Mbi 57 milion euro janë ndarë nga Instrumenti i Para Anëtarësimit II (IPA II) për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë përmes të cilave synohet të forcohen dhe përmirësohen kushtet në këtë sektor.
Programimi i këtyre fondeve të BE-së tanimë ka përfunduar në kuadër të Dokumentit Planifikues Sektorial dhe po ashtu janë hartuar edhe projekte konkrete që lidhen me këtë sektor.
Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, duke sqaruar se ministria që ai drejton ka koordinuar në tërësi programimin e këtyre fondeve. Ndërsa sa i përket implementimit të projekteve, ai ka thënë se një gjë e tillë pritet të ndodh ndërmjet viteve 2016-2018.
“Këto projekte që do të financohen nga BE-ja do të ndikojnë në forcimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural si një prej prioriteteve strategjike të Qeverisë së Kosovës. Në këtë kuadër veprimet e parashikuara do të ndihmojnë në përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit agro-ushqimor në Kosovë, përmirësimin e kushteve të jetesës për popullatë në zona rurale si dhe përmirësimin e sigurisë së ushqimit dhe rritjes së aftësisë së eksportit të sektorit agro-ushqimor”, ka thënë Çollaku.
Në këtë aspekt rol të rëndësishëm do të luaj edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e cila ka thënë se do të ofroj mundësi të shumta për prodhuesit vendor, por gjithnjë nëse përcillet me ngritje të kualitetit dhe kapaciteteve eksportuese.
Ai njoftoi se në kuadër të Dokumentit Planifikues Sektorial për bujqësi e zhvillim rural janë identifikuar dy nënsektorë që do të mbështeten e që janë nënsektori i bujqësisë dhe zhvillimit rural si dhe ai i sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë.
Për të parin, ai sqaron se parashihet dhënie e granteve strukturale që do të fokusohen në mbështetjen e sektorit të prodhimtarisë primare. “Kjo nënkupton mbështetje ndaj fermerëve, industrisë agro-përpunuese dhe diversifikimit rural. Për zbatimin e këtij prioriteti janë parashikuar mbi 32 milion euro”, plotësoi Çollaku.
Në të njëjtën kohë për këtë nënsektor ai tregon se parashikohet të ketë mbështetje edhe në trajtimin e sfidës së ndryshimit të klimës, duke promovuar efikasitetin e burimeve dhe duke mbështetur zhvendosjen drejt një ekonomie me nivel më të ulët të emetimit të karbonit në bujqësi.
Ndërsa për nënsektorin e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë për mbështetjen e tij janë ndarë mbi 9 milion euro.
Me këto mjete ministri Çollaku, njofton se do të mbështetet promovimi i dialogut social dhe transferimi i njohurive e inovacionit, mbështetja për sjelljen e standardeve të sigurisë ushqimore në Kosovë në përputhje me ‘acquis’ si dhe mbështetje do të ketë edhe për përmirësimin e mbledhjes së të dhënave sistematike dhe të besueshme si dhe për gjenerimin e statistikave në përputhje me kërkesat e BE-së.
Projektet që do të përkrahen nga fondet e BE-së sipas Çollakut do të jenë komplementare me fondet e ndara nga Qeveria e Kosovës për sektorin e bujqësisë si një prej sektorëve prioritar.