Nga Fatos Çoçoli
Për fat të keq, ajo që ndodhi dje paradite, përpara Kryeministrisë, ngre një pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë publike të një pjese të pedagogëve që morën pjesë në protestë. Dje një grup pedagogësh, duke mbështetur protestën dhe duke mos u distancuar dhe duke mos e dënuar dhunën, praktikisht nxiti dhe justifikoi veprimet e ardhshme të dhunshme. Kemi të bëjmë me një sjellje që meriton të dënohet moralisht dhe të shqyrtohet mbi bazën e fakteve.
Pedagogu ka të drejtën të protestojë, por nuk ka të drejtë ta shndërrojë autoritetin e tij akademik në një instrument për legjitimimin e dhunës. Liria e shprehjes, e drejta e protestës dhe kritika ndaj qeverisë janë pjesë e demokracisë. Por asnjëra prej tyre nuk e justifikon sulmin ndaj institucioneve, policisë apo bizneseve private.
Mësuesi në Korçë dhe shembulli që duhet të ndjekë arsimi
Në kontrast me këtë shqetësim, vlen të kujtohet shembulli i mësuesit të gjimnazit në Korçë, i cili doli me nxënësit e tij në protestë, jo për t’i nxitur drejt përplasjes, por për t’i ndihmuar të ruanin qetësinë dhe të mos përfshiheshin në akte dhune.
Mesazhi i tij, drejtuar nxënësve që kishin frikë nga ndonjë reagim i dhunshëm i policisë, ishte domethënës: “Mos u shqetësoni, jeni me mua”.
Në këtë fjali gjendet thelbi i misionit të një edukatori. Ai nuk u premton të rinjve se nuk do të ketë vështirësi. Ai u jep siguri, i ndihmon të ruajnë gjakftohtësinë dhe merr përgjegjësi për t’i orientuar drejt sjelljes së matur. Ai nuk e përdor autoritetin e tij për të shtuar tensionin, por për ta ulur atë.
Ky është modeli që duhet të mishërojë çdo mësues dhe pedagog: të jetë pranë të rinjve pa i instrumentalizuar, t’i mbështesë në ushtrimin e të drejtave të tyre pa i shtyrë drejt rrezikut dhe t’u mësojë se guximi qytetar nuk matet me numrin e gurëve të hedhur, xhamave të thyer apo institucioneve dhe bizneseve të sulmuara dhe të djegura.
Kur autoriteti akademik vihet në shërbim të konfliktit
Lind pyetja: sa i qetësuan student protestues pedagogët e djeshëm protestues?
Është veçanërisht shqetësuese kur persona që kanë zgjedhur profesionin e mësimdhënies dhe që ushtrojnë ndikim mbi studentët shfaqen në hapësirën publike pa respektuar përgjegjësinë që u jep profesioni i tyre.
Universiteti nuk është vetëm vendi ku transmetohen njohuritë profesionale. Ai duhet të jetë edhe hapësira ku formohen mendimi kritik, kultura e debatit, respekti për mendimin ndryshe dhe aftësia për të zgjidhur konfliktet pa dhunë. Pedagogu duhet t’i mësojë studentit të kundërshtojë argumentin, të kërkojë llogari nga pushteti, të denoncojë korrupsionin dhe të mbrojë të drejtat e veta, por pa cenuar të drejtat e të tjerëve.
Nëse një pedagog përdor ndikimin e tij për të nxitur sulme ndaj institucioneve, për të justifikuar dhunën ndaj policisë ose për të legjitimuar shkatërrimin e pronës private, ai bie ndesh me këtë mision.
Kriza e arsimit nuk zgjidhet me dhunë
Shqetësimet për cilësinë e arsimit shqiptar, për standardet akademike, për vlerësimin e universiteteve dhe për përgatitjen e brezave të rinj janë çështje që meritojnë një debat të thellë kombëtar. Rezultatet e dobëta në vlerësimet arsimore, problemet e cilësisë dhe vështirësitë e sistemit universitar kërkojnë reforma, përgjegjësi institucionale dhe standarde më të larta profesionale.
Por këto probleme nuk zgjidhen duke nxitur përplasjet në rrugë. As duke I nxitur studentët të përmbysin karriget e dialogut të ofruar dje nga qeveria në boulevard. Përkundrazi, një kulturë e tillë rrezikon të dobësojë më tej besimin te institucionet arsimore dhe tek roli i pedagogut në shoqëri.
Një pedagog që kërkon reformimin e arsimit duhet të jetë ndër të parët që demonstron respekt për ligjin, integritet profesional dhe aftësi për të debatuar pa kërcënime. Ai duhet të kërkojë transparencë, llogaridhënie dhe standarde të matshme, duke i mbështetur pretendimet e tij në fakte dhe argumente.
Nëse duam universitete më të mira, na duhen pedagogë që frymëzojnë me dijen, karakterin dhe shembullin e tyre, jo figura që e shndërrojnë konfliktin politik në model sjelljeje për studentët.
Kjo është diferenca mes atyre që duan t’u mësojnë studentëve kulturën dhe atyre që rrezikojnë t’u legjitimojnë dhunën.
Misioni i edukatorit nuk është të prodhojë ndjekës të verbër të një kauze politike. Është të formojë njerëz të lirë, kritikë, të ditur dhe të përgjegjshëm. Dhe pikërisht në momentet e tensionit, kur është më e lehtë të ndezësh turmën sesa ta qetësosh, provohet vlera e vërtetë e një mësuesi dhe e një pedagogu.
Shqipërisë i duhen pedagogë që u japin të rinjve kurajën të flasin, dijen të argumentojnë dhe pjekurinë të mos përdorin dhunën. Sepse arsimi duhet të jetë një forcë që e civilizon shoqërinë, jo një instrument që e shtyn atë drejt përplasjes.











