Sheshi “Avni Rustemi” dhe tregu i “Pazarit të Ri” do të ndryshojnë pamje, pasi siç premtoi pak ditë më parë, kryebashkiaku Erjon Veliaj ka një projekt konkret për ta kthyer këtë zonë në pedonale pasditeve.
Por pavarësisht fjalës së Veliajt për ta kthyer në një atraksion turistik ka pasur debate të shumta dhe replika nga ana e demokratëve, duke e akuzuar se projekti që ai ka prezantuar është në fakt i lënë gati në dokumente në tavolinë për Erion Veliajn nga ish-kryebashkiaku Lulzim Basha.
Këtyre pretendimeve i jep përgjigje vetë kryetari Veliaj i cili thotë për A1 Report se zhvillimi i zonës së Pazarit të ri është projektuar nga Fondi Amerikan i Zhvillimit dhe se projekti do të nisë të realizohet nga bashkia e re e Tiranës në muajin tetor.
“E vërteta është shumë e thjeshtë. Nuk ka asnjë projekt ose nuk gjetëm asnjë projekt në Bashkinë e Tiranës. Ky ka qenë një projekt i Fondit Amerikan i cili ka kërkuar nga Bashkia e Tiranës që të bashkohet dhe të japë idetë e veta, sigurisht dhe financimin. Bashkia as nuk kontribuoi në projekt as nuk kishte asnjë zë në buxhet për financimin, kështu që kjo është pjesë e atyre historive me tramin imagjinar. Megjithatë bota është ndarë qartazi në ata që punojnë dhe në ata që do bëjnë konferenca për shtyp, kështu që unë kam ndërmend të punoj”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj për A1 Report.
Projekti parashikon që Pazari i Ri në sheshin “Avni Rustemi” të kthehet në një atraksion turistik për t’i shtuar kështu Tiranës edhe një tjetër destinacion.









