Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK nënkryetarët dhe anëtarët e Komisioneve të Zonave Zgjedhore për procesin e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit.
Padia e bërë nga juristët e selisë blu konstaton se nënkryetarët dhe anëtarët e KZAZ-ve në Vorë, Shkodër dhe Dibër kanë shpërdorur detyrën.
“I/E Nderuar Z./Znj. Prokuror/e, Në datën 05.03.2022, subjekti zgjedhor Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur pranë KZAZ nr. 26, Bashkia Vorë listën e propozimeve për anëtarë të Komisioneve të Qendrave të Votimit. Kjo kërkesë është refuzuar nga shtetasit Edlir Picari, Gëzim Demiraj, Astrit Lala, Eljon Zguri dhe Elisa Gjoni me pretendimin se propozimet e paraqitura nuk përmbushnin kriteret ligjore të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Por, ndryshe nga sa imponon ky i fundit dhe aktet nënligjore të nxjerra nga organet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (në vijim “KQZ”), këta anëtarë nuk kanë proceduar me nxjerrjen e një vendimi, në mënyrë që më pas subjektit PDSH t’i jepej mundësia e ankimit pranë Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (në vijim “KAS”)”, thuhet në padinë e depozituar në SPAK. Partia Demokratike ka paditur gjithashtu edhe kryetarin e bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memollan, i cili akuzohen për blerjen e votave në këtë qytet.
“Kryetari i Bashkisë, Memolla, në materialin e publikuar ka kërkuar që punonjësit e OSHEE të veprojnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës së tyre, për shkak se, siç shprehet Edison Memolla, jemi në zgjedhje dhe debitores, duhet t’i merren ato, çfarë janë për të marrë, duke folur kështu në mënyrë të tërthortë për të pëfituar votën e zgjedhëses, debitore e OSHEE, dhe anëtarëve të familjes së kësaj të fundit, që janë zgjedhës”, thuhet në padinë e ngritur ndaj kryebashkiakut.
/b.h