Nga Alfred Moisiu
Emri i Aleksandër Moisiut është i njohur për shqiptarët prej shumë kohësh, por shumë pak është bërë këtu në vendin tonë për ta njohur këtë figurë të madhe, me origjinë shqiptare, në brendësi dhe në madhësi të saj, aq më shumë për ta përjetësuar dhe pasqyruar aktivitetin e jetës së tij. Ky është qëllimi kryesor i Fondacionit “MOISIU” në bashkëpunim me pushtetin vendor të qytetit të Kavajës dhe në përpjekjet tona për të inkluduar këtu edhe organet e kulturës shqiptare. Për fat të keq pak është arritur deri tani. Në vitin 2016 Fondacioni, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit dhe Shtëpinë Botuese Argeta-LGM, arriti të organizojë një ekspozitë dedikuar kësaj figure. Ndërsa vitin e kaluar në Shkodër, me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe bashkisë së qytetit, u hap ekspozita e hulumtuesit të apasionuar e të njohur të kësaj figure Pjetër Logoreci. Kjo ekspozitë është rënë dakord që në kuadrin e kujtimit të përvjetorit të lindjes së këtij artisti të madh me famë botërore dhe me gjak shqiptari, në një të ardhme të afërt të hapet edhe në ambjentet e COD pranë Kryeministrisë. Përveç këtyre janë bërë përpjekje nga ana e Fondacionit dhe Bashkisë së qytetit për të ndërtuar një muze modern për Moisiun në Kavajë, por deri tani jemi ende në fazën fillestare dhe të fjalëve.
Famën për Moisiun nuk mund ta shpikim dhe ta reklamojmë ne, ai këtë e ka arritur në kohën e tij dhe më vonë, me punën dhe talentin e madh të tij. Ne na mbetet veç t’i themi botës që ai ka qenë me gjak shqiptari dhe ta nderojmë, por nuk e kuptojmë pse deri tani nga Ministrat e Kulturës së këtij vendi shohim vetëm indiferentizëm. Moisiu ishte një nga interpretuesit më të shkëlqyer të Hamletit të Shekspirit, pikërisht kjo na shtyu që në vitin 2016 , vitin e shkrimtarit të madh anglez William Shekspir ta kujtonim edhe veprimtarinë e Aleksandrit.
Janë bërë edhe më parë aktivitete të ndryshme, që kanë përkujtuar figurën dhe aktivitetin e këtij artisti të madh, por jo në vazhdimësi. Shumë rrugë dhe institucione janë emërtuar me emrin e tij në vendin tonë, disa prej të cilave me kalimin e kohës, si pa vënë re janë hequr dhe pakësuar. E kështu me radhë. Në Vienë, një rrugë pranë Danubit i është vënë emri i Moisiut. Në një lulishte pranë saj, në vitin 2005, gjatë vizitës time zyrtare në Austri, është vendosur busti i Aleksandër Moisiut, vepër e skulptorit shqiptar Qazim Kërtusha. Mbi jetën dhe veprimtarinë e tij janë botuar disa libra nga autorë dhe studiues shqiptarë si: Vafsi Seamini ( që në kohën e mbretërisë), i cili është i pari që ka shkruar dhe botuar mbi këtë figurë; Selman Vaqarri pas çlirimit në vitin 1957; Bardhyl Kosova; Vangjel Moisiu i cili ka bërë një hulumtim shumë të gjerë mbi Aleksandrin, që përveç se librave në shqip, libri i fundit është botuar në gjuhën angleze dhe italiane, mbështetur nga UNESCO. Nga botues të huaj libri i parë është shkruar nga Hans Bohm, botuar në Berlin në vitin 1927 dhe nga Rudiger Schaper në vitin 2000 në Berlin, që është përkthyer edhe në shqip.
Tashmë është e njohur nga të gjithë se Aleksandrin janë përpjekur ta privatizojnë shumë shtete europiane. Italia i dha edhe nënshtetësi në momentet e fundit të jetës së tij.
Nënshtetësinë shqiptar, Mbretëria Shqiptare ja kishte dhënë, sipas kërkesës së tij, që në vitin 1934. Por sikurse është zbuluar nga dokumentat e hershëm, rezulton që edhe Princ Vidi ia kishte dhënë dokumentin e nënshtetësisë shqiptare që në vitin 1914, po me kërkesën e tij. Këtë e ka thënë vetë Aleksandri në një intervistë të tij. Por është shumë domethënëse një deklaratë e Moisiut, ku ai thotë: “Gjaku im i përket origjinës shqiptare dhe origjina është ajo që thotë fjalën e fundit. T’i shikosh shqiptarët në jetë, duken si njerëz shumë të qetë, por gjithë ajo qetësi shndërrohet në fuqi luani, e s’ka zot që i mban nëse dikush i prek në sedër dhe në të drejtat e tyre”.
Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste me 2 prill 1879 dhe vdiq në vitin 1935 në Vienë, në moshën 56 vjeçare. E kishte lënë me gojë që të varrosej në Markote të Zvicrës, afër qytetit Lugano. Aty është varrosur më vonë edhe bashkëshortja e tij Johana Tervin.
Babai i tij Konstandin Moisiu është i biri Themistokliut nga Kavaja. Themistokli Moisiu, përveç babait të Aleksandrit kishte edhe një djalë tjetër Grigorin, nga i cili rrjedh dega e pjesës tjetër të Moisive të Kavajës.
Në moshën 19 vjeçare shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kainc ju përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si kompars (aktorë që luajnë rol të vogël) në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Europës, Amerikës Veriore dhe në Argjentinë.
Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës europiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë” e të tjera.
Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 11 produksione të filmave, 9 prej tyre ishin filma pa zë, ndërsa dy ishin me zë. Për të parë sesi e ka vlerësuar kultura botërore kujtimin e Aleksandër Moisiut po përmend fjalët e paharruara të shkrimtarit të madh Stefan Cvajg të thëna në ceremoninë funebre të Moisiut: “Le ta rikujtojmë pra në këtë çast me shpirt vllazëror. Ta mbajmë fjalën që tek ai nuk mund të arrijë, për të dëgjuar akoma në qetësinë e zemrës, zërin e tij, për të riparë edhe njëherë secili prej nesh në shpirt me shikim të brendshëm, figurën e tij të dashur. Atëherë nuk do të jetë i braktisur në vdekjen e tij, nuk do të jetë i humbur, por midis nesh, mik i dashur, figurë e pavdekshme, Aleksandër Moisiu, ylli i rinisë sonë, simbol i bukurisë në pamje e mendim, mik dhe shok të cilin e humbëm por që nuk duam ta humbim, Aleksandër Moisiun, artistin e madh të botës”.
Që Aleksandër Moisiu ka qenë një artist i përmasave botërore kjo dihet. Por e keqja është se deri tani Shqipëria, sidomos Kavaja, nuk kanë qenë në gjendje të ngrenë një muze, dedikuar
këtij kollosi të skenës botërore. Dhe ky është një turp i madh për shtetin shqiptar, për drejtuesit e pushtetit lokal të qytetit, për inteligjencën e qytetit tonë. Turp për të gjithë ne, por që duhet korigjuar sa më parë.
Shpesh më thonin se ku është muzeu i Aleksandrit, vihesha në vështirësi, por kjo është e vërteta. Kryeministrat shqiptarë me fjalë gjithmonë kanë qenë dakord për ta ngritur një muze, por në fakt asgjë nuk kanë bërë, përfshi edhe kryeministrin e sotëm, i cili edhe vetë është njeri i artit. Pa folur këtu për ministrat e kulturës që nuk e quajnë detyrë të tyre këtë punë.
Sot, Fondacioni “Moisiu”, edhe një herë, me rastin e 140 vjetorit të lindjes së tij (2 Prill 2019), po e ngre zërin për t’i kujtuar të gjithëve se duhet vepruar, për të përjetësuar këtë shqiptar të madh të artit, i cili asnjëherë jo vetëm nuk e vuri në diskutim origjinën e tij, por kudo që shkoi dhe luajti nëpër botë fliste dhe e ndjente veten krenar që ishte me gjak shqiptar.