Nga Bedri Islami
Për fat, historia e ndërtimit të një shteti apo rrugëtimi i një burrështetasi, nuk është njëkohësisht edhe historia e ardhur nga analistët dhe e të papriturave të karrierave të tyre, por Historia e Shpirtit vendosur në këmbët e atyre që të kanë besuar për të bërë shtetin, ose qoftë, si ndodh shpesh, të ringresh disa pjesë nga gërmadhat që të kanë lënë paraardhësit.
Nuk e kam takuar kurrë Kim Mehmetin, shkrimtarin dhe analistin nga viset shqiptare në Maqedoni, dhe, të jem i sinqertë, më shumë e kam njohur fillimisht nga analizat, nga pjesët e debatit ku ishte i pranishëm, se sa nga letërsia e tij e mirëfilltë. Ndodh edhe kështu: prijëtare në një njohje të largët bëhet një libër, një analizë, një temë e shtjelluar, e më pas i kthehesh asaj që ka shkruar në vite, si shenjë e pjekurisë artistike e njerëzore.
Do të kisha dashur ta takoja dhe të flisnim për letërsinë dhe, sidomos, për mikun tim dhe “armikun e tij”, Ali Ahmeti, dishepull i të cilit ishte dikur dhe shndërrimi në një kundërshtar pasionant, çka nuk e ka bërë kaq furishëm as partiza që Kim Mehmeti përkrah, “Besa”.
Në fund të fundit, vetë historia e njohjeve kalon përmes disa caqeve që nuk i cikasim dot.
Unë i takoj atyre njerëzve që jam i mrekulluar nga fakti se analistë shqiptarë të viseve jashtë Shqipërisë londineze nuk gjejnë rehati në shpirtin e tyre për çka ndodh brenda këtij territori të cunguar dhe ku natyrshëm e kanë vendin e tyre. As më shkon në mendje t’i them askujt, aq më pak Kim Mehmetit, “hajt, shiko punët tua, shiko se çka po ndodh në atë Maqedoninë tënde”, sepse e drejta e tij njerëzore është të jetë i pranishëm ku flitet shqip dhe ku mund të dëgjohet kënaqshëm, e pastaj, së fundi, askush, as Edi Rama, as Berisha, as Thaçi e as analistët, si në këtë rast Kim Mehmeti, nuk është zot i një pjese shqiptare që t’i themi a të mendojmë, “shko në pjesën tënde”.
Dua të besoj se Kim Mehmeti e ndjen veten natyrshëm shqiptar, por nuk flet natyrshëm si një shqiptar jashtë mllefeve dhe mërive, qofshin ato edhe vetëm politike.
DITA dhe gazetarja Entela Resuli bënë një gjë të shkëlqyer që sollën në faqet e gazetës një intervistë të një figure të njohur, më shumë analitike dhe gjysëm politike, se sa letrare e artistike. Jo nga faji i tij dhe jo nga cilësia e librave të tij, të paktë janë ato që e kanë lexuar dhe krijuesit mund të ngushëllohen me faktin se gjithkush sot pak po lexohet në trevat shqiptare.
E drejta e Kim Mehmetit për të sjellë mendimin e tij politik mbi ngrehinën politike shqiptare është e natyrshme, jetësore dhe e mirëpritur. Por kjo, askërkund e as sot, nuk ndalon njeri të bëjë diferencën mes mllefit politik të një autori dhe të vërtetës që nuk është aq e zezë dhe që në fakt, nuk është as aq e bardhë sa e kemi pritur.
Ne, si e ka përcaktuar saktë Moikom Zeqo, njëra ndër figurat më madhore të letërsisë dhe mendimit filozofik shqiptar, kemi një klasë parapolitike, e cila as nuk velet nga pushteti dhe as nuk ndalon së pasuruari marramendshëm shpejt, duke u kthyer në një fat të prapshtë për vendin.
Kim Mehmeti shkon edhe më tej; ai e përcakton këtë klasë politike, tek e cila veçon vetëm një njeri. Edi Ramën, si një lubi politike, e cila sundon mbi popullin, i merr frymën atij dhe e detyron të jetojë mjerimin e tij. Veçimi i Ramës, jo vetëm si shefi i qeverisë, por edhe tek vetitë apo negativitetet njerëzore, bërë me kaq pasion nga Kim Mehmeti, si nga një majë olimpike dhe si nj njeri që nuk e njeh asfare të shkuarën e afërt, më shumë se mendimi i analistit serioz është sugjerimi pasionant politik, edhe përtej vetes, edhe tej e për tej së vërtetës.
Ramën mund ta duash ose jo, të jesh pasues i tij ose të mos jesh, të biesh nën tutelën e mendimit të tij ose të jesh jashtë saj, ta përkrahësh ose të jesh ashpër kundër tij, ta madhërosh çka nuk është e saktë apo ta hedhësh në baltë çka është përtej së saktës, por nuk mund t’i hedhësh mbi kurrizin e tij gjithë baltën që është krijuar, gjithë të keqen që asnjë burrë shteti nuk do të mund ta hiqte dot në vetëm pak vite.
Kim Mehmeti, dikur pasues i Ramës, ose më saktë, njëri ndër përkrahësit e tij të mençur, nuk mund të bëjë të paditurin e asaj që ka mbrojtur deri para pak vitesh; ai nuk mund të mos e dijë se e keqja, edhe nëse sot është Rama, ka disa emra para tij, të cilët, jo vetëm në hungërimën politike, por edhe në atë çka bënë, lanë pas vetes mjerim e gjak.
Të nisesh nga një njeri, qoftë edhe shefi i qeverisë së sotme, për të ndjellë gjithë të keqen mbi fatet e një kombi, do të thotë të heqësh petkun modern të analistit serioz dhe të veshësh çitjanet e politikës që edhe kështu, ka mjaft çitjanxhijë.
Shqiptari, ndryshe nga europerëndimori nuk identifikohet ende me shtetin. Kjo nuk ka të bëjë me memorjen e tij historike, por me të vërtetën se zakonisht qeveritë janë shumë më të këqija se sa populli që qeverisin.
Krijimi i kësaj mendësie dhe identifikimi nuk ka të bëjë me 5 vitet e qeverisjes së Ramës dhe as të Rilindjes, me të cilën, si duket, Mehmeti, i ka hedhur të gjitha urat, por me një përbashkësi mëkatesh politike, të cilat zunë fill edhe atëherë kur Rama nuk ishte në Shqipëri, edhe kur ai u bë ministër kulture, edhe kur drejtoi Bashkinë e Tiranës, por edhe tani.
Ideja e Ramës për të ngulitur idenë e shtetit si mjet identifikimi nuk është punë rrokatarësh, por punë që kërkon mundim Sizifi, sepse gjërat rrokullisen shpejt poshtë dhe duke rënë në theqafje, ata jo pak herë e kanë zanafillën nga keqdashja ose pengu i moskuptimit.
A nuk ka diçka të bardhë në këtë vend që i sjell nder edhe Kim Mehmetit? Sigurisht që po. Shqipëria nuk është ajo e mërgimtarëve që fëmijëve u flasin në gjuhë të huaj dhe që, megjithëse unë pushoj çdo vit në të njëjtin vend ku pushon edhe Mehmeti, në Velipojë, nuk kam dëgjuar kurrë që të ndodhë ashtu; nuk është as e një zaptimi të diellit dhe litarit që varet mbi përditshmërinë e analistëve më shumë se sa mbi fatet e njerëzve; shqiptarët nuk janë e nuk mund të jenë një popull i sunduar. Ata janë një popull i heshtur, por jo i sunduar. Ata, më mirë se ne të gjithë sëbashku, e dimë se nga dolëm, si erdhëm, çfarë hoqëm dhe bëjnë durimin, pa e nënshtruar veten.
Analistët nënshtrohen lehtësisht. Kimi nuk e ka fatin e nënshtrimit nga shefat kryeredaktorë, nga pagat e mëdha që jepen për të thënë atë që duan të thuash e as nga mëria. Por ai i nënshtrohet zezimit të një vendi që, edhe pse nuk ka atë që meriton të ketë, përsëri ka një nisje dhe do të ketë një cak.
Kim Mehmeti është shqiptar nga viset shqiptare në Maqedoni. Por, besoj , është po aq shkodran sa jam edhe unë e po aq drenicak sa është edhe Thaçi. Pra, mendoj, se i dhimbet gjithçka njëlloj dhe nuk dua të besoj se zemërimi i tij ndaj Ramës vjen edhe aq nga “fajet” e gabimet e Ramës, sa nga qëndrimi i tij ndaj çështjes shqiptare në Maqedoni, ku spikasin lidhjet e tij me liderin e shqiptarëve të atjeshëm, Ali Ahmeti.
Në mos tjetër, në të gjithë këtë tollovi fajesh ndaj një ish miku të tij duhet të kishte gjetur momentin që të veçonte të vërtetën se në krijimin e kësaj qeverie që është sot, larg politikës së Gruevskit, ka pjesën e tij edhe qeveria Rama. Nuk dua të besoj se Kim Mehmeti është zemëruar pse u krijua një qeveri, e cila, edhe më shumë se ajo e Erdoganit, një pikë e dobët e Kimit, po bën për shqiptarët dhe se koalicioni i tashëm është larg të djeshmit, në të cilën prania e BDI-së ka qenë e domosdoshme. Nuk më shkon mendja të dyshoj se ai nuk e përkrah qëndrimin e qeverisë shqiptare në përballjet e saj me politikën e Beogradit dhe në shpalosjen e një qëndrimi publik, tepër të hapur e të qartë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe domosdoshmërinë e njohjes së tij nga Beogradi.
Edi Rama ka fajet e gabimet e tij, të cilat i dinë më mirë ato që kanë më të rënduara supet sot se sa dje. Por, e ka një fillim dhe në këtë fillim mund të mbështeten shpresa për një dalje ndryshe nga qorrsokaku ku e kanë shpënë shtetin sundimtarët e 28 viteve të fundit. Kimi nuk ka se shkon aq larg në krahasimin e Edi Ramës me Enver Hoxhën, kur ka krahasime më të afërta, më të prekshme dhe më të njohura edhe nga të rinjtë e sotëm.
E di Kim Mehmeti pse ikin të rinjtë dhe pse kanë ikur edhe kur kanë qeverisur të tjerë para Edi Ramës? Ndoshta nuk e di eksodin e madh të vitit 1997, kur njerëzit mbyteshin në detra për të ikur nga regjimi i Berishës, kur nga depot e hapura dolën lëndët vrasëse që i kushtuan këtij vendi 4 mijë jetë të rinjsh e të rejave dhe krimi vazhdon edhe sot e kësaj dite?
Kim Mehmeti është njëri ndër njerëzit më të lexuar në trojet shqiptare. Është njeri i letrave, i fjalës dhe i mendimit. Ai e ndjek politikën shqiptare si e mendon vetë dhe ka gjithë të drejtën e botës të jetë kundër politikës së Edi Ramës, së Ali Ahmetit apo Hashim Thaçit. Mund të hamendësojë dhe të ngrejë pikëpyetjet e tij.
Por, një analist e njeri i lexuar, duke rënë në të njëjtin batak krahasimesh si të Sali Berishës nuk sjell vetëm reminishencë mendimi apo edhe varfëri të skajueshme në të vërtetën e duhur. Kim Mehmeti, ashtu si Berisha, janë partizanë të mendimit se “një artist i dështuar, nuk mund të jetë një qeverisës i mirë”, por këtë njeri, këtë artist, dikur e keni përkrahur për të ardhur në pushtet; ia keni njohur të mirat dhe dobësitë, ia keni ditur se çfarë ka bërë si drejtuesi më jetëgjatë i Bashkisë së Tiranës dhe çfarë mund të kishte bërë edhe më tej; e dini se shpesh herë ai është mes gorillave të politikës, fjalët e të cilëve, kur përsëriten nga ju, nuk janë në vlerën e së vërtetës.
Edi Rama është vërtet një njeri i kënaqur me veten, por më shumë nga gjithë të tjerët, më të pakënaqurit me të janë ish shokët e miqtë e tij, ata që ishin, si thonë Kim Mehmeti, në një kazan, nga i cili, pasi ai ka dalë, të tjerët, brenda tij, vlojnë, gumëzhijnë, trimërohen nga njëri tjetri dhe zezojnë. Nëse në Shqipëri kemi analistë, të cilët deri tani nuk kanë një libër të botuar dhe që njihen si kolonë fitimprurëse, Kim Mehmeti as nuk e ka vendin këtu e as nuk ia lejoj vetes të mendoj kështu. Një njeri i ditur nuk ka pse bëhet pjesë e një mendimi vulgar, sharlatan dhe të limituar në vlerë dhe në ide.
Kur Kim Mehmeti shkoi në çadrën e Bashës, gëzohem që e ka takuar vetëm një herë në jetë dhe nuk ka pse e takon – sepse nuk mund të mësoje i dituri nga një mendjehu, e ndoqa me vëmendje dhe nuk më erdhi rëndë pse ishte atje. Sa më shumë njerëz të mençur të jenë në një foltore opozitare, aq më mirë është për vendin. As nuk më shkoi mendja të them se “u shit edhe ky”. Ai është analist, njeri serioz, i lexuar, dhe ka zgjedhur rrugën e tij të jetë opozitar i përhershëm. Megjithëse vetëm me libër shtëpie, si Berisha, nuk iu vërsul Edi Ramës dhe gjeti gjithë të këqijat e botës tek ai, përsëri nuk mund të merrte në mbrojtje një opozitë që është edhe sot e kësaj dite fillesa dhe ngrehina e së keqes në Shqipëri. Nuk mund ta merrte në mbrojtje, pasi edhe ai, pavarësisht se ishte shkurtimisht në një çadër politike, e di se është miell i prishur, nga ajo farë e mykur që si grami i keq u përhap disa kohësh në të gjitha trojet.
Nuk e di se si do të reagojë Rama pas kritikës së ashpër të Kim Mehmetit; njeriu, edhe kur është shef qeverie zemërohet më shumë me njerëzit që i ka pasur afër; por, jam i bindur se nuk do të ndodhë kurrë si mund të kishte ndodhur nëse pushteti do të ishte berishian dhe Kimi do të shpaloste gjithë këtë mllef më tepër se politik ndaj tij. Ai, si ndodhi me Profesor Rexhep Qosja, do të ishte shpallur i padëshirueshëm në Shqipëri, do të ishte etikuar si njeri i shërbimit sekret maqedonas, do i ishte thënë se “si është e mundur që u bë gjithë ajo luftë në Maqedoni dhe një nacionalist kaq i thekur nuk u prek nga shërbimi sekret serb”, do të ishte ndaluar të bënte pushimet në Shqipëri dhe ndaj Kim Mehmetit do të kishin sulur analistë dhe një deputet fierak që është i zoti i gojës.
Kim Mehmeti e ka zgjedhur prej kohësh rrugën e tij dhe askush nuk ka të drejtën e gjykimit të tij. Ai , si thotë vetë, është në moshën, kohën dhe aftësinë, për të gjykuar mbi gjërat dhe shpesh herë gjykon më drejtë se të tjerët. Këtë rrugë ka zgjedhur.
Ashtu si ka zgjedhur rrugën tjetër për të qenë një përkrahës i lëvizjes erdoganiste në Maqedoni apo përkrahës i hapur i partizës së krijuar fillimisht nga lëvizje islamike, “Besa”. “Po unë edhe jam islamist i pandreqshëm, ngaqë si shqiptar mysliman mburrem me çdo gjë që është pjesë e identiteti tim! Njësoj siç jam e do mbetem ‘proturk’ i përbetuar, ngaqë në Turqi jetojnë familjarë të mi dhe me miliona shqiptarë të tjerë! Pastaj unë jetoj sipas parimit se njeriu duhet të kujdeset për pastërtinë e tij njerëzore dhe nuk duhet të zhytet nëpër gropat septike të urrejtjes ndërfetare, e ku janë zhytur këta anti-islamistë të neveritshëm”, shprehet ai.
Gjithkush është në të drejtën e tij për të qenë ose jo pjesë e një mendimi politik. Por, mes një lëvizje radikale islamike dhe një bote tjetër, më perëndimore, kushdo do të kishte zgjedhur këtë të dytën. Edhe ai e ka zgjedhur me veprën e shkruar të tij.
DITA solli kësaj fund jave një mendimtar të njohur të letrave shqipe dhe analist i drejtpërdrejtë. Fakti që herë ka përzgjedhur të jetë mbështetës i Ali Ahmetit e më pas kundërshtar i mlleftë i tij; që herë ka zgjedhur të jetë përkrahës deri në skaj i Edi Ramës dhe më pas kundërshtar deri në mohim i tij, nuk ka të bëjë me jetën dhe veprën e tij. Uroj të mos bëjë të njëjtin faj edhe në liderët që mund të vijnë më pas.
Sepse askënd nuk mund të fajësosh për veten!
Besoj se edhe ashtu është kuptuar.