshme. Shqipëria e pa sërish veten në të njëjtin front me SHBA e NATO-n, me BE-në dhe demokracitë perëndimore, duke pasur fatkeqësisht përballë edhe kuislingët e brendshëm. Pjestarët e çetës së Rublaçorbës që janë të gatshëm të bëhen edhe me djallin kundër Shqipërisë.
Ju ridëshmova këto tre të vërteta të thjeshta për të thënë se fati, edhe kësaj here ishte me Shqipërinë, kundër asaj pjese të mjerë shqiptarësh që ndezin me benzinë e zjarr gjithë hartën e atdheut me shpresë që do të digjet bashkë me të edhe qeverisja socialiste.
(Të mjerë! Si Haxhiu, si Qamili, si sozitë e tyre që I ndjekin pas, si të marrit peng që vuajnë nën Sindroën e Stokholmit, janë njëlloj të mjerë dhe sa herë nxijnë Shqipërinë me gjuhët e botës, njëlloj do t’u mbulohen portretet me turp, për sot e mot,)
Nuk dua të mërrem gjatë me ta sepse dua të ndalem shkurtimisht në disa nga prioritetet e buxhetit që kemi sjellë sot, buxheti 20223 që është në shifra absolute sa dyfishi i buxhetit 2013. Por, duke nënvizuar një moment kyc. Sot kriza dhe shkaqet që e kanë sjellë atë, lufta e Putinit në Ukrainë, është më e rëndë edhe se kriza jonë lokale që pasoi tërmetin, më e rëndë se pandemia globale që pothuaj e gjunjëzoi botën. Një leksion që duket se shpjegon se njeriu i lig ndonjëherë bën atë që nuk e bën as Perëndia.
Raketat që bien në Kiev, gjëmojnë njëlloj, por me efekte të ndryshme edhe në Berlin e Londër, në Paris apo në Tiranë. Ato reflektojnë në spiralen e cmendur të cmimeve të diktuar nga tregu i coroditur, por dhe nga spekulantët dhe nga efekti zinxhir që ato shkaktojnë në të gjithë ekonominë botërore.
Duhet të kuptojmë se nuk jetojmë në kohë normale dhe për këtë shkak, edhe zgjidhjet nuk duken normale, edhe masat për ta përballuar atë do të duhet të jenë në përshtatje me kohën. Në kushtet e një pasigurie ekstreme, kur askush nuk mund të vinte bast në të sotmen për atë që do të sillte e nesërmja, ne kemi skicuar një buxhet rezistence, si përgjigja jonë ndaj pasigurisë së tregjeve, ndryshimit të cmimeve dhe presionit të inflacionit të lartë.
Inflacioni është në nivele që dukeshin të tejkaluara dhe që nuk janë parë që prej një cerek shekulli dhe ai ndikohet nga luhatja që lufta në Ukrainë i ka bërë cmimeve të energjisë së pari, por edhe cmimeve të lëndëve të para.
Ne jemi votuar jo thjesht për të qeverisur në ditë të mbara dhe me erën e mbarë të ekonomisë botërore në shpinë. Shpesh suksesi i një qeverisjeje duket para së gjithash nga elasticiteti me të cilën ajo përballon krizat. Dhe me qasjen që ajo bën pikë së pari me shtresat në nevojë të shoqërisë.
Duke nisur me brezin e tretë, pensionistët shqiptarë, përvec indeksimit të pensionit të tyre, do të kenë në dispozicion një fond të vecantë buxhetor prej 3,5 miliardë lekësh, për bonusin e fundvitit, nga i cili do të përfitojnë rreth 700 mijë gjyshe dhe gjyshër.
E po kështu, për rreth 220 mijë familjarë e individë në nevojë, paketa e re e rezistencës do të marrë për vitin e ardhshëm rreth 25,5 miliardë lekë nga buxheti.
Disa mijëra nëna papunë, nëna me tre apo më shumë fëmijë deri në moshën 18 vjec, do të përfitojnë nga politika sociale me kosto rreth 600 milionë lekë për mbështetje nepërmjet pagesës së kontributeve shoqërore dhe shendetësore për përiudhën e kujdesit të fëmijëve deri në 5 vjec.
Rreth 100 mijë familjarë me të ardhura të ulëta do të mbështeten nëpërmjet rritjes së pagës minimale në një kapërcim nga 34 në 36 mijë lekë. Dhe po kështu, edhe nëpërmjet rritjes së pragut të të ardhurave të patatueshme nga 40 në 50 mijë lekë, që përkthehet në një kosto prej 1.2 miliardë lekësh të fiksuara në buxhet.
Mjekët, infermierët, arsimtarët dhe zjarrëfikësit do të kenë një rritje page prej 7 për qind, në vijim të një rritjeje prej 7 për qind gjatë këtij viti. Punonjësit e policisë së burgjeve rritje me 14%.
Vëmendje të posacme kanë fermerët, të rinjtë e shtresa e kategori të vecanta sociale.
Bonusi i Bebeve, një fond rreth 2.2 miliardë lekë, do të jetë një këndpamjeje i ri për të gjithë ata që bëhen prindër dhe sjellin jetë të reja në Shqipëri.
Fermerët do të mbështeten me skemën kombëtare duke lehtësuar 5000 përfitues si dhe përmes investimeve me vlerë 1.97 miliardë lekë nga IPARD III.
Duke ju dhënë këto shembuj, do të doja të ndaja filozofinë politike që ka ndërtuar këtë projektbuxhet. Ai nis me kujdesin e posacëm për shtresat më në nevojë nëpërmjet skemave të mbrojtjes sociale dhe me premtimin për të garantuar furnizimin me energji elektrike pa ndërprerje duke mos rritur cmimin. Dhe kur cmimi i energjisë në treg, aty ku jemi të detyruar të blejmë, është cmendur totalisht, ky është jo thjesht një premtim politik, por edhe një masë ekonomike që do të ndikojë për garantimin e ekuilibreve të tregut vendas dhe në interes të konsumatorit dhe biznesit.
Ky buxhet do vazhdojë të mbështesë rritjen ekonomike duke vijuar konsolidimin fiskla dhe uljen e qëndrueshme të borxhit.
Lajm i mirë që shpenzimet buxhetore do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike, rreth 5,2% të PBB, duke u përqëndruar në financimin e projekteve me rëndësi strategjike.
Shkodra, pvarësisht përpjekjeve për ta mbajtur të izoluar nga ata që e konsiderojnë kala të tyre elektorale dhe jo qytet, duhej të ishte më prezente në politikat tona buxhetore, Do të bëjmë përpjekje për të integruar projekte të rëndësishme ndëkohë që do të shtojmë vëmendjen për të filluar nga zbatimi projekte që janë me financim të huaj.
Ndër projektet madhore janë rruga Milot-Balldren; hekurudha Vorë-Han i Hotit që fillon nga zbatimi këtë vit të ri buxhetor, do përfundohet projekti I detajuar I Korrdiorit Adiratiko-Jonian segmenti nga kufiri me Malin e zi për ne Balldren, duhet të ecim me segmentin Shëngjin-Velipojë nga Fondi i Zhvillimit.
Nuk kemi bërë mjaftueshëm brenda territorit të bashkisë Shkodër dhe, përtej bashkëpunimit të vështirë, do të sigurohemi që të ecet shumë shpejt me një grup projektesh që e kanë të akorduar financimin si rruga SHirokë-Zogaj-kufi me Malin e ZI; zgjerimi i modelit të Shirokës me ndërhyrje përgjatë bregut të liqenit, molet për lundrim në liqen në Shirokë e Zogaj dhe ura e Bunës. Duam të fillojmë punë me projektin që do i ndryshojë fytyrën qytetit sic është Hyrja e SHkodrës, për të cilën kolegu, Benet Beci,ka më se një vit që punon për të ndryshuar një projekt të pamenduar mirë të trafikut në breg të lumit në një ballinë ujore që do te kthehet në një hapësirë recreative të madhe që I mungon sot qytetit. Duhet të punojmë shumë më tepër për t’i dhënë edhe Shkodrës zhvillimin urban dhe ndryshimin e dukshëm që ajo meriton.
Sa për ju të sfidave, prisni majin e vitit të ardhshëm, prisni ndeshjen e ardhshme elektorale, kur shqiptarët do t’ju fikin sërisht llampën që ju mban ende në errësirë. Atë lloj errësire që nuk ka Haxhi, e nuk ka Qamil ta tejkalojë edhe sikur haxhiqamilët e tërë sozitë e tyre të dalin në dritë në Tiranë nga matrioshka mëmë. Që vjen si e ligë nga larg, nga shumë larg, nga atdheu i matrioshkave. Nga dje, me një matrioshkë më pak.
Bravo Spiropali ! Jo vetem per qartesine me te cilen shtron ceshtjet por edhe per stilin e thjeshte dhe korrekt te te shprehurit.