Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD Grida Duma ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës Veliaj se para dy ditësh ai është larguar drejt Parisit me një avion privast, i cili sipas saj është paguar nga një biznesmen. Sipas Dumës kostoja llogaritet rreth 60 mijë euro, ndërsa sot në kryeqytet, ai çon kaseta nëpër televizione sikur ka qenë i pranishëm në Tiranë dhe në krye të punëve.
Pavarësisht se Grida Duma denoncon Veliajn se është paguar nga një biznesmen i cili sipas saj me siguri do të jetë shpërblyer, ajo nuk jep emrin e këtij të fundit.
Nga ana tjetër, vetë Veliaj ka reaguar në lidhje me këtë çështje, duke thënë se ka qenë në një vizitë në Itali, për të vizituar Bashkim Finon, i cili është i sëmurë. Veliaj ka treguar dhe biletën e prerë nga një linjë low cost si dhe ka sqaruar se ka mbërritur dje në mbrëmje në Tiranë, për të vijuar sot në mëngjes me aktivitetin tek parku i liqenit./java/a.k
DEKLARATA E GRIDA DUMES
Dy ditë më parë, Erion Veliaj ka udhëtuar me një avion çarter nga Rinasi drejt Parisit. Me të kane udhëtuar zëvendësi i tij Mazniku, një ndihmëse e tyre dhe një biznesmen.
Avioni çarter është paguar nga biznesmeni. Ndërsa Veliaj gëzonte luksin e Parisit, për qytetarët shqiptarë u kishte dërguar mediave një kronikë të gatshme, video sikur ndodhej në krye të detyrës duke inspektuar një kopësht në Tiranë.
Lehtësia me të cilën Veliaj mashtron publikun është tashmë e njohur nga të gjithë. Të nesërmen e dasmës ai dërgoi kasetën në media sikur gjoja kishte dalë në punë.
Shkoi në Sri Lanka dhe përsëri dërgoi në media kasetën sikur punonte në Tiranë. Është mania e pakontrolluar e një njeriu që mashtrimin e ka sëmundje patologjike.
Por rasti I fundit është më shumë se mashtrim. Eshtë dëshmi e pazareve të Veliajt me planin urbanistik dhe kullat që ka vendosur të mbjellë në Tiranë. Nuk ka shqiptar që mund të mendoje se një biznesmen mund të paguajë për lluksin e Erion Veliajt pa përfituar gjë të paligjshme prej tij.
Prandaj, Erjon Veliaj duhet të përgjigjet publikisht: Pse udhëton me çarter për në Paris me një kosto të paktën 60-70 mijë euro? Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter?
Kush e pagoi çarterin? Çfarë interesash ka me bashkinë, biznesmeni që pagoi çarterin dhe qëndrimin luksoz të Erjon Veliajt në Paris?
REAGIMI I BASHKISE
Kjo është një sajesë e ulët që vetëm zyra e SHQUP-it mund ta fabrikojë dhe sigurisht, si çdo gënjeshtër tjetër e tyre hidhet poshtë lehtë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, pasi ka inspektuar dje rreth orës 10.00 të paradites punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Kopshtit 17, ka udhëtuar për në Itali me një kompani fluturimi “low cost” për të vizituar deputetin e PS-së, Bashkim Fino, i cili po kurohet prej disa ditësh në shtetin fqinj. Mbrëmjen e djeshme z. Veliaj është kthyer sërish në Tiranë, për të vijuar sot në mëngjes me inspektimin te Parku i Madh i Liqenit, ku edhe deklaroi se i shtohen 25 hektarë hapësirë publike e gjelbërim, si dhe një takim me Ambasadoren e Islandës në Tiranë, Estrid Brekkan.
Për ta faktuar këtë po publikojmë edhe biletën e udhëtimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës dhe kryetari i Bashkisë vijojnë punën e pandalur për kthimin e Tiranës në drejtimin e duhur.