Përballë Gjirokastrës, krahina e Lunxhërisë qëndron e derdhur në fshatrat e saj. Shpërndarë malit të Lunxhit, ato vështirë se të japin përshtypjen e një zone që po kalon jo pak vështirësi.
“Lunxhëria është një nga ato zona, që ka pasuri të pafundme jo thjesht natyrore, por edhe kulturore e historike. Një ndërthyrje, që do të duhej ta kthente në një destinacion të rëndësishëm turistik, e që në fakt sot e gjen në një pikë ku jetojnë vetëm të moshuarit, e ku të rinjtë duan thjesht të largohen”.
Kryeqendra e Lunxhërisë, Dhoksati është vetëm 14 kilometra nga qyteti i gurtë, e megjithatë, ajo që të bën përshtypje sapo mbërrin është heshtja e qetësia jo normale, për një fshat që ngrihet imponueshëm, me shtëpitë që duken si kala të vogla.
“Kjo gjendje na godet, ndoshta na plak para kohe, sepse njeriun e mban të ri edhe gjallëria, edhe fshati, e mban edhe marrëdhënia njerëzore”, thotë Koço Vasili.
Rrugicat janë të vetmuara, pragjet pa njerëz, dyert më së shumti të fshehura pas drynëve e shtëpi të tjera, që janë gjunjëzuar nga braktisja. Kalldrëmet janë shqyer dukshëm nga mosmirëmbajtja, ndërsa hapat tona nuk kanë bashkëshoqërues.
Deri në vitin 1990, Dhokasati ka pasur rreth 615 banorë. Sot ka rreth 130. Shumë janë larguar e vazhdojnë të largohen, duke i dhënë fshatit një pamje të shkretë…
“Fushat janë kthyer në moçale me pyje. Duhet të fillosh nga e para që të zbukurosh fushën. Pastaj edhe vlera e mjeteve të punës dhe e naftës është rritur shumë. Në këtë mënyrë kostoja e prodhimit rritet shumë, kështu që njerëzit më mirë emigrojnë sesa të fitojnë shumë më pak”, thotë Koço Naci.
Shkolla 9-vjeçare, që dikur mbante mbi 150 nxënës, sot s’ka më asnjë zëth fëmije. Këtu, ata dikur hynin e dilnin, ndërsa sot rrënojat s’mundet të flasin.
“Sot këtu është shkretë. Kam tërë ditën që pres këtu, sepse mora vesh që do të vijë Marini. Pres këtu, por s’ka shkuar asnjëri nga kjo rrugë. S’ka njerëz, kush do të kalojë?”, thotë Foto Prifti.
Shtëpitë janë në masë monumente kulture të kategorisë së parë. Çdonjëra prej tyre ka historinë e saj. Fillimet i kanë që në vitet 1801, e shumë të tjera edhe në 1850 e më pas. E megjithatë, askush nuk ka ardhur t’i restaurojë, apo të ndihmojë qoftë edhe me diçka të vogël, familjet që ende jetojnë në këto shtëpi, siç është rasti i Çuçajve që thonë se u dergjën në premtime boshe pafund.
“Më ra tavani, kështu që vajta mora borxh te shokët e te miqtë që kisha për të hapur shtëpinë. Më shumë më ndihmoi vëllai im, që ishte doktor e që tani nuk rron më. Ai më ndihmoi, më dha gjysmat e lekëve, gjysmat e tjera i mora nëpër shok e nëpër miq, duke shtuar edhe ato pak që kisha vet, dhe e rregullova”, thotë Vasil Çuçi.
Këllëzi, fshat tjetër i Lunxhërisë, është vetëm pak më tej, por gjendja edhe këtu nuk ndryshon. Është e çuditshme sesi janë lënë në braktisje të plotë fshatra kaq të mbarë, me njerëz punëtorë e të njohur në histori për patriotizmin e tyre.
“Po Këllëzi, si të gjithë fshatrat e tjerë. Në emigracion kanë ikur njerëzit. Ka rreth 100 frymë, rreth 25-30 shtëpi. Pak moshë të re”, thotë Vasil Puleri.
Jo larg nga Këllëzi janë marrë edhe gurët e zinj, me të cilët janë ndërtuar shtëpitë e mëdha të zonës. Dikur, sepse sot kohët kanë ndryshuar. Të rinjtë ikin, duke lënë pas veç kujtime, asgjë tjetër.
“Më theu një lopë këmbën atje në pyll, me kë ta merrja e ta sillja? Mbeti lopa në pyll ndonjë javë. Më në fund e morën disa djem e disa pleq, me të mbledhur nga fshatrat e tjerë nga një e nga dy, sepse këtu s’kishte njeri”, thotë Thoma Kushta.
Lunxhëria dikur kishte një bujqësi të zhvilluar, duke arritur edhe të eksportonte prodhimet e saj jashtë vendit, ashtu si vreshtarinë e blegtorinë, që sot shumë të reduktuara përbëjnë të vetmet mundësi që kanë banorët e mbetur.
Stacioni i fundit do të jetë i famshmi, fshati Qestorat. Vendi ku u lind një patriot i madh si Koto Hoxhi, mësues e prijës i shumë prej figurave qendrore patriotike shqiptare, por nga ku vjen edhe Jorgo Zografi, renegati që organizoi autonominë e të ashtuquajturit nga grekët Vorio Epir në 1914.
Busti i Koto Hoxhit është aty. I thyer disa herë nga njerëz të paidentifikuar, për rregullimin e tij kanë menduar vet ata, disa banorë të fshatit, askush tjetër. Pas, shkolla e dikurshme greke e hapur nga Zografët. Sipas disa banorëve, për të kanë ardhur e janë interesuar vitet e fundit jo pak zyrtarë grekë.
“Ka ardhje të shpeshta të titullarëve të institucioneve të akredituara në Shqipëri. Vijnë e bëjnë vizitë këtu në shesh, ku ndodhet busti. Qëllimi i tyre për atë punë është…”, thotë Aleksandër Basho.
“Më shumë janë interesuar grekët, të them të drejtën, për Kristaq efendinë edhe për shkollën. Ata thoshin se këtu është Vorio Epir, politikë hesapi, kurse për Koto Hoxhin, jo mor jo, nuk interesohet njeri”, thotë Nesto Papa.
Shumë të tjerë nuk duan të flasin, por pranojnë nën zë se është përhapur një fjalë, që mesa duket kërkon fillimisht të testojë reagimin e banorëve mbi vënien e bustit të Zografëve në Qestorat. Në fakt, edhe gjatë procesit të debatit për ndarjen e re territoriale, me mbështetjen edhe të pushtetit lokal të para pak kohësh, zyrtarët grekë kërkuan shpalljen edhe të Lunxhërisë si zonë minoritare, çfarë u kundërshtua fort, në radhë të parë nga banorët,siç ata na thonë.
E megjithatë, mjafton të ecësh pak më tej, për të kuptuar sa dhimbshëm është katandisur sot shtëpia e dikurshme e Koto Hoxhit. E tillë është mënyra sesi respektohen figura të tilla…
Sot kjo zonë, që përfshin edhe shumë fshatra të tjerë, ka humbur gjallërinë e saj, edhe pse mundësitë i ka të jashtëzakonshme. E në këto kushte, askush nuk duhet të habitet, që zyrtarë grekë zbresin edhe këtej e hedhin farën e përçarjes. Tentojnë të rikthejnë Zografon, sa kohë shteti shqiptar nuk arrin të ruajë e respektojë siç duhet, Koto Hoxhin e të gjithë figurat e tjera të Lunxhërisë: Pandeli Sotiri në Selckë, Petro Poga në Erind e Urani Rumbo në Stegopul. Katër figura, që sot janë lënë krejtësisht në harresë, ashtu si Lunxhëria, që kërkon e meriton shumë më shumë./Top Channel