Nga Lorenc Vangjeli/
Popujt e vegjël, edhe dashurinë, edhe urrejtjen e kanë të madhe. Edhe kur merren me punë të vogla, madje. I kanë shpesh tërësisht të ekzagjeruara, si njërën ashtu dhe tjetrën, si një mjet e mënyrë për të kompesuar territorin e munguar, numrat e mangët apo komplekset e pafundme historike. Nëse kjo aksiomë ndodh që të jetë e vërtetë, në Ballkan ajo nuk do të kishte pothuaj fare nevojën e vërtetimit. Në Ballkan gjithçka merr përmasën e mitit, të ndeshjes për jetë a vdekje, për krenari të epërme dhe turp të pafundëm, njëlloj si të ishte sprova e fundme, qoftë atëherë kur bëhet fjalë për individë të së njëjtës gjuhë përballë njëri-tjetrit dhe aq më shumë kur bëhet fjalë për dy kombe që shpesh i kanë kthyer armët njëri-tjetrit. Ndeshja e futbollit me Serbinë nuk i shpëtoi steriotipit. U duk se nga fati i 90 minutave të saj do të varej që nga GDP-ja e secilit vend e deri tek e nesërmja e secilit individ të secilit vend. Por para fundit të javës, para dhe pas ndeshjes së fundit të kombëtares shqiptare, së paku në rast suksesi, e enjtja e disfatës do të jetë vetëm një statistikë. Sepse në rast se njëmbëdhjetshja KuqeZi merr vizat franceze për në evropian, askush nuk do të kujtojë dhembjen, por do të jetë pjesë e krenarisë. Dhe e gjitha kjo do të bëhet pjesë e irracionales para se të jetë pjesë dhe pronë e së shkuarës.
E enjtja e funtbollit të Elbasan Arenës përsëritet çdo javë në të enjten e Doktorit në parlament. Edhe atëherë kur kjo ditë e javës nuk kishte këtë shtesë të fortë njëlloj ka qenë. Në 25 vjet pluralizëm skena politike shqiptare i ka ngjarë pafund ndeshjes “finale” me serbët. Herë të djathtët dhe herë të majtët e saj kanë qenë serbët e urryer për një palë dhe shqiptarët heronj për palën tjetër. Janë ndeshur me njëra-tjerën me kaq urrejtje dhe tërbim sa dukej se nga fati vetjak i secilës betejë varej GDP-ja e secilit individ dhe e nesërmja e secilit individ të përfshirë në betejë. Qoftë si ai grusht fare i vogël aktorësh, qoftë si ajo arradhë e pafund dhe anonime spektatorësh.
Janë të pafundme orët e debateve, sherreve dhe tensioneve të transferuara në çdo familje shqiptare, është e pafundme energjia e derdhur dhe harxhuar për mustaqet e Çelove të politikës. Nëse cilido debat i 25 vjetëve pluralizëm do të shihej me qetësi, pakkush do të mundtte të kuptonte arsyen e vërtetë të tij. Thjesht do të dukej se Shqipëria do të ishte një vend, politikanët e të cilit drejtojnë një komb prej minimumi 100 milionë banorë dhe që minimumi është dhe fuqi bërthamore.
Po të shihej në mesditën e të enjtes Rama e Berisha në të njëjtën foltore në Kuvend, kush nuk i njihte të dy, kush nuk do të dinte sa të ndryshëm janë të dy, kush nuk do të dëgjonte se çfarë thoshin të dy, me siguri do të bindej se të dy ishin duke ndarë brigjet e Rubikonit. Njëri asaj ane, tjetri anës tjetër. Në fakt po ndanin kohën disa minutëshe për të thënë secili të vërtetën e tij. E cila natyrisht nuk ishte një kapitull i zbuluar rishtaz i Librave të Shenjtë. Ishte vetëm një kapitull i rradhës për ndeshjen e rradhës, por pa viktima të rradhës. Deri të enjten tjetër gjithçka harrohet. Edhe dashuria ekstreme, edhe urrejtja ekstreme. Aradhat e pafundme dhe anonime të spektatorëve të ndeshjes epike në politikën shqiptare do të vazhdojnë të duan dhe përçmojnë po njëlloj. Sepse pako gjë ndryshon nga enjtja në të enjte. Do të bëhet më mirë vetëm nëse të dielën meritojmë biletat për në Francë. Aty ku më shumë se për qejf të shqiptarëve, duhet të shkojmë për inat të serbëve. Edhe pse përveç minitrave, nëse perifrazohet kryeministri, secili shqiptar ka pak serb të urryer brenda. I pari që duhet të “vritet” që të shpëtojë pjesa tjetër e tij tërësisht autoktone edhe shqiptare, edhe ballkanase.