Dje Partia Demokratike ka festuar 25 vjetorin e krijimit të saj. Çuditërisht, festa e themelimit u mbajt më 11 dhjetor ndërkohë që themelimi i PD daton më 12 dhjetor .
Ajo që ra në sy në përvjetorin e 25-të të Partisë Demokratike ishte mungesa e përfaqësuesve të partive simotra europiane. Duke qenë se festa e djeshme përkonte me 25 vjetorin e themelimit, përvjetor jubilar për PD-në, partitë simotra si “Forca Italia”, “Kristian-Demokratët e Gjermanisë” dhe parti të tjera të EPP(Partitë Popullore Europiane), duhet të ishin prezentë. Mos prezenca e tyre në përvjetorin e themelimit të PD-së nuk kishte ndodhur prej vitesh.
Fizikisht në sallë nuk ka pasur asnjë përfaqësues të EPP, ndërsa kryetari i EPP, Josep Daul ka qenë i vetmi që ka uruar 25-vjetorin e themelimit të PD-së nëpërmjet një video mesazhi. Por a është e mjaftueshme, në këtë kohë krize për PD-në një video-mesazh që për më tepër i bën thirrje demokratëve të braktisin protestat për të vazhduar “betejën” në Parlament?
Fatkeqësisht për demokratët por edhe për Lulzim Bashën, Partia Demokratike duket e braktisur nga simotrat. Kjo edhe për faktin se miqtë dhe aleatët e Partisë Demokratike, nuk kanë munguar as në përvjetorin e vitit të mbrapshtë të 1997-ës.
Përfaqësuesit e partive simotra jo vetëm që nuk ishin të pranishëm, por ende nuk dihet nëse kreu Lulzim Basha të ketë marrë ndonjë telegram apo mesazh për këtë 25 vjetor të themelimit. Për fat të keq, duket që PD ka një braktisje nga partitë simotra edhe pse pak javë më parë Lulzim Basha trumbetoi pjesëmarrjen e EPP.
Natyrisht që për këtë fakt opozita mund të përdorë justifikimin se Partitë Popullore Europiane kanë qenë të angazhuar në aktivitetet e tyre apo mund të mjaftohen me pritjen që Presidenti Nishani i bëri disa ditë më parë përfaqësuesve të partive simotra. Por këto justifikime do të përbenin një skandal pasi partitë simotra të PD-së nuk kanë vetëm një drejtues dhe më e pakta do të ishte dërgimi i një përfaqësie modeste. Gjithashtu, përfaqësuesit që u pritën nga Presidenti Nishani mund të vijonin vizitën e tyre edhe një ditë më shumë për të qenë të pranishëm në 25-vjetorin e krijimit të PD-së.









