Nga Roland Qafoku
Kazani i dhunës në familje, arriti pikën e vlimit më 31 gusht, me vrasjen makabre të gjyqtares, Fildes Hafizi, nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasëmi. Trajtuar si dukuri që ndodh në periferi të shoqërisë sonë, dhuna në familje u bë vërtetë shqetësim i shtetit, por kurrë nuk është parë si fenomen gjeneral që ndodh në çdo qelizë dhe kapilar të shoqërisë sonë, pa bërë asnjë përjashtim. Dhuna në familje është trajtuar si pjesë e shtresës në nevojë, shtresës më të varfër, të papunëve dhe të një kategorie me status të ulët social. Por, në fakt, alteregoja e Fildesit-viktimë dhe e Fadilit-autor, rezulton të ndodhet kudo, në mbarë Shqipërinë. Në një formë apo tjetër, fildesët dhe fadilët ndodhen në rrugë, nëpër shtëpitë e shqiptarëve, në zyrat e shtetit, ndodhen në polici, prokurori, gjykata dhe deri në median shqiptare. Shifrat nuk janë, thjesht, alarmante. Ato pasqyrojnë sa lehtësisht, e zhdëp në dru gruan e vet, një burrë, – sa herë të dojë dhe si të dojë; se si një burrë e gjen zgjidhjen, teksa ish-gruaja nuk e lejon të takojë fëmijët, duke e vrarë atë; si një djalë rreh të atin dhe të ëmën, se nuk i japin pará; si mbesa e nipër rrahin gjyshërit apo edhe i vrasin, për t’u marrë pasurinë. Vetëm nga të dhënat në Gjykatën e Tiranës, nga janari deri në gusht të këtij viti, janë kërkuar nga prokuroria 673 urdhra mbrojtjeje. Nga këto, gjykata ka pranuar 137 dhe pjesa e mbetur është refuzuar dhe pushuar si çështje. Shifrat vazhdojnë të jenë edhe më të rënda. Nga janari në qershor të vitit 2016, janë regjistruar 195 konflikte me dhunë në familje, prej të cilave 66 autorë janë arrestuar, 12 janë në kërkim dhe 260 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë. Ndërsa për të njëjtën periudhë në vitin aktual, janë regjistruar 254 konflikte me dhunë në familje – nga të cilat 318 të proceduar në gjendje të lirë dhe 10 në kërkim. Në fakt, këto nuk janë thjesht shifra, por klithma se ku po shkon shoqëria jonë dhe se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë tregon mungesë qytetarie dhe një mentalitet kriminal linear.
Por, si e zgjidh situatën shoqëria dhe shteti ynë, kur një polic duhet të mbrojë një grua nga dhuna e burrit të saj, ndërsa vetë polici është dhunues i gruas së tij?
Si i zgjidh shteti dhe shoqëria jonë, rastet kur një politikan, deputet, ministër, i duhet të hartojë ligje të forta për dhunën në familje dhe vetë ai është apo ka qenë dhunues i gruas, ka braktisur fëmijët, gënjen për të ardhurat dhe nuk paguan detyrimet?
Si e zgjidh shteti dhe shoqëria jonë, kur një gazetar apo një përfaqësues i shoqërisë civile i duhet të denoncojë publikisht dhunën në familje, ndërsa rezulton se, edhe vetë ai, është autor i kësaj dhune në familjen e tij?
Si e zgjidh shoqëria jonë çështjen, kur një prokuror apo gjykatës duhet të hetojë dhe gjykojë një proces penal për dhunën në familje, ndërsa edhe ai vetë është dhunues i familjes së vet?
Jam i bindur që, nëse polici, prokurori, gjykatësi, politikani, deputeti, ministri, gazetari, nuk do të ishin pjesë e dhunës në familjet e tyre, atëherë edhe shoqëria jonë do t’i kishte minimale rastet e dhunës.
Por, ta themi troç! Dhuna në familje është bërë aq normale, sa rastet e përditshme që raportohen në media, nuk bëjnë më përshtypje.
Prandaj, gra si e gjora Fildes, ka shumë në Shqipëri, por më shumë akoma ka si bashkëshorti i saj, Fadil Kasëmi. Si ai ka shumë, në shumë familje, në çdo institucion dhe çdo qelizë të shoqërisë sonë.
Duket si lehtësim që, më në fund, Fadil Kasëmi do të qëndrojë shumë vite në qeli, për të mos thënë që mund ta kalojë pjesën e mbetur në jetës atje. Por, kjo shoqëri ku do shkojë? A mori fund dhuna në familje, pse disa aktivistë facebook-u i bënë namin kriminelit? E kam shkruar edhe më parë: Në karrierën time si gazetar, më kanë bërë përshtypje mjaft krime të rënda. Një pjesë të tyre, dikur, si gazetar i kronikës së zezë, i kam përjetuar njerëzisht keq. Por kam përjetuar më keq akoma, kur për çdo vrasës, fqinjët, banorët e lagjes, të fshatit dhe qytetit, njëzëri thoshin “të varet në litar”, “T’i pritet mishi copa-copa” e të tjera makabritete si këto. Për mua, kjo ka qenë dhe është më e rëndë se vetë krimi. Edhe në rastin e Fildesit, – Fadili është thjesht një kriminel që vrau mamanë e fëmijëve të vet, ndërsa masakruesit e tij janë problemi i shoqërisë. Për një krim të ndodhur, këta masakrues nuk predikojnë paqen, nuk japin zgjidhje dhe modele, por manifestojnë dhunë akoma dhe më të rëndë se e Fadilit. Mendoj se, një mentalitet viral kriminal, pas një krimi të rëndë, është më i rëndë se vetë krimi.
Sa për urdhrat e mbrojtjes, e pamë eficiencën e tyre, edhe me rastin e Fildesit. Duhet ta themi troç, përsëri, se edhe teorikisht urdhrat e mbrojtjes janë të pazbatueshëm e jo më t’i diskutojmë në praktikë. Një inspektor zone në Shqipëri, mesatarisht, mbulon rreth 20 mijë banorë. Imagjinoni, çdo inspektor të mbrojë çdo grua që ndjehet e dhunuar nga burri i saj. Kjo është sa qesharake aq edhe dështake si procedurë. Ne, kurrë, nuk mund t’i varim në qafë policisë çdo mëkat të shoqërisë. Policinë e bëjmë përgjegjës për krimin, drogën, trafiqet dhe, pasi i qamë me lot luftën ndaj tyre, tani e kemi të lehtë të themi: Ku ishte policia, në kohën kur Fadil Kasëmi ekzekutoi gruan e tij e cila, dikur, ishte dashuria e jetës? Imagjinoni sikur në momentin kur Fadil Kasëmi, me armë në dorë, iu afrua makinës së Fildesit për ta vrarë dhe befas, aty, të dilte inspektori i zonës dhe t’i drejtohej Fadilit me një pistoletë në dorë, me urdhrin “duart lart”. Ta çarmatoste dhe të parandalonte një vrasje. Jo, njerëz! Këto lloj hamendësimesh dhe fantazirash janë sa tragjike aq edhe qesharake. Fildesi u vra nga Fadili se, në Shqipëri, kur një burrë vret një grua, është bërë më tepër se normale. Fildesin, në radhë të parë, e ka vrarë shoqëria jonë, pastaj e vrau burri. Kur dhuna në familje është bërë si pjesë më se normale e jetës, atëherë, si mund të kërkohet mbrojtja e jetës së saj nga një polic? Qesharakja e shoqërisë dhe e shtetit tonë, vijoi edhe një ditë pas ekzekutimit të Fildesit. Policia arrestoi disa burra brenda pak orëve. Denoncimet për ta kishin kohë që ishin depozituar. Po, a mbaron dhuna në familjen shqiptare se u futën në burg një burrë nga Kamza, një tjetër nga Bathorja dhe tjetri nga Bregu i Lumit? Kurrën e kurrës! Kur në burg të futet ai polic, prokuror, gjykatës, gazetar a politikan, që ka ushtruar dhunë në familjen e vet, atëherë dhe vetëm atëherë, duhet të na shkojnë nëpër mend se lufta ndaj dhunës në familje në Shqipëri, ka nisur të fitohet. Në të kundërt, shoqëria jonë do të prodhojë fildesë dhe fadilë pa fund. Ky është dhe mbetet dëshpërimi i shoqërisë sonë.
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”