Kina deklaroi të martën se një mekanizëm, i cili po nxitet nga disa shtete anëtare të Bashkimit Europian, është një shembull tipik proteksionizmi dhe unilateralizmi që do të cënonte tregtinë mes Kinës dhe BE si dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të prodhimit dhe furnizimit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë së Kinës i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje nga media lidhur me raportimet se disa vende anëtare të BE-së po përgatisin një dokument të përbashkët që i kërkon Komisionit Evropian të përshpejtojë zhvillimin e një mekanizmi evropian të quajtur “301” dhe të ndërmarrë masa më të ashpra ndaj Kinës.
Mekanizmi i përmendur në raportime, nuk do t’i zgjidhte problemet dhe madje mund të kishte efekt të kundërt, tha zëdhënësi, duke vënë në dukje se vetë BE kishte qenë dikur viktimë e masave të tilla.
Sipas zëdhënësit, Kina dhe BE janë aktualisht të përfshira në dialog në kuadër të mekanizmit të tyre të konsultimit për tregtinë dhe investimet, si dhe po shqyrtojnë mënyra për të adresuar shqetësimet e njëra-tjetrës.
Nëse BE angazhohet në dialog dhe konsultime me Kinën, ndërkohë që njëkohësisht shton presionin ndaj saj, kjo do të dëmtonte rëndë besimin reciprok, do të cenonte procesin e përgjithshëm të konsultimeve dhe do të ndikonte te bashkëpunimi më i gjerë ekonomik e tregtar mes Kinës dhe BE-së, deklaroi zëdhënësi.
Kina i bëri thirrje BE-së që të qëndrojë në rrugën e duhur të menaxhimit të mosmarrëveshjeve përmes dialogut.
Kina do t’i ndjekë nga afër hapat e mëtejshëm të BE-së, tha zëdhënësi, duke shtuar se nëse BE këmbëngul në vendosjen e masave kufizuese diskriminuese ndaj kompanive ose produkteve kineze, Kina do të reagojë me vendosmëri për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të industrive kineze.











