Nga Armando Meta/
EKSKLUZIVE JAVANEWS/ Partia Demokratike pritet gjatë muajit janar të filloj të bllokojë një sërë ministrish në funksion të përligjjes së aksionit të saj politik për të detyruar shumicën qeverisëse të bierë dakord për “qeveri teknike”. Javanews ka arritur të mësojë strategjinë e lidershipit të PD-së, strategji e cila synon të shtojë presionin politik në vend për të marrë në tavolinë një mundësi për të qenë pjesë e qeverisjes. Kjo strategji e PD-së parashikon që grupe prej 20- 30 personash të rrethojnë disa ministri dhe të mos lejojnë hyrjen në këto institucione të titullarëve të tyre. Në qendër të këtij “rrethimi demokratik” do të jenë disa ministri, duke filluar që nga ajo e Shëndetësis, Energjetikës, Financave, Brendëshme, Ekonomis, ku pritet të përqëndrohen grupe njerëzish, të cilët do të synojnë të bllokojnë punën në këto institucione dhe të krijojnë situata konflikti me titullarët, duke filluar që nga ministrat e zv/ministrat. Në projektin e PD-së nuk parashikohet në këto momente që të ketë ndonjë “rrethim demokratik” ndaj ministrive të cilat drejtohen nga LSI-ja. Burime të besueshme brenda PD-së bën të ditur për Javanews se rrethimi i ministrive nga militantët e PD-së, do të bëhet në të njëjtin orar. Kjo pritet të krijoj jo pak probleme edhe për forcat e rendit, të cilat do të jenë të detyruara të shpërndahen në disa vende me qëllim mos lejimin e dhunimit të institucioneve. Grupet e militantëve do të jenë të pajisura dhe me mjete fonike si altoparlantë, ku do të mbajnë fjalime denoncuese, sipas tyre, ndaj ministrave, por do të kenë nëpër duar edhe mjete të tjera si vezë apo bomba tymues. Kjo lloj forme proteste do të jetë e përditshme dhe në të pritet të angazhohen edhe militantë të thirrur nga qytete të tjera të vendit. Sigurimi i personave protestues mësohet se është kërkuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një takimi që ai zhvilloi dy ditë më parë me kryetarët e degëve lokale të PD-së. Kjo skemë e zgjedhur nga lidershipi i PD-së synon jo vetëm që të bëjë thuajse të pamundur funksionimin e institucioneve, por nga ana tjetër edhe të jetë një luftë nervash mes militantëve të saj dhe forcave të rendit. Këto grupe protestuesish, të cilët do të vendosen në hyrjet e ministrive, do të kenë edhe “lista të zeza” me emra personash që punojnë në këto ministri, të cilët nuk do të lejohen të hynë në institucion me pretendimin se lidershipi i PD-së i ka shpallur të korruptuar. Një situatë e tillë pritet të gjenerojë dhe jo pak konflikte pasi bëhet fjalë për cënim të drejtpërdrejtë deri dhe të sigurisë fizike të nëpunësve dhe zyrtarëve të ministrive. Janë të paqarta për momentin sesa këto mjete mund të shërbejnë për arritjen e qëllimeve politike të PD-së për qeveri teknike. Por ajo që është e sigurtë është fakti se kopjimi nga PD-ja i formave dhe mjeteve të përdor Lëvizja Vetevendosja në Kosovë, vetëm se do të çojë në tensione tashmë jo vetëm të natyrës politike.
javanews.al