PD në ofensivë/ Spaho sulmon Metën për taksat, Boçi i kërkon llogari Kodhelit për Xibrakën
Selia e PD ka pasur një ditë intensive akuzash sot ndaj mazhorancës. Ishte nënkryetari Spaho i cili sulmoi kreun e LSI, Ilir Meta, për atë që ai e quajti “bashkaautorësi për vënien e taksave të larta”.
Sipas Spahos, LSI ka votuar kundër uljes së taksave të propozuara nga PD e poashtu për uljen e mallrave të tjerë. Ai shtoi se Meta është bashkëfajtor për të gjitha të ligat që vendit po i ndodhin sipas tij.
“Sot kur çdo shqiptar e ka kuptuar se taksat e rritura kanë shkaktuar krizë, mjerim e varfëri, Pons Meta po rreket të lajë duart nga kjo histori. Ilir Meta është bashkautor i taksave te larta. Ai ka aprovuar rritjet e taksave, madje ka drejtuar seancat kur janë miratuar këto skema. Ai ka refuzuar njësoj si ortaku i tij Rama të dëgjojë paralajmërimet e opozitës. Ilir Meta dhe deputetet e tij në Kuvend votuan kundër propozimit të Partisë Demokratike për uljen e taksave, që do ulnin çmimet e energjisë, karburantit dhe ushqimeve dhe do të hapnin mundësi për vende të reja pune. Ilir Meta njësoj si ortaku i tij refuzuan të dëgjojnë zërin e bashkuar të qytetarëve dhe opozitës që u ngritën në protesta kundër taksave të larta dhe rritjes së çmimit të naftës dhe energjisë elektrike. Ndaj nuk i bën dot makiazh portretit të tij prej bashkëfajtori. Ai dhe ortaku i tij do të mbajnë përgjegjësi për taksat e larta, kontrabandën dhe korrupsionin që janë shkaqet e krizës ekonomike Rama-Meta”, u shpreh Spaho.
Ndërsa demokrati tjetër Luçiano Boçi ka sulmuar sot ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ai pasi ka takuar banorë e Xibrakës të cilët kanë shprehur shqetësimin për shpërthimet e ushtrisë në poligon ku madje kanë edhe dëme materiale, Boçi tha se Kodheli duhet të japë shpjegime rreth situatës. Sipas tij, poligoni nuk kishte parametra teknikë.
“Kemi biseduar me banorët këtu. Situata është e rëndë pasi ka pasur dëmtime të shtëpive dhe krisje të banesave, thyerje xhamash dhe jo vetëm këtu në Xibrakë. Kemi biseduar me banorët e fshatit ngjitur dhe atje ka pasur goxha dëmtime të kësaj natyre. Ajo që na shpjeguan përfaqësuesit e Policisë Ushtarake nuk përputhet me realitetin pasi sipas tyre poligoni ishte për diegje baruti dhe jo për detonacion. Këtu ka shumë pikëpyetje dhe enigma. Poligoni nuk kishte parametra teknikë. Kam qënë i shoqëruar me kryetarin e Partisë Demokratike të Librazhdit dhe me ish kryetarin e komunës Orenjë për të parë vendin atje dhe nuk kishte tregues që ishte zonë ushtarake apo elemente të ndalimit të qarkullimit të mjeteve dhe njerëzve. Ishte një zonë krejtësisht rastësore, pavarësisht se ata u mbrojtën se është poligon i miratuar. Por indiciet nuk tregonin që aty kishte të bënte me një poligon por me një sipërfaqe të pazot e cila shfrytëzohet edhe për shpërthime të tilla. Në lidhje me këtë situatë do të kërkojmë shpjegime në Parlament nga ministrja e Mbrotjes”, tha Boçi.









