Pasi mori dritën jeshile nga Kuvendi i Shqipërisë, Porti Turistik i Durrësit shumë shpejt pritet të nisë ndërtimin. Duke folur ekskluzivisht në “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, investitori Mohamed Alabbar thotë se fillimi i vitit të ardhshëm do të shënojë edhe hapat e parë për ndërtimin e projektit ambicioz.
“Është shpallur tenderi ynë i parë i ndërtimit. Kështu që të mos gabohem, presim që në rreth 4 javë të marrim çmimet e ofertës dhe pasi të kalojë kjo fazë, shpresoj që për një muaj e gjysmë apo dy muaj. të instalojmë vinçat dhe të fillojmë punën”, tha ai.
Për herë të parë, investitori arab zbulon detaje sesi do të duket kur të përfundojë ndërtimi i Portit Turistik të Durrësit, duke i kërkuar skeptikëve, t’i besojnë.
“Gjatë këtyre tre vjetëve kam negociuar për këtë projekt dhe me të vërtetë respektoj atë që po bën shkëlqesia e tij Edi Rama. Më pëlqen zemra e tij, mendon për popullin, i bën punët të pastra, premton dhe realizon pavarësisht presionit politik” , vijoi Alabbar.
Ai i jep fund edhe dyshimeve të hedhura nga politika se kujt i përkasin rreth 60 % e aksioneve, pas të cilave opozita dyshonte se fshihen përfitues qeveritar. Sa i takon përfitimeve që vendi ynë pritet të ketë nga ndërtimi i portit turistik të Durrësit, Alabbar thotë se projekte të tilla sjellin impakt në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto.
“Ne po flisnim më parë që do hapen rreth 40-50.000 vende të reja pune. Zakonisht, projekte të mëdha si ky duhet t’i shtojnë prodhimit të brendshëm bruto të qytetit rreth 4-5%. Studimet tona gjithmonë e tregojnë, por përsa i përket turizmit, është i jashtëzakonshëm. Fuqia punëtore do të jetë vendase”, tha ai.
Edhe shitjet e nisura, ende pa nisur ndërtimi, për Alabbar janë treguar se projekti do të jetë një nga më të jashtëzakonshmit që mbajnë vulën e tij.
2.1 miliard euro pritet të jetë kosto e transformimit të Portit të Durrës në investimin strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”. Në projekt, parashikohet ndërtimi i 280 vendeve ankorimi të jahteve, 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total. Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në Portin e Durrësit si dhe në Marinën e portit, që nga investimi, i kalon në pronësi kompanive. Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura dhe një gjatësi plazhi 700 metra.
Intervista e plotë
Sokol Balla: Kontakti i parë me Alabbar ishte krejtësisht i natyrshëm megjithëse i pazakontë. Ai afrohet dhe fillon një bisedë të lirë duke menduar se unë jam një person i interesuar për të blerë dhe jo gazetar.
Mohamed Alabbar: Pra, këto janë art i vërtetë, dhe këto gjëra dizenjohen nga specialistë. Mund të shkosh në gjithë dizajnërat e botës, dhe asnjë nuk i bën kështu. Dhe për ne trajtimi i gjithë skajeve, është si parajsa. Kontakti mes personit dhe ujit. Ajo është e gjitha. Si t’i sjellësh njerëzit më pranë tij. Për shembull, kjo është bërë qëllimisht. Në fillim ti qëndron larg, larg ujit. Pastaj kur ti vjen këtu dhe zbret një herë, dy herë dhe pastaj mund të zbresësh poshtë dhe të fusësh këmbët në ujë. Unë mendoj se është një marrëdhënie tepër kritike. E di që ne flasim për ndërtimin, por sinqerisht për ne ky është aspekti më i rëndësishëm. Për shembull, nëse fusim këto brenda, fillojmë të flasim për banjot. Dhe ne nuk duam që të ulesh atje dhe të ndjehesh në siklet për shkak se banja ndodhet larg teje.
Veçanërisht në plazh.
Po. Kjo është ajo ç’ka na pëlqen që të bëjmë. Jo për biznes, por ta shohësh si një artist. Kur artisti krijon një vepër arti, dhe kjo është një vepër arti. Për shembull, nëse vjen këtu dhe e shikon, thjesht shiko lartësinë e lugës në raport me dyshemenë. Kjo është bërë me qëllim, sepse këtu poshtë kemi nxjerrë dushet dhe banjot për gjithë këta njerëz këtu, që të mos rrinë me rërë këtu lart, duhet të zbresin për të bërë dush aty poshtë. Ky është një detaj i vogël por, nëse e dashuron vërtet punën që bën, atëherë krijon.
Po shoh detajet në veshjen tuaj, por mendoni se mund t’i realizoni ato edhe në projektin tuaj të madh?
Kjo është kaq e thjeshtë dhe e dini pse? Sepse jam arab. Dhe sinqerisht mendoj se kjo është ajo që më pëlqen të bëj. E kam seriozisht. Nuk ka lidhje me paratë. Patjetër që çdo projekt duhet të gjenerojë përfitim për të paguar stafin, bankat.
Por mendoj se është idiotësi të mendosh që kompania nuk do të nxjerrë fitim. Në fund të fundit nuk po punoni për bamirësi.
Por në të njëjtën kohë, nëse nuk realizon këto detaje, nuk ka shanse që të marrësh fitim. Nuk ka mënyrë tjetër. Përse ju shkon mendja, tek drita e detit? Drita e detit nuk është dritë, por vepër arti. Sinqerisht, nëse do shikoni këtë, është thjesht një vepër arti. Nuk është dritë. Ne nuk kemi nevojë për këtë. Por përse e veçojmë këtë gjë pak më shumë? Sepse është një shtojcë arti. Por jam i sigurt që ndërkohë që ndërtojmë, do të përmirësohemi, dhe siç e dini këtu kemi dhe portin e peshkimit.
Sa kohë do të zgjasë gjithë projekti?
Nuk mund të përgjigjem tani, por gjërat po ecin me shumë shpejtësi.
Po, më kanë thënë që ndërtesat e para do të realizohen për dy vjet?
Ndoshta më shpejt sepse kontraktorët mund të ndërtojnë më shpejt. Ne mund ta arrijmë këtë më shpejt sepse po mendojmë të transferohemi këtu. Unë besoj se me anijet e peshkimit do të krijojmë një jetë të mrekullueshme në zonën përreth. Do të kemi restorantet më të mrekullueshme, jetën e natës atmosferën e së cilës do ta sjellim nga deti në tryezë. Dhe në këtë mënyrë mund të krijojmë atë atmosferë që thjesht … kemi një fije këtu dhe pastaj na duhet të krijojmë një fije tjetër atje.
Mua më pëlqen të parkoj aty, një anije të vogël aty.
Pa dyshim. Me të vërtetë mendoj se do të jesh me fat të mund të kesh këtë dhunti dhe të kujdesesh për të. Dhe kjo është mënyra sesi ne e shohim.
Në fakt, e gjithë kjo do e zhdukë portin e vjetër.
Porti i vjetër luajti një rol të rëndësishëm. Mendoj se ai pati kohën e vet. E dha kontributin e tij për Shqipërinë. Tani kontributi është i një natyre tjetër. Ky port do të jetë një nga marinat më të mëdha të Mesdheut. Prandaj duhet që ta bëjmë mirë. Jam tepër i apasionuar dhe kam filluar të dizenjoj klubet. Mendoj se duhet të bëjmë dy klube marine, klube private me pishina, palestër, SPA dhe ndoshta mund të bëjmë dhe dy klube plazhi. Përsëri, mund të përdorni plazhin, mund të shkoni në spa dhe në restorante. Është mjaft interesante sepse nuk po flasim vetëm për apartamente, por për jetën.
Po. Në fakt, gjithmonë më ka pëlqyer kjo pjesë me këto ndërtesa të vjetra. Gjithmonë kam dashur të kem një apartament me pamje nga porti, sepse mendoj se është disi romantike, është sentimentale.
Edhe unë mendoj se duhet të blej një apartament, dhe e di pse? Sepse mund të ulem në ballkon dhe të shikoj sesi ndërtohet gjithçka. Si të duket? E kam seriozisht. Ose mund të blej një apartament me ballkon të mirë dhe të vendos dy apo tre kamera, ti lidh me telefonin tim në Dubai dhe të shikoj çdo gjë live. Është e mrekullueshme.
Në fakt projekti është shpallur dhe njerëzit e kanë pëlqyer shumë. Pa dyshim që dhe skepticizmi është i lartë, por ndoshta për arsye të kuptueshme.
Nuk ka problem. Është e drejta e tyre të jenë skeptikë. Por shpresoj që me kalimin e kohës t’u provojmë që jemi njerëz të mirë, që dëshirojmë t’i bëjmë gjërat mirë. Nëse ndodh që të bëjmë ndonjë gabim të vogël, do u kërkojmë ndjesë sepse edhe ne nuk jemi qenie perfekte. Por për ne është vërtet diçka shumë e çmuar që njerëzit të vijnë tek ne dhe të na besojnë. Sinqerisht, nëse më pyet mua, Muhamed çfarë ka më shumë vlerë për ty, do të të them që është besimi që njerëzit kanë tek ne. Dhe kjo është diçka nga e cila ne kurrë nuk kemi për të hequr dorë.
Në fakt ky është një projekt shumë i madh dhe duhet të bazohet në besim, dhe emri juaj shërben si garanci.
Është një nder i madh për mua. Herës tjetër dua të sjell dhe nënën time. Herën tjetër ajo duhet të vijë këtu dhe të shikojë djalin e saj të mbrapshtë, që kurrë nuk ndalet. Dhe më pas, do sjell edhe nipërit.
Je gjysh?
Po, unë kam dhjetë nipër. Jam me shumë fat! Jam 65 vjeç! Por ndoshta më duhen pak më shumë flokë.
Në fakt, patëm një bisedë shumë të këndshme përpara kamerave. Mund ta përdorim?
Sigurisht. Mund të bëni çfarë të doni. Unë ashtu flas edhe nëse do më kishit intervistuar. Unë nuk flas ndryshe.
Mendoni se duhet të blej një shtëpi kështu?
Do dëshiroja të kisha një për ty, por nuk kam asgjë (qesh)
Njerëzit nga Tirana janë shumë të lidhur me Durrësin. Në fakt, ne e konsiderojmë njëri tjetrin si nga një qytet të vetëm.
Më bëhet shumë qejfi. Por kryeministri më motivoi shumë kur më tha, Muhamed ti do t’ja dalësh mbanë, dhe kështu që unë dizenjova tre ndërtesa dhe dy garazhe, kështu që tani kemi gati dhe dy ndërtesa më tepër. Sidoqoftë, për mua pak rëndësi ka nëse janë dy apo tre ndërtesa më shumë. Mendoj se besimi i njerëzve është gjithçka. Vendi, qeveria dhe e ardhmja e Shqipërisë dhe besimi tek ne.
Siç ju thashë pak më pare, emri juaj është garanci, por shqiptarët përgjithësisht nuk kanë besim tek qeveria sepse janë zhgënjyer shumë herë në të kaluarën.
Nuk ka problem. Gjatë këtyre tre vjetëve kam negociuar për këtë projekt dhe me të vërtetë respektoj atë që po bën shkëlqesia e tij Edi Rama. Më pëlqen zemra e tij, mendon për popullin, i bën punët të pastra, premton dhe realizon pavarësisht presionit politik, dhe për këtë unë do e mbështes dhe do e realizoj diçka.
Në fakt, ju e keni vënë vetë veten nën presion. Shihni se çfarë po përpiqeni që t’u shisni njerëzve. Unë kam qenë në Dubai dhe Abu Dhabi, por kjo është diçka tjetër.
Dakord, por ajo që kemi bërë në Dubai është e vjetër. Kjo është diçka tërësisht e re. I ke parë modelet a apartamenteve tona këtu? Në Dubai nuk kemi bërë asgjë të tillë. Kjo është më e avancuar se në Dubai. Të betohem. Kjo është ndërtesa e re. Por është shpirti i dizajnit.
Më thoni pak për këtë.
Siç e dini ne jemi të rinj në këtë treg. Jemi të rinj për njerëzit në Shqipëri. Në 28 vitet e kaluara kemi mësuar disa gjëra dhe dëshirojmë që njerëzit të shohin shpirtin e mënyrës sonë të të menduarit. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme. Pra, ajo që ju do shikoni këtu është shpirti i mënyrës sesi ne dashurojmë jetën e bukur. Çdo detaj, vatra e zjarrit, makina klasike. Për shembull, kjo këtu për ne është një vepër arti. Kjo është një vepër e përfunduar arti që tregon sesi duhet të jetë një jeta e përmbushur.
Domethënë, me modesti po mundoheni që të impononi një ndjesi tjetër kulture, të të jetuarit
A nuk është kështu? Por, si mund të kemi një jetesë të bukur dhe komode? Dhe është kaq e thjeshtë për ta bërë nëse ke pasion dhe je i sinqertë. Në fakt, është punë e vështirë, por për ne është tepër zbavitëse. Tepër zbavitëse. Ne nuk e kemi për detyrë që ta bëjmë, por është thjesht shpirti.
E dini çfarë më pëlqen? Ajo që dua të them, sepse kam qenë nëpër vende të ndryshme arabe dhe madje edhe nëpër shtëpitë klasike të njerëzve të rëndësishëm por edhe qytetet kanë këto strukturat e rënda ndërsa këto është tjetër gjë! Ka ngjyra të thjeshta.
Këtu është tipike. Dhe ky është një korridor tipik i një prej ndërtesave tuaja. Por si mund ta pasurosh atë? Dhe nuk kushton shumë. Si mund ta pasurosh atë. Shikojeni pamjen e këtij korridori. Ju bën të thoni po vij në apartamentin tim apo në një hotel! Atëherë, mirësevini në hotelin tuaj, në hotelin tuaj luksoz.
Mos është pika juaj e suksesit, sepse në këndvështrimin tim, unë them gjithmonë që dua që shtëpia ime të jetë si një hotel me pesë yje?
Pikërisht. Do të më pëlqente që të kishit një këndvështrim të tillë kur ktheheni në shtëpi. Pse të mos jetoj në një hotel të bukur që nuk kushton shumë. Pse të mos e korrnizoj bukur hyrjen time dhe të vendos një dritë të bukur. Dakord, kjo do më kushtojë 100, 60 apo 50 dollarë, por mos u bëj koprac.
Në fakt, kushton më pak kur gjerat janë të thjeshta.
Dhe siç mund ta shihni, për ne aroma e ambientit është shumë e rëndësishme. E shihni aromën? Dhe mendoj se duhet t’ua ofrojmë gjithë njerëzve.
Kjo është diçka tipike arabe, por është e mirë që keni një ndjesi të fortë nuhatjeje dhe arome.
Në fakt unë kam jetuar për shmë vite në lindjen e largët. Por gjithsesi, nëse do të na duhej të bëjmë një… pse të mos i bëjmë gjerat reale? Pse duhet të bëjmë një kuzhinë të mërzitshme, pse të mos e bëjmë të vërtetë? Të më tregojë që ka jetë dhe gjallëri. Unë dua që kur të hysh brenda, të ndjesh që ke hyrë në një shtëpi të vërtetë dhe meqë ra fjala, kjo kërkon shumë planifikim. Më pëlqen të jetë e vërtetë, më pëlqen kur gjërat janë të vërteta. Tani, nëse ti më thua që jeton në një shtëpi shumë të madhe, mua do të më pëlqente të jetoja kështu.
Edhe mua më pëlqen këtu sepse është ambient i ngrohtë dhe i këndshëm. Dua të them, përse duhet të jetosh në një shtëpi e madhe? Që t’ua tregosh të tjerëve? Sepse në fund të fundit, hapësirat që ti zë ku ti jeton janë tepër të vogla.
E di çfarë? Njerëzit mendojnë se jam shumë i zgjuar, por nuk jam shumë i zgjuar. Unë thjesht kopjoj të tjerët. Dhe pastaj, kur shkon në Francë dhe ulesh në një tavolinë kaq të vogël dhe pi kafenë tënde, vaktin tënd dhe kafenë ekspres, dhe më pëlqen mënyra e tyre e të menduarit. U them shpesh njerëzve, nuk duhet të jeni të mëdhenj, duhet të jeni të bukur. Ja kjo është një banjë normale, nuk ka asnjë problem me këtë banjë. Por sa i respektuar mund të ndiheshe nëse do të shtonim një raft, të vendosnim dritë poshtë tij. Si mund t’i dizenjojmë këto detaje? Dhe meqë ra fjala, ne shpenzojmë kohë të konsiderueshme për dizenjimin e këtyre detajeve.
Dhe e bën projekti të duket sa me realist sepse kur e bën tepër luksoz, duket shumë fals.
Është e vërtetë. Pra, kjo është dhe ideja. Një vajzë e re jeton këtu, asaj i pëlqen violina dhe e ndjek shumë modën. Është vajzë që e ndjek shumë modën. I pëlqen të vishet bukur. E sheh? Kjo më pëlqen shumë! E di çfarë u them vajzave të mia kur dalin për të blerë? Më shumë, më shumë, më shumë. Ato mund të duken të vërteta. E shikon ç’po ndodh këtu? Ups … dikush jeton vërtetë këtu. Mendoj se nuk ka asgjë që lidhet me stilin dhe njerëzit janë të thjeshtë, shumë të thjeshtë. Asgjë. Por mendoj se na tregon sesi mund të jetojmë me të bukurën. Siç e thashë dhe më parë, pse duhet të shkoj në një hotel luksoz që të ndjej se jetoj. Kjo është shumë e thjeshtë.
Kjo është ana tjetër dhe njerëzit që më njohin mirë e dinë që unë them të vërtetën. Në fakt, edhe apartamentin tim e ndërtova si një hotel sepse na pëlqen kaq shumë kur dalim sepse shkojmë nëpër hotele.
Po, po. Ç’të keqe ka të kesh një dhomë të thjeshtë, si kjo këtu? Unë vishem këtu. Më thatë që ju pëlqen mënyra sesi vishem. Po bëj shaka [qesh]. Por, më pëlqen ideja … Eja dhe shiko pak këtu. Më pëlqen ideja që kam njerëz të mrekullueshëm që punojnë për mua. Ata vënë bizhuteritë, syzet e diellit, hedhin parfum.
Por e di çfarë më pëlqen? Lartësia. Ajri. Frymëmarrja. Ky apartament merr frymë. Ka shumë frymë, shumë oksigjen.
Dhe e di cila është ana pozitive? Ne gjithashtu dëgjojmë njerëzit. Ata vijnë dhe na tregojnë çfarë u pëlqen e çfarë nuk u pëlqen.
Po, por në këtë rast ju në fakt u impononi mënyrën sesi duhet të jetojnë. Vetëm në këtë ndërtesë.
Debatohet shumë mbi dizajnin e kuzhinave, të garderobës, dhe janë gjithashtu dhe njerëzit që duan të vendosin vetë kuzhinën. Por ne jemi duke mësuar sepse njerëzit nga kultura të ndryshme i bëjnë gjërat ndryshe. Ndryshe është në Dubai, ndryshe është në Shqipëri, ndryshe është në Kroaci e me radhë. Prandaj, mendoj se ky është një rast i mirë për të mësuar.
Po. Ana pozitive e këtij projekti është që shqiptarët janë të lidhur shumë me shtëpitë e tyre, me habitatin e tyre. Me vendin në të cilin ata jetojnë. Ata e respektojnë atë. Për shembull, shkon në Britani dhe hyn në banjat e tyre dhe thua “jo, faleminderit”. [qesh] Por shqiptarët kanë një tjetër kulturë të të jetuarit, ata i respektojnë shtëpitë dhe apartamentet e tyre dhe e konsiderojnë si vendin e tyre të shenjtë. Dhe nuk e di, por kjo duhet t’ju ndërgjegjësojë për rëndësinë e këtij projekti.
Është e vërtetë. Aktualisht po punohet shumë me detajet e korrnizave të dyerve dhe detaje të tjera. Këtu nuk kemi dyer sepse donim të lëviznim lirshëm, por po studiojmë shumë dorezat e dyerve dhe detaje të tjera të cilat pëlqehen nga njerëzit tanë. Shpresoj që pamjet e paraqitura të jenë dukur sa më reale dhe shpresoj që kjo gjë të funksionojë. Siç mund të shihni, puna që po bëjnë inxhinierët tanë në plazh është e pabesueshme.
Pra, ju thatë që e sillni rërën nga deti?
Po, ne e sjellim rërën nga një vend tjetër. Kërkuesit e oborrit mbretëror po kryejnë një studim të detajuar të plazhit, kështu që pothuajse e kemi përfunduar. Në fakt, tani po kryejnë një studim të detajuar të plazhit, kështu që jemi në përfundim të studimit dhe tashmë kemi përgatitur edhe zgjidhjet për të ecur përpara.
Dëshiron të zbresim për ndonjë gjë të fortë? Kam gjithmonë pyetje për t’ju drejtuar.
Këtë mëngjes, më saktë dje mora një telefonatë nga miqtë e mi në Bloomberg. Bloomberg është një kompani e mrekullueshme
E di, është me emër dhe nuk e kuptoj përse askush nuk i solli këtu.
Por gjithashtu, njerëzit që punojnë në Bloomberg pëlqejnë që të jenë kritikë. Kështu që sot në mëngjes u thashë miqve të mi, kjo është hera e parë në njëzet e pesë vjet që intervistohem pa u shtyrë drejt aspekteve negative.
Në këtë pjesë jemi me zotin Mohamed Alabbar për disa pyetje pasi e pamë në pjesën e parë bisedën që unë bëra me të lidhur me projektin e marinës këtu në qytetin e Durrësit. Një projekt fantastik, por sigurisht që skepticizmi dhe pyetjet mbeten. Zoti Alabbar, zoti Alabbar ju patët një ditë të parë fantastike me shitjet, apo jo?
Zoti është i mirë dhe ne jemi me shumë fat që njerëzit na besojnë dhe erdhën të na takonin. Ishte si festë. Njerëzit ishin të lumtur, bëmë foto bashkë, sollën fëmijët. Një gjë e tillë nuk më ka ndodhur kurrë më parë. Dhe në këtë mënyrë, na vunë nën presion sepse ata besojnë dhe kanë besim tek ne dhe kjo është një gjë shumë e bukur.
Përsa i përket besimit, e biseduam edhe më parë sepse emri juaj padyshim që përfaqëson një nivel të lartë besueshmërie. Por e njëjta gjë nuk vlen për partnerin tuaj shqiptar, domethënë për shtetin shqiptar që zotëron 30 – 33 % të projektit. Kur vjen fjala për t’i besuar paratë tona qeverisë sonë, kemi zhgënjimet tona. Ndoshta ju kanë folur për vitin 1997 dhe skemat piramidale, e të tjera si këto. Prandaj … disa njerëz thonë se Alabbar po shet në ajër, që në një farë mënyre është e vërtetë sepse projekti ende nuk ka filluar. Kur do të fillojë projekti dhe sa do zgjasë, që kjo mrekulli të bëhet realitet?
Pikë së pari, mendoj se nuk është e drejtë të flasim kështu për Shqipërinë sepse mendoj se e gjithë bota i merr këto mësime të vështira nga qeveritë. Ju lutem, ejani në Lindjen e Mesme, në Amerikën dhe Afrikën e Jugut. Kështu që qetësohuni. Për fat të keq, është një proces mësimi përmes së cilit kalojnë të gjitha kombet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar? Historia e tyre është mjaft e keqe, por mendoj se ne nxjerrim mësime nga e kaluara dhe me çfarë kam parë në këto dy apo tre vitet e fundit gjatë negociatave me qeverinë, qeveria juaj ka nxjerrë mësimet e saj nga e kaluara. E përshëndes zotin Edi Ramën dhe ekipin e tij për punën e mrekullueshme që kanë bërë. Nëse njerëzit kanë dyshime, është mëse normale. Është e drejta e tyre të kenë dyshime. Nuk ka problem. Unë kam më shumë se 28 vjet në këtë biznes, kam ndërmarrë projekte masive dhe njerëzit kanë frikë nga projektet e mëdha, kanë frikë nga biznesmenët sepse ndonjëherë ne i zhgënjejmë, dhe në këtë pjesë nuk u vë aspak faj. Ajo që dua të them është se njerëzit duhet të kuptojnë që nëse parlamenti na e dha aprovimin dy javë më parë, ky proçes ka dy vjet që zgjat. Në këto dy vjet ne kemi kryer vizita, kemi dizenjuar, pra gjithë këto proçese siç e dini nuk mund të ndodhin në vetëm dy javë. Ajo që dua të them është, ju lutem më jepni një mundësi. Kam qëllime të mira, e dua shumë Shqipërinë, më pëlqen mikpritja e njerëzve këtu dhe ju premtoj që nuk do t’ju zhgënjej. Thjesht lutem që të bëjmë vetëm gabime të vogla sepse kur punojmë me projekte të mëdha, bëjmë dhe gabime. Por shpresoj që, bazuar dhe në përvojën e mëparshme që kemi, ky projekt do jetë një nga projektet më të jashtëzakonshëm që kam ndërmarrë në jetën time.
Edhe më i madh se ndërtimi i qendrës së Dubai-t?
Kur realizova ndërtimin e qendrës së Dubai-t, që falë Zotit doli me sukses, nuk kisha njohuri të mjaftueshme mbi ato detajet e vogla për të cilat folëm bashkë pak më parë. Nuk kisha shumë njohuri mbi artin, ushqimin apo muzikën. Ndërsa tani ne flasim për artin, pemët, muzikën, për artin dhe marinën më tepër sesa për vetë ndërtesat dhe kjo është gjëja e duhur.
Sepse, në fakt, ky është edhe kuptimi i jetës.
Kjo është jeta. Dakord, ti mund të më japësh një apartament, por çfarë ndodh nëse rrugët nuk janë të pastra, pemët nuk janë të bukura, kafeneja nuk është në vendin e duhur, hoteli nuk është ndërtuar siç duhet dhe marina nuk është projektuar mirë, restorantet nuk janë kombinuar siç duhet dhe ti nuk ke mjaftueshëm art dhe muzikë. Dhe unë mendoj se kjo nuk është jetë.
Mbiemri juaj është shumë i rëndësishëm, dhe kompania juaj gjithashtu, por këtu ka shumë diskutime dhe njerëzit janë shumë skeptikë dhe duan të dinë se kush i zotëron në të vërtetë këto 60% të këtij projekti. Mund të na thoni më shumë rreth kësaj?
Po, ky këtu.
Je ti? Por nga vijnë paratë. Siç thuhet, shiko nga vjen paraja. Dikush po ndjek paratë dhe nuk e di cilat janë arsyet, por// Ndoshta njerëzit që vijnë për të blerë shtëpi e meritojnë të kenë një përgjigje. Jo ata që thjesht pyesin.
Po, patjetër. Mendoj se njerëzit kanë të drejtë të pyesin dhe padyshim të marrin edhe përgjigjet. Mendoj se nëse nuk e ke bezdi, mund të hapësh internetin dhe të lexosh se me se merresh gjatë jetës, dhe në këtë pikë mendoj se internet na ka sjellë transparencë. Me çfarë projektesh merrem, ç’fitim nxjerr kompania ime sepse kompania ime së bashku me bizneset e tjera janë publike. Gjatë këtyre tre vjetëve kam kaluar në një proces të imtë hetimi nga qeveria shqiptare në të cilin duhej të dorëzoja gjithë dokumentacionin e duhur për të gjitha kompanitë e mia, të plotësoja gjithë formularët e nevojshëm dhe mendoj se është më e lehtë të transferoj gjithë paratë e mia në Dubai sesa në Shqipëri, sepse është një transaksion i drejtpërdrejtë. Nuk kam asnjë partner. Unë kam partnerë në Lindjen e Mesme.
Domethënë je vetëm?
Po, po. Jam vetëm. Kam partnerët e mi në Lindjen e Mesme por jam ortaku kryesor, jam vendimmarrësi.
Domethënë, janë kryesisht paratë e tua?
Po, kam më shumë se 51%, 52%.
Si mund të investosh para në një vend si Shqipëria?
Po, si mund të investosh para në Lindjen e Mesme dhe të ndërtosh kullën më të lartë në shkretëtirë? Si mund të investosh para në Egjipt, apo në Pakistan, Liban, Marok? Mendoj se kjo është ajo që bëjmë, ky është biznesi ynë. Disa projekte ecin shumë mirë, disa të tjerë nuk ecin mirë. Si mund të investoje në Serbi kur prodhimi i brendshëm bruto ishte -1? Sepse bazohet në besimin optimist që jeta do bëhet më mirë. Dhe mendoj se jemi njerëz optimistë dhe se në qoftë se nuk do të mendonim në këtë mënyrë, bota do ishte një katastrofë e vërtetë. Dhe kjo ka të bëjë me optimizmin që bota do të bëhet më mirë. Nga koha në të cilën fillova negociatat deri tani, Shqipëria ka ecur përpara. Rrugët janë përmirësuar, qeveria është përmirësuar, hotelet janë përmirësuar, çmimet janë përmirësuar. Çfarë tjetër mund të them?
Kam dëgjuar se disa kompani ndërtimi vendase janë tërhequr sepse nuk u pëlqejnë rregullat rigoroze dhe mënyra sesi ju operoni në biznes. Tani, mendoj se këtë duhet ta merrni si kompliment. Në fakt, a nuk po impononi një kulturë tjetër të mënyrës së të bërit biznes?
Jo, dhe unë shpresoj që ata të bëjnë biznes me ne. Nuk kam dijeni për këtë fakt, por ndoshta ju jeni. Mua më pëlqen të bëj biznes sipas mënyrës sime, dhe nëse nuk të pëlqen mënyra ime më vjen shumë keq sepse unë jam një njeri i fokusuar tek detajet, ne jemi shumë të fiksuar pas materialeve dhe cilësisë sepse njerëzit kanë besim tek ne, vijnë dhe na paguajnë bazuar mbi një ëndërr dhe ajo ëndërr nuk mund të jetë më e mirë se premtimi që ne kemi bërë. Por reagimi im nga kontraktorët dhe arkitektët në zonën e Durrësit ka qenë shumë pozitiv. Por është e vërtetë që ne kemi rregulla tepër rigoroze.
Një nga gjërat që kam kuptuar nga projekti është që porti aktual i Durrësit, ashtu siç është sot dhe për funksionin që kryen, së shpejti do të zhduket. A është e vërtetë?
Unë mendoj se e ka përmbushur qëllimin e vet dhe tani ka ardhur koha për diçka tërësisht ndryshe, tërësisht të gjallë e të bukur që i shton vetëbesim, turizëm, bukuri dhe jetë. Dhe për këtë jam shumë i lumtur që do jemi ne që do e realizojmë.
Ne po flisnim më parë që do hapen rreth 40-50.000 vende të reja pune.
Zakonisht, projekte të mëdha si ky duhet t’i shtojnë prodhimit të brendshëm bruto rreth 4-5% 4-5 % të prodhimit të brendshëm bruto të qytetit. Studimet tona gjithmonë e tregojnë, por përsa i përket turizmit, është i jashtëzakonshëm. Ju premtoj që nëse do e bëjmë projektin siç duhet, çdo turist që do vijë në Shqipëri, 90% e tyre do të vijnë këtu.
Kush do e ndërtojë? E keni fjalën për fuqinë punëtore nga Shqipëria apo do e sillni nga jashtë?
Jo, kudo ku punojmë preferojmë të përdorim fuqinë punëtore vendase. Zgjedhim kontraktorë të mirë vendas dhe fuqinë punëtore vendase.
Mohamed, e di se çfarë ka ndodhur në këtë vend? Dhe unë kam pasur një debat të madh me ndërtues dhe investitorë të fuqishëm, si dhe me biznesmenët lokalë. Ata shesin shtëpi në Tiranë dhe i shesin me rreth 5000 Euro metri katror, por punëtorët, pra ata që punojnë me hekur dhe beton paguhen me gati 300 euro në muaj. Dhe me pas ankohen se njerëzit po largohen. Patjetër që do largohen se nëse ti e shet një shtëpi me 4000 euro metri katror, dhe punëtorët i paguan me 300 euro në muaj, patjetër që njerëzit do të largohen. Dhe pikërisht, kjo është pyetja ime: si do të paguhen njerëzit? Me cilët standarde?
Ne operojmë me kompani ndërtimi dhe nuk i kryejmë vetë ndërtimet. Sërish, mund të shihni bizneset tona nga Maroku në Kalkuta. Le të marrim Serbinë si shembull. Lajmi i mirë është që sapo fillon progresi ekonomik në një vend, pagat e të gjithëve përmirësohen, përfshirë këtu edhe ato të punëtorëve. Sa më shumë të bëjmë biznes, aq më shumë do të përmirësohen pagesat. E kam parë këtë në të gjitha këto vende. Mos u shqetëso për pagesat me 300 euro në muaj sepse kjo situatë do të ndryshojë. Dhe ashtu si po rritemi ne, duhet të ndryshojë.
Jam i shqetësuar sepse nuk jetojnë shumë njerëz në vend dhe dëshiroj që projekte si ky ti mbajnë njerëzit këtu.
Lajmi i mirë është se të gjithë e dinë që do të paguhen më mire diku tjetër. Kështu që të gjithë po largohen, nëse më kuptoni drejt.
Dëshiroj që t’i kthehem njërës prej akuzave të ngritura, kështu që më duhet t’ju pyes. Gjithmonë thuhet se Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend i sigurt për paratë e thata, por Shqipëria ka shumë korrupsion dhe shumë prej parave të korrupsionit shkon nëpër vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe mund të vijnë këtu që të pastrohen përmes projekteve të ndërtimit si ky. Kështu që, cila është përgjigja juaj mbi këtë pikë?
Për të qenë i sinqertë, ndjehem shumë në siklet që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk ka problem, por njerëzit thjesht nuk e dine sesa të rrepta janë rregullat e sistemit bankar në Emiratet e Bashkuara, dhe ky është rregulli numër një. Dhe rregulli numër dy është, siç e përmenda më parë, unë drejtoj kompani tepër të mëdha dhe nuk mund t’i fshihem sistemit bankar. Nuk mund t’i fshihem hetimit publik dhe madje nuk mund t’u fshihem as qeverive.
Edhe sikur të doje, nuk do të mundje.
Pikërisht, nuk është e mundur. Sot çdo gjë është kaq transparente dhe mendoj se njerëzit thjesht duhet të më japin besimin e tyre. Kjo është e gjitha dhe të them të drejtën kurrë nuk më është drejtuar një pyetje e tillë, por njerëzit kanë të drejtë të pyesin. Unë nuk merrem me gjëra të tilla, nuk përzihem dhe as nuk kam takuar ndonjëherë njerëz që merren me këto lloje biznesi. Njerëzit thjesht duhet të më japin një mundësi.
Në fakt, i gjithë faktori politik duhet t’i kishte dhënë një mundësi këtij projekti. Por në fakt këtu çdo gjë bëhet politike. Ndoshta nuk e kanë me të keq, por e përdorin për qëllime politike. Por ky projekt do zgjasë sa, 10-15 vjet?
Ndoshta më pak. Ashtu si po ecin punët.
Dhe në këtë vend kemi zgjedhjet elektorale çdo 4 vjet. Mendoni se ky projekt do t’i mbijetojë rrotacionit politik? Ose, fjala bie, një qeveri e re që do të formohet nga një parti e re mund të vijë e t’ju thotë që ne do e ndërpresim këtë projekt. Keni frikë se mund të ndodhë?
Kjo mund të më ndodhë në çdo vend ku operoj. Një gjë e di me siguri se qeveritë, qofshin ato në pushtet apo në opozitë, të gjitha e duan progresin. Të gjitha qeveritë në një sistem demokratik duan t’i provojnë publikut që po ecin përpara. Mendoj se po të ndalojnë dikë që ndërton një ndërtesë apo dyqan, apo që bën një projekt kaq të madh, do të ishte shenja e një katastrofe të vërtetë. Kjo nuk është rruga e drejtë, dhe ne duhet të bëjmë gjënë e duhur. Më fal sepse nuk iu përgjigja pyetjes në lidhje me harkun kohor kur duhet të fillojmë. Është shpallur tenderi ynë i parë i ndërtimit. Kështu që të mos gabohem, presim që në rreth 4 javë të marrim çmimet e ofertës dhe pasi të kalojë kjo fazë, shpresoj që për një muaj e gjysmë apo dy muaj të instalojmë vinçat dhe të fillojmë punën. Domethënë, nuk e di nëse kontraktorët fillimisht instalojnë vinçat apo fillojnë gërmimet, por kjo është ideja. Mendoj se pas aktivitetit të djeshëm, nuk kemi arsye përse të ndalojmë. Apo jo?
Po, domethënë, në fakt ajo çka më befason është se entuziazmi i njerëzve shpreh gjithashtu edhe zhgënjimin që vendi ka për të pasur projekte të kësaj natyre dhe që me të vërtetë funksionojnë.
Pikërisht, për këtë arsye pika tjetër që duhet të marrim parasysh është që ne duhet të fillojmë biznesin e ndërtimit të besimit në vend. Pashë që CNN, televizionet e reja dhe televizionet e tjera të mëdha i dhanë hapësirën e duhur, që do të thotë se gjëra serioze po ndodhin në këtë vend dhe sinjali që ne duhet të dërgojmë është që duhet të vini e t’i bashkoheni maratonës.
Kam edhe një pyetje të fundit sepse gjithmonë kam dashur t’ju pyes. Siç ju thashë edhe më parë, njerëzit nga Tirana dhe Durrësi preferojnë ta konsiderojnë njëri tjetrin si dy pjesë të së tërës dhe gjithmonë ka ekzistuar projekti i bashkimit të të dy qyteteve në zonën industriale mes Durrësit dhe Tiranës duke e quajtur Durana. Nuk e di nëse keni dëgjuar për këtë projekt. Ndoshta kryeministri, miku juaj, mund t’ju flasë më gjatë rreth këtij projekti. Në fakt, ky port gjithmonë ka pasur një rëndësi historike që 1000-2000 vjet më parë. Tani ky projekt do ta zhdukë këtë port, apo do të ndërtohet në një vend tjetër diku pranë?
Mendoj se ndoshta kanë filluar që të shpallin tenderin për portin e ri. Duhet të kenë hapur tenderin sepse e di që projektimi ka përfunduar. Sepse unë po i shtyj kontraktorët në terren, kështu që bëjnë mirë të largohen.
Ky është takimi ynë i parë pas shitjeve të mëdha që organizuat, dhe ju uroj suksese në të ardhmen jo vetëm juve por edhe vendit tonë. Dhe ju lutem të mos i zhgënjeni shqiptarët.
Ju faleminderit. Patjetër që jo. Gjithashtu, dëshiroj që t’ju falënderoj që morët mundimin dhe erdhët më takuat, vizituat ambientin tonë të vogël. Pas një muaji do të hapim qendrën tonë në Tiranë dhe më lejoni që t’i shpreh publikut mirënjohjen për besimin që na kanë dhënë dhe i falënderoj ata mijëra njerëz që falë Zotit erdhën e na vizituan, që na kanë shkruar në postën elektronike dhe që na kanë telefonuar. Ju jap fjalën që nuk do t’ju zhgënjej sepse këtë projekt e kam shumë për zemër.
Faleminderit shumë. Ishte kënaqësi e vërtetë