Partia Demokratike zhvillon sot, 2 shkurt, mbledhjen e grupit parlamentar. Kreu i selisë blu, Sali Berisha, vlerësoi punën e deputetëve demokratë dhe tha se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se është arkitekt i korrupsionit në Shqipëri dhe se duhet të japë dorëheqjen.
“E vlerësoj punën që keni bërë me zgjedhësit, por ju garantoj se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura. Ka një revoltë të brendshme shpirtërore te njerëzit e thjeshtë që e shohin se edhe ajo shpresë që kishin te drejtësia për ndëshkimin e korrupsionit u shua. Ata kuptuan se shkaku, autori, arkitekti i sistemit të korrupsionit në Shqipëri e ka emrin Edi Rama”, tha Berisha.
Për këtë çështje, mazhoranca ka paralajmëruar se do të aplikojë mekanizma zhbllokues, duke iu referuar kërkesës së PS-së për të ndryshuar formulimin e funksionimit të komisioneve të posaçme.











