Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK disa dokumente lidhur me projektin energjitik në digën e Zadejës, me pretendimin se kostoja reale e tij është “fryrë” me 3 herë më shumë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha përmes një deklarate për shtyp se me firmën e ministres Belinda Balluku i janë shkaktuar 5 mln Euro dëm buxhetit të shtetit, në bashkëpunim me drejtorin e KESH Ergys Verdho.
“Në xhepat e kujt kanë shkuar 5 milionë euro plus?”, ishte pyetja që shtroi Bardhi, duke e cilësuar këtë një aferë galopante për të cilën ka prova.
Sipas demokratit, për të njëjtin projekt ndërtimi, privati ka vlerë 3 herë më të ulët.
“Kjo nuk është akuzë politike, nuk është sulm i një kundërshtari politik, është realiteti se si abuzohet me paratë publike, rast flagrant se si qeveria e Edi Ramës iu vjedh sy më sy, një projekt në dukje i parëndësishëm, por që tregon se si Balluku përdor nevojën jetike të vendit për energji me një skemë kriminale që trefishon vlerën e projektit. Mban nga fillimi në fund firmën e Ballukut dhe vartësve të saj, duhet të hetohet pa humbur kohë nga SPAK dhe duhet çuar para drejtësisë. Një projekt po ndërtohet nga shteti, konkretisht nga KESH 8 mln euro, ndërkohë që kur ndërtohet nga privati kushton 3 mln Euro. Kjo ka ndodhur me projektin e ndërtimit të impiantit fotovolatik në digën e Zadejës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 5 mln Euro.
KESH lidhi kontratë për 8.13 mln euro ose 97% e fondit limit, është bërë e zakoshme që fituesit e tenderave janë të paracaktuar dhe nuk kursejnë asgjë, e lidhi kontratën dy, tre herë më shtrenjtë se sa vlera reale me miratim paraprak të zv. kryeministres. Balluku e ka miratuar projektin shtetëror dukë vënë firmën, kur ndërkohë i njëjti projekt u kushtoi investitorëve privat 3 mln Euro. PD i ka vënë SPAK në dispozicion të gjtiha dokumentet që provojnë se njëra prej kompanive fituese kur e ka realizuar projektin më të ndërlikuar për privatin e ka nxjerrë vlerën 365 mijë euro për megavat. E njëjta kompani e ka nxjerrë çmimin 3 herë më të lartë, 985 mijë euro për megavat. Te privati nuk vidhet, ndërsa te Balluku me klanin e saj vidhet, gati trefishi i projektit. Në dokumentet që janë dorëzuar në SPAK kam vënë në dukje dhe Ergys Verdhon si drejtor i KESH që bashkë me Ballukun e kanë lejuar me dashje këtë projekt, pasi kanë pasur informacion për kostot”, deklaroi Bardhi.
/a.r