E gjendur në një pozitë të vështirë, PD është përpjekur sot të japë shpjegime lidhur me shumën prej afro 1 milion USD të shpenzuara për lobim, por që nuk i ka deklaruar as në KQZ dhe në asnjë vend tjetër e aq me pak burimin e parave.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp PD duket se më shumë ka rënduar pozicionin e saj kur le të kuptohet se paratë që ajo ka shpenzuar për lobim nuk janë subjekt i kontrollit në Shqipëri, por në SHBA!! Në fakt ligji shqiptar detyron partitë politike të deklarojnë shpenzimet e tyre për fushatë, pavarësisht vendit ku ato kryhen.
Çështja që rëndon mbi Bashën nuk është vetëm mosdeklarimi, por dhe burimi se nga janë marrë këto 1 mln USD, kush i ka paguar pasi rrjedha e parave është bërë nga zona që njihen si parajsa fiskale ku qarkullon para e pisët e padeklaruar.
Nisur nga kjo deklaratë bëhet e qartë se strategjia që ka zgjedhur Basha është që të mos japë llogari për këto miliona dollarë me arsyetimin se ato janë objekt i ligjeve amerikane. Lehtësisht kuptohet tashmë se ato janë para që vinë nga burime shumë të dyshimta dhe që nxjerrin haptazi zbuluar kreun e PD. Futja e emrave të realitetit shqiptar duket qartazi si një përpjekjue për të spostuar vëmendjen nga ky skandal i cili tashmë duket qartë se është një aferë korruptive.
Deklarata e PD
Kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane. Megjithatë, Taulant Balla dhe Blerina Gjylameti janë të mirëpritur t’i hetojnë ato në çdo kohë.
Partia Demokratike u vë në dispozicion një kopje kur të duan. Madje janë të mirëpritur të marrin edhe Sajmir Tahirin dhe Agron Xhafën dhe Moisi Habilajn në ekipin e hetimit. Shpërqendrimi i vëmendjes nga kriminalizimi i qeverisë dhe Partisë Socialiste është shërbim ndaj krimit dhe minim i interesit publik. Vetë Taulant Balla dhe Blerina Gjylametaj duhet të jenë më të shqetësuar për fatin e partisë së tyre që ka rënë nën kthetrat e krimit.
Sidoqoftë, shashkat dhe tamtamet e tyre nuk mbulojnë dot bëmat ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Elvis Roshit dhe të vetë Edi Ramës që janë zhytur në krim dhe trafik droge duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare, sistemin politik dhe të ardhmen ekonomike të shqiptarëve.
JavaNews.al / ma.me











