Partia Demokratike akuzoi deputetin socialist Xhemal Qefalia se ka përfituar para nga fondet publike.
Grida Duma, deklaroi nga selia blu se Qefalia ka përfituar 6.7 miliardë lekë tendera nga buxheti i shtetit në firmën që sipas saj deputeti e ka në emër të nipërve.
“Firma e deputeteti socialist Qefalia ka pasur një aktivitet modest dhe në 2013 nuk ka marrë asnjë lekë nga buxheti i shtetit, por pasi Edi Rama erdhi në pushtet rezulton se deputetit të tij Qefalia i ka ndritur fati dhe ka marrë jo pak por 6 miliardë e 700 milionë lekë tendera në tre vite. Njëlloj si në rastet e tjera, si ai i Sadriut, Qefalia fshihet pas emrave të nipërve. Kemi dokumentacionin e plotë si firma kalon në emër të nipave sa për një formalitet. Ndërsa të gjithë e dinë që është deputeti dhe vëllezërit e tij që ndajnë llokmat e buxhetit të shtetit”, u shpreh Duma, ndërsa ftoi qytetarët në protestën e opozitës në 18 shkurt.
/a.m.