Edhe pse ka hyrë në vitin e dytë, skema e re e pensioneve nuk e ka zgjidhur deficitin ndërmjet kontributeve nga njëra anë, dhe shpenzimeve për pensione në anën tjetër. Eksperti i ekonomisë, Koço Broka bën me dije se ndërsa shifrat e forcës punëtore kanë mbetur në stanjacion, ato të pensionistëve kanë ardhur në rritje.
Një ndër problematikat e kahershme të skemës së pensioneve është hendeku mes kontributeve të derdhura apo fuqisë punëtore në njërën anë, dhe pensionistëve në anën tjetër. Prej janarit të 2015-s ka hyrë në fuqi skema e re, sa e ka adresuar këtë shqetësim?
Ia ka dalë reformimi ta zgjidhë këtë deficit të krijuar apo vijon ende të jetë prezent? Aktualisht problemi kryesor me pensionet është niveli i pensioneve. Kohët e fundit ka një stanjacion. Pas reformimit të skemës, pensionet vetëm janë indeksuar, nuk kanë shënuar rritje të mirëfilltë, për pasojë, edhe masa e përfitimit konsiderohet e ulët. Mjafton të themi që në vitin 2016, niveli mesatar i pensioneve urbane ka qenë 14.873 lekë, shtuar kësaj shifre edhe disa shtesa që bëhen për kompensime energjie etj., shkon 16.399 lekë gjithsej, pra rreth 164 mijë lekë të vjetra.
Këto janë të ardhurat e një pensionisti që jeton në qytet. Ndërsa pensioni mesatar i pleqërisë në zonën ruralë është 85.560 lekë të vjetra dhe i të ardhurave është rreth 91.170. Niveli relativisht i ulët i pensioneve përbën edhe shqetësimin kryesor nga pikëpamja individuale për pensionistët. Ndërkohë, kemi një problem nga pikëpamja makroekonomike për faktin se niveli i shpenzimeve për skemën e sigurimeve shoqërore mbulohet nga shteti në masën 40- 44 miliardë lekë të reja. Kurse pjesa tjetër është nga kontributet.
Reforma e pensioneve kishte si synim përmirësimin e këtij raporti, pra raportit ndërmjet kontributeve dhe mbulimin nga shteti. Vitet e fundit kemi një stanjacion të subvencionimit të shtetit për skemën e sigurimeve shoqërore. Kjo është si rezultat i skemës së re, por mbi të gjitha, i masave kundër informalitetit që u ndërmorën në 2015. Kemi edhe një efekt tjetër, të cilin unë e konsideroj shumë negativ. Në fund të 2014 u bë një blerje masive e viteve kontributive nga fermerët. Ky ishte një qëndrim i gabuar.
Cili është efekti negativ nga blerja masive e kontributeve prej fermerëve?
Konkretisht, nëse të ardhurat nga sigurimet shoqërore në muajin dhjetor kanë qenë në nivelet 5 miliardë lekë, në 2014 u mblodhën 10 miliardë lekë. Efekti negativ qëndron në faktin që kjo rrit masën e subvencionimit të shtetit ndaj fermerëve. Pra, gjendemi përballë një defekti dhe problemi që e bën të pazgjidhshëm çështjen e krizës së sistemit aktual të pensioneve.
Efekti negativ i shitjes së kontributeve qëndron në faktin se fermerët kanë blerë vitet kontributive me çmim të arsyeshëm, ndërsa masa e pensionit që u lidhet është e njëjtë me të vetëpunësuarit në qytet, ndonëse këta të fundit paguajnë më tepër. Pra, për barazimin e pensioneve është shteti që jep një dorë, duke subvencionuar pjesën e mbetur dhe duke favorizuar në këtë mënyrë fermerët apo të vetëpunësuarit në bujqësi…
Po, është pikërisht kjo. Masa mujore e kontributit për të vetëpunësuarit në qytet për vitin 2016, rezulton 6556 lekë të reja në muaj, ndërsa për të vetëpunësuarit në bujqësi është përkatësisht 3.200 lekë në muaj për zonën fushore dhe 2450 lekë në muaj në zonën malore. Këto të fundit përdoren zakonisht për një vit, pra 3200 X 12=38 400 lekë të reja në vit për zonën fushore dhe 29.400 lekë për zonën malore.
Sakaq, shpërblimi bëhet në raport me pagën minimale në qytet dhe pjesa tjetër kompensohet nga shteti. Në këto rrethana, një ndër objektivat kryesore të reformës së sigurimeve shoqërore ishte që niveli i kontributeve të fshatit në 2018 të barazohej me atë të qytetit. Pra, nëse paga minimale është 240 mijë lekë edhe niveli i kontributit duhej t’i afrohej këtij pragu.
Kjo do të thotë që duhet të kishte rritje të vlerës për kontributet e të vetëpunësuarve në bujqësi, duke e barazuar me të vetëpunësuarit në qytet. Këtë aspekt reforma nuk e zgjidhi. Në dokumentin e politikës së pensioneve ishte parashikuar kjo mundësi, por fatkeqësisht nuk u konkretizua për shkak të qëndrimit subjektiv që u mbajt me ligjin e ri.
Ku parashikohet kjo rritje e masës së kontributeve për të vetëpunësuarit në bujqësi?
Në programin e Qeverisë shqiptare, në programin ekonomik fiskal dhe angazhimet që ka kjo qeveri ndaj Bashkimit Europian, është shprehur qartë domosdoshmëria e barazimit të kontributeve si për të vetëpunësuarit në fshat, ashtu edhe në qytet.
Tjetër problem që reflektohet në skemën e pensioneve, sikundër edhe ju e përmendët më herët, është edhe faktori demografik. Nisur nga kjo, si qëndron raporti ndërmjet forcës punëtore dhe pensionistëve?
Për të kuptuar sfidat aktuale në sistemin e sigurimeve shoqërore, unë mendoj që ndalesa duhet bërë në dy faktor kryesorë: në faktorët demografikë dhe ndikimin e tyre në skemë dhe në mekanizimin e funksionimit të skemës së sigsistemit të mëparshëm. Rritje të shpejtë njohu edhe mosha mesatare. Kështu, nëse në 1951 mosha mesatare ishte 51.6 vjeç, në vitin 1990 mosha mesatare rezulton 72.2 vjeç, ndërkohë që vijon të rritet.
Por kjo parashtron një tjetër problem, pasi nga njëra anë kemi rritje të jetëgjatësisë, pra rritje të moshës mbi moshën e daljes në pension duke krijuar një zhbalancë ndërmjet moshës së punës dhe moshës që duhet të gëzojë pensionin. Numri i viteve të gëzimit të pensioneve në vendin tonë është relativisht i lartë. Në 2016, koha mesatare e gëzimit të pensionit ka qenë 21.9 vjet dhe për femrat ka qenë 25.3 vjet. Janë këta faktorë, të cilët përcaktojnë problematikën që çështja e skemës së sigurimeve shoqërore nuk mund të zgjidhet në mënyrë diletante, por kërkon analiza të plota, të thella.
Reforma aktuale e pensioneve nuk ka zgjidhur deri më tani këto problematika dhe a mendoni që këto efekte do të minimizohen me kalimin e viteve, apo skema ka nevojë të rishikohet?
Pikësëpari, dua të vë në dukje se heqja e tavanit ishte një gjë pozitive. Por masa të tjera, siç janë rritja e moshës së daljes në pension, ndryshimi i kushteve për të dalë në pension nuk ka kaluar pa dhënë efekte. Kështu, nëse sivjet vitet kontributive që duhet të plotësojnë gratë dhe burrat është 36 vite, vitin tjetër do të shënojë rritje.
Pra, çdo vit rritet me 4 muaj periudha kontributive e nevojshme për të përfituar pension të plotë. Kjo ka një efekt ulës në nivelin e të ardhurave të një pensionisti, për arsye se duhet të kesh me tepër vite pune. Por, duke qenë se pas viteve ’90, një pjesë e njerëzve kanë mbetur pa punë, kjo do të reflektohet në pensionet që do të lidhen në vijimësi, duke e reduktuar masën e përfitimit të tyre.
Cilat kategori penalizohen dhe cilat favorizohen, nëse ka të tilla, nga skema e re?
Aktualisht nga skema e pensioneve ka kategori që privilegjohen dhe ka kategori, që për shkak të këtyre privilegjeve, dëmtohen. Faktikisht, skema e pensioneve përcaktohet nga pensionet e detyrueshme dhe pensionet suplementare. Nëse shohim raportin mes të ardhurave dhe shpenzimeve të pensioneve suplementare, do të vëmë re që është i zhbalancuar. Niveli i kontributit të pensioneve suplementare është rreth 1 miliardë lekë, kurse niveli i shpenzimeve është 5-fish i tyre.
Pra kemi një privilegjim të administratës së lartë, para së gjithash të deputetëve, të cilët kanë favorizuar vetveten. Për këta të fundit, apo edhe për gjykatësit, pensionet suplementare shkojnë sa dyfishi i pensionit të zakonshëm. Përveç tyre, ka një mbështetje edhe për fermerët. Ndonëse kanë pensione më të ulëta, në kushtet kur niveli i kontributit është mjaft i ulët, mbulohen në pjesën më të madhe nga shteti. Në këto kushte, një qytetar i zakonshëm penalizohet nga ky shpenzim i shtetit, në adresë të grupeve të caktuara.
Nëse do të kishim një kriter të barabartë, për të gjitha grupet shoqërore mund të sigurohej një përmirësim rrënjësor i skemës së pensioneve. Për një ekonomist ka një gjë shumë të qartë, që shteti t’i japë dikujt, duhet edhe të marrë. Pensionet e barabarta, në anën tjetër, përbëjnë “thembrën e Akilit” të reformës së pensioneve. Në rrethanat kur numri i punonjësve është në stanjacion dhe do të vijë në ulje, kur numri i pensionistëve njeh rritje, e vetmja rrugëzgjidhje është rritja rendimentit të punës.
Është e ditur tashmë që me skemën e re të pensioneve nuk ka rritje të mirëfilltë, por vetëm indeksim, ndërkohë, ata që dalin këtë vit në pension apo vitin tjetër, çfarë kushtesh duhet të plotësojnë për të përfituar një pension të lartë?
Një pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore janë pensionet vullnetare. Atëherë, plotësimi i viteve që mungojnë për të mbushur numrin e viteve të domosdoshme për sigurimin e një pensioni të plotë, është rruga kryesore, për të mos thënë, e vetmja rrugë për të marrë pension të plotë. Pra, këta individë duhet të njihen me vitet kontributive që kanë edhe në varësi të tyre, të bëjnë pagesën për vitet e tjera që u mbeten të paplotësuara. Aktualisht, një pensionist duhet të ketë 36 vite kontribute për të siguruar pension të plotë. Gjithsecili gëzon të drejtën ta plotësojë këtë me pension vullnetar. /panorama/ma.me