Për të transferuar pensionin nga një qark në tjetrin, nga një njësi në tjetrën ose nga posta në bankë, pensionisti duhet të plotësojë një formular-tip. Kërkesa për transferimin e pensionit, e dosjes së pensionit, bëhet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore ku ka vendbanimin e ri pensionisti, sipas kërkesës-tip. Kërkesa paraqitet tek inspektori pritës në ALSSH. Në rastin kur kërkuesi nuk ka vendbanimin në territorin e ALSSH-së ku paraqitet kërkesa, inspektori pritës e sqaron personin e interesuar për procedurat e parashikuara në rregullore, duke i dhënë edhe alternativë për kalimin e pagesës së pensionit në një nga Bankat e Nivelit të Dytë. Procedurat janë bërë të ditura nga zëvendësdrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ali Emini, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”.
Si duhet të veprojë një pensionist për ta transferuar pensionin në vendin e tij të ri të banimit?
Për ta transferuar pensionin nga një qark në tjetrin ose nga një njësi në tjetrën duhet fillimisht plotësimi i kërkesës për transferimin e dosjes së pensionit dhe procedurat e përpunimit të saj, në DRSSH-në nga niset kërkesa për transferim. Kërkesa për transferimin e pensionit, e dosjes së pensionit, bëhet në ALSSH-në ku ka vendbanimin e ri pensionisti, sipas kërkesës-tip. Në rastet kur personi, i cili kërkon të transferojë dosjen e pensionit nga njëri rajon në tjetrin, kërkon të përfitojë kompensimet për energjinë elektrike, apo kompensime të tjera të njohura me aktet nënligjore në fuqi, duhet të paraqesë edhe dokumentacionin që provon plotësimin e kritereve për secilin lloj të kompensimit. Më pas kërkesa paraqitet tek inspektori pritës në ALSSH, i cili kontrollon në sistemin online të regjistrit të shtetasve, nëse kërkuesi ka vendbanimin në territorin ku shtrin juridiksionin ALSSH-ja. Ndërkohë, në rastin kur kërkuesi nuk ka vendbanimin në territorin e ALSSH-së ku paraqitet kërkesa, inspektori pritës e sqaron personin e interesuar për procedurat e parashikuara në rregullore, duke i dhënë edhe alternativë për kalimin e pagesës së pensionit në një nga Bankat e Nivelit të Dytë.
Si merr dijeni pensionisti për transferimin e dosjes së pensionit?
Agjencia Lokale e Sigurimeve Shoqërore ku është paraqitur kërkesa për transferimin e dosjes ka detyrimin të njoftojë personin e interesuar dhe ta pajisë atë me librezën e pensionit.
Si kryhet transferimi lokal i qendrës së pagesës?
Kërkesa për transferimin e qendrës së pagesës kryhet brenda rrjetit të shërbimit të pagesave të Postës Shqiptare, bëhet në Agjencitë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Në rastin kur personi përfitues kërkon transferimin e pagesës së pensionit nga një Zyrë Pagese në vartësi të Postës Shqiptare sh.a në drejtim të një dege të Bankave të Nivelit të Dytë, zbatohen procedurat e mëposhtme: a. Kërkesa për kalimin e pagesës së pensionit dhe përfitimeve të tjera nga Zyrat Postare në një degë të Bankave të Nivelit të Dytë, bëhet pranë degëve të këtyre bankave. Në këtë rast punonjësit e sporteleve të degës së bankës marrin funksione të inspektorëve pritës të Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore. b. Bazuar në kërkesën e përfituesit, së cilës i bashkëlidhet fotokopja e letërnjoftimit elektronik e nënshkruar nga pensionisti dhe libreza e pensionit, në prezencë të përfituesit dhe të personit të autorizuar prej tij, i cili është edhe në rolin e garantorit të marrëdhënieve financiare të pensionistit me Bankën dhe DRSSH-në, dega e bankës harton kontratën përkatëse dhe çel numrin e llogarisë së pensionistit. c. Kërkesat e pensionisteve, së bashku me kontratën, ku është evidentuar numri i llogarisë, i përcillen Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, e cila gjendet në të njëjtin qark me vendndodhjen e degës së bankës.
Çfarë kanë për qëllim ndryshimet në rregulloren për transferimin e pensionit?
Këto ndryshime kanë për qëllim përcaktimin e procedurave më të qarta dhe më të plota lidhur me transferimin e dosjeve të pensioneve nga një rajon në rajonin tjetër, certifikimin e tyre përpara transferimit, vendosjen e procedurave sa më të shpejta për transferimet lokale të qendrave të pagesës si dhe përcaktimin e procedurave më të qarta dhe të plota lidhur me veprimet financiare që kryhen nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, për mbylljen e pensioneve, si në rastet kur deklarimi i personave të vdekur bëhet nga vetë familjarët apo personat e autorizuar, ashtu edhe në rastet kur këto deklarime mungojnë dhe konstatimi bëhet bazuar në të dhënat për vdekjet që ISSH-ja merr periodikisht nga regjistri elektronik i gjendjes civile.
Si pasojë e përfundimit të procesit të ndërtimit të bazës së të dhënave të përqendruar dhe unike të pensioneve, zbatimit të standardeve të kontrollit dhe certifikimit të plotë të të gjitha dosjeve, në lidhje me zbatimin e ligjshmërisë në caktimin e përfitimit, informatizimin e sistemit të pagesave dhe të procesit të kontrollit të pagesave, janë krijuar kushtet për të përmirësuar rrënjësisht si procedurat e transferimit të dosjes, transferimet lokale të qendrës së pagesës, ashtu edhe procedurat e mbylljes së përfitimeve dhe pezullimit të pagesave. Të gjitha këto masa kanë për qëllim që të lehtësojnë, përshpejtojnë dhe përmirësojnë ndjeshëm shërbimin ndaj përfituesve, të thjeshtojnë dhe të bëjnë më konkrete procedurat për zbatimin e sistemit informatik dhe të ndjekjes dhe evadimit të debitorëve të nxjerrë prej tij, duke përmirësuar ndjeshëm edhe administrimin e fondeve. Sa më sipër në mënyrë thelbësore, veç të tjerave riformatimi i rregullave të transferimit vendos procedura të qarta dhe të drejtpërdrejta në rastin e transferimit nga një rajon në tjetrin të dosjeve të pacertifikuara nga njësia e inspektimit të pensioneve, për shkak të radhës së inspektimit. Për të shmangur kthimin e dosjeve të transferuara në drejtorinë nisëse, pas inspektimit, tashmë janë përcaktuar procedura të drejtpërdrejta të lëvizjes së dosjes; gjithashtu, për të shpejtuar procesin, tashmë konfirmimi i pagesave do të jepet drejtpërdrejt nga njësitë e kontrollit të pagesave duke eliminuar për këto procese, së paku një periudhë vonese nga një muaj deri në dy javë. Gjithashtu, sistemi informatik ka krijuar mundësi dhe lehtësi shumë të plota, lidhur me transferimin e qendrës së pagesës nga një zyrë postare në tjetrën si dhe nga këto zyra në drejtim të bankave të nivelit të dytë. Edhe në këto raste, parashikohet që kërkesa për transferim të bëhet në zyrat bankare dhe pastaj është administratë e dy institucioneve e cila kujdeset për ndryshimin e qendrës së pagesës.
Kur pensionisti ndërron jetë, ja procedura e mbylljes së pensionit
Është përcaktuar mbyllja e pensionit edhe pa certifikatë të personit, por nëpërmjet informacionit të marrë nga të dhënat për vdekjet. Veç sa sipër, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, me shkresa dhe akte të veçanta të Drejtorit të Përgjithshëm ka udhëzuar dhe saktësuar jo vetëm procedurat që duhen ndjekur në rastin e mbylljes së pensioneve, por edhe ka analizuar e ndjekur zbatimin e këtij procesi, ndërhyrjen nëpërmjet informatikës për mbylljen e përfitimeve për persona të vdekur, bazuar në informacionin elektronik të marrë nga gjendja civile, si dhe arkëtimin e fondeve të dëmtuara në bashkëpunim me agjentët pagues si Posta Shqiptare dhe bankat. Në këtë kontekst, evidentojmë se gjatë procesit të kontrollit të pagesave, në vitin 2015 janë konstatuar 1.160 raste të kësteve të pensioneve të tërhequra pas vdekjes, me një dëm financiar prej 27.806 mijë lekësh, i cili është vjelë totalisht nëpërmjet arkëtimit të shumave nga sportelet e zyrave postare si dhe duke i mbajtur ato nga komisionet që DRSSH i paguajnë Postës Shqiptare. Nga kontrolli i kryer për rastet e personave të vdekur që kanë përfituar të ardhura pas vdekjes për periudhën dhjetor 2015 – prill 2016 konstatojmë se: Po kështu, nga të dhënat e fundit të marra lidhur me vdekjet dhjetor 2015 – prill 2016, nga 8.883 raste të sjella nga Gjendja Civile, 7.678 raste janë pa efekte financiare, sepse janë mbyllur me deklarim të familjarëve ose nuk janë tërhequr këstet e pensioneve pas vdekjes. Në këtë rast familjarët kanë ndjekur rigorozisht procedurën e deklarimit të parashikuar për këtë qëllim. Ndërsa, në 1.205 raste ose 13.5% e tyre janë konstatuar pagesa pas vdekjes, të cilat kanë sjellë si pasojë edhe efekte financiare. Dëmi i shkaktuar është 28,924,012, prej të cilit janë arkëtuar nëpërmjet sporteleve të pagesës së Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë 1.074 raste me shumën 23,322,614 dhe ngelen në proces arkëtimi 131 raste në shumën 5,601,398 lekë. Raste të arkëtuara me postë janë 642, dhe raste të arkëtuara me bankë janë 432. Megjithatë nga kontrolli, ballafaqimi i të dhënave dhe ndjekja sistematike e rasteve të vdekjeve, të mbylljes së pensioneve si dhe të pagesave të kësteve të pensioneve janë konstatuar problematika të ndryshme, si mosparaqitja e familjarëve për mbylljen e pensionit, raste të manipulimit të datave të pagesës në grafikun e pagesave, thjesht për të marrë pak lekë më shumë nga pensioni i muajit kur ndodh vdekja, konflikte apo pakënaqësi të familjarëve të autorizuar të cilët edhe pse kanë autorizim nuk mund të tërheqin këstet e pensioneve të pamarra për arsye se kërkohet akt trashëgimie, e cila është e kushtueshme dhe mjaft e vështirë në kushtet e lëvizjes së lirë të njerëzve.
BW/d.i.