Deputeti demokrat Astrit Patozi ka theksuar se Partia Demokratike nuk do ta votojë ligjin për importin e mbetjeve pasi sipas tij është tërësisht hipokrit. Gjatë fjalës së tij, Patozi u ndal gjatë tek situata e krimit dhe drogës në vend duke akuzuar qeverinë se nuk ka vullnet për ta luftuar.
“Edhe sikur mos t’i kishte ato problemet e rënda me të drejtat e njeriut, me cenimin e privatësisë apo shkelje të tjera të rënda, ky do të ishte një ligj i pavotueshëm prej nesh. Sepse mbi të gjitha ai është tërësisht hipokrit. Do ta shpjegoj më poshtë përse.
Në pamje të parë, duket sikur qeveria po kërkon ndihmën e teknologjisë për të luftuar krimin në Shqipëri. Por unë e kam të vështirë ta besoj këtë. Sepse mendoj që në përballjen me krimin nuk kanë asnjë vlerë të kesh më shumë sy, kur të mungon zemra dhe kjo qeveri na ka dhënë prova të plota në këto tre vjet se nuk ka asnjë grimë vullneti për ta kryer këtë detyrim”, tha ai.
Për sa i përket kultivimit të kanabisit, Patozi akuzoi qeverinë se u ka dhënë licencë bandave për të ushtruar qetësisht biznesin e drogës dhe është edhe vetë e përfshirë në këtë aktivitet të rëndë kriminal.
Deputeti demokrat ka ironizuar deklarata e Ministrit të Brendshëm, duke shtuar se nëse do kishte nëndetëse, droga do të transportohej edhe me to.
“E di se shumë prej jush, sidomos ministri i Brendshëm, e kanë në majë të gjuhës pretendimin se qeveria po bën aq sa mundet, dhe se kanabis është kultivuar edhe në të shkuarën, por jeni krejtësisht të pabesueshëm kur e thoni këtë. Kam dëgjuar justifikimin me qesharak për pafuqinë e qeverisë, kur Saimir Tahiri tha se nuk kemi pse habitemi nga avionët në Shqipëri, sepse në Amerikë droga transportohet edhe me nëndetëse. Dhe për ta çuar deri në fund shakanë e tij, unë po them sot se ne nuk e ndjekim dot shembullin e Amerikës thjesht për faktin se nuk kemi nëndetëse. Se ato katër që kishim në Pashaliman i nxorëm në pension, mesa di njëra prej tyre, e famshmja 105, shërben tani si muze. Sepse po të ishin në punë sot ato nëndetëse, do ta bënin tre herë në ditë, me shpesh se tragetet, rrugën Vlorë-Bari”, deklaroi Patozi.
Patozi akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama se ka vënë pistën në Ishëm në dispozicion të trafikantëve.
“Kam dëgjuar Edi Ramën të mburret para shumë kohësh se qeveria e tij, ndryshe nga paraardhëset, ka marrë në kontroll të plotë territorin. Duke e besuar atë plotësisht, e akuzoj sot se një pjesë të këtij territori, atë pistën për avionë sportivë në Ishëm, e ka vënë në dispozicion të trafikantëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë të drogës. Dhe kam frikë se nuk është e vetmja, sepse ajo u zbulua për shkak të një aksidenti, kur avioni u rrëzua, jo se e kapi policia. Dhe është jashtë çdo dyshimi se një gjendje e tillë prodhon dëshpërim dhe depresion kudo në Shqipëri, por ne nuk duhet ta konsiderojmë atë si një fatkeqësi natyrore, por si një të keqe që mundet dhe duhet shkulur”, tha Patozi.
Ai tha se Shqipëria po trajtohet për ditë e më shumë si Kolumbia e Europës, por se opozita nuk mund të marrë kosën e të korrë vetë hashashin. Patosi deklaroi se Edi Rama na tund ksi krenarist i kanabizmit heshtjen e diplomatëve të huaj, si një provë të mjaftueshme se droga nuk ekziston në Shqipëri.
“Ka nga ata, që në mungesë të çdo shprese për reflektim nga kjo qeveri, i kërkojnë opozitës që të marrë në dorë kosën dhe t’i korrë vetë arat e mbjella me hashash, si zgjidhje të vetme. Inovatore është si ide. Por problemi është, se sipas meje Partia Demokratike nuk mund të bëhet si FARC-u, edhe pse Shqipëria po trajtohet për ditë e më shumë si Kolumbia e Europës. Për aq kohë sa ajo beson se do ta mundë dhe do ta rrëzojë me votë këtë qeveri, dhe jo me armë apo me revolucion. Ka edhe të tjerë, që jo domodoshmërisht mund të jenë të majtë, që mendojnë se kanabisi është një mënyrë mbijetese për shumë familje të varfra, të cilat nuk kanë asnjë mundësi tjetër nga qeveria e tyre.
Para disa kohësh dikush, më shkroi një mesazh, pasi fola në parlament për drogën. Më thoshte pak a shumë, se kishte pasur respekt për mua, por kishte ndryshuar mendim, sepse sipas tij me hashashin hanin bukë shumë shqiptarë. Sigurisht, që unë nuk mund të kem debat me të dhe as me qindra apo mijëra shqiptarë të tjerë që për shkak të mungesës së një alternative tjetër, mendojnë se kultivimi i drogës është punë si gjithë të tjerat. Unë debatin e kam me këtë qeveri, e cila pasi i vari vetes në gjoks medaljen e trimërisë pas ndërhyrjes në Lazarat, nuk la cep të Shqipërisë pa qëndisur me hashash. E kam me këtë kryeministër, i cili një javë më parë, na foli për farën e re të kanabisit, që po aplikojnë trafikantët, e cila jepka më pak prodhim, si një sukses të paparë kësaj qeverie. Dhe kjo më kujton atë helmin që do ia jepnim miut, pasi ta kapnim, që ai të ngordhte. Pra të mos shohim gunën, po të shohim punën, sepse nuk është ashtu siç duket. E kam me Edi Ramën që na tund këtu si krenarist i kanabizmit heshtjen e diplomatëve të huaj, si një provë të mjaftueshme se droga nuk ekziston në Shqipëri. Madje mezi pret që dikush prej nesh të thotë ndonjë fjalë, se e ka gati akuzën, që jemi, jo vetëm më të këqij, se kriminelët, por edhe armiq të perëndimit”, deklaroi ai.
Sipas Patozit, ‘kjo qeveri tashmë ka humbur çdo shans që ta mposhtë këtë flamë kombëtare, edhe sikur një ditë të zgjohet nga drogimi i gjatë dhe të kërkojë ta ndalojë’. Ai tha se misioni i opozitës është ‘ta korrë’ këtë qeveri.
“Natyrisht, unë nuk jam aq naiv sa të mendoj se shpëtimin për të gjitha problemet tona duhet ta kërkojmë tek partnerët ndërkombëtarë. Ato janë në radhë të parë betejat tona, të cilat nuk duhen shmangur, por duhen fituar. Por thënë këto, nuk e kam fare kompleks të shpreh edhe një lloj habie për sapo ndodh, sepse gjykoj se beteja me trafikun e drogës është një sfidë globale, në krye të së cilës qëndrojnë SHBA dhe BE.
E kam shumë të vështirë të pranoj krekosjen e ministrit të Brendshëm, që na tregon nëndetëset e drogës në Amerikë, për të përligjur plantacionet e hashashit kudo në Shqipëri. Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara njëri nga dy kandidatët për President e ka si tezë kryesore të fushatës ngritjen e një muri me Meksikën, për shkak të drogës që vjen prej andej, jo për ndonjë arsye tjetër, se Amerika ka gati 20 përqind të popullsisë hispanike. Ndoshta, ne s’do të donim që ai të bëhej president, por atë e vendosin amerikanët. Për shkak të kësaj qeverie, kemi mbërritur në një pikë sa duhet t’i kërkojmë ndjesë Koço Kokëdhimës, për gjitha sa kemi thënë kundër tij, kur shpalli platformën e legalizimit të hashashit. Jo se kemi ndërruar mendje dhe na duket ide interesante tani.
Por, se po të ishte aplikuar ajo, ndoshta dëmin do ta kishte më të vogël se sa hashashizimi klandestin i Edi Ramës. Kjo qeveri tashmë ka humbur çdo shans që ta mposhtë këtë flamë kombëtare, edhe sikur një ditë të zgjohet nga drogimi i gjatë dhe të kërkojë ta ndalojë. Sepse po e lë të mbillet dhe kultivohet, për vite me radhë, dhe kjo është evidente, nuk ka asnjë mundësi më ta ndalosh të eksportohet, edhe sikur të mobilizosh armatën e madhe të Kinës. Le që nuk ka asnjë shenjë që të besosh te kjo mrekulli. Sepse presioni i parasë i tillë është, shndërrohet në ortek. Ne e kemi provuar një herë me piramidat, kur shteti shkoi në kolaps, edhe pse vetë qeveria pati zero implikim tek firmat rentiere. Përfytyro çfarë ndodh tani kur qeveria është ulur këmbëkryq mbi dengjet e kanabisit. Ndaj edhe për këto arsye, opozita nuk ka për mision të korrë kanabisin, por duhet të korrë këtë qeveri”, tha deputeti i PD, Astrit Patozi.
RAMA: PO BËHESH PJESË E NJË KORI QESHARAK
Në përgjigje të akuzave të deputetit Patozi, kryeministri Rama tha se raportet e huaja tregojnë se ky fenomen po luftohet në masë të madhe dhe se ndryshe nga e kaluara që lejohej publikisht, është duke u shkatërruar çdo ditë.
“Ku e ke dëgjuar ti Astrit nga unë që droga nuk ekziston, përkundrazi unë kam thënë një gjë tjetër, që ky është një fenomen që nuk lindi me këtë qeveri. Kjo qeveri e trashëgoi dhe po e lufton ballë përballë me rezultate shumë evidente dhe ka detyrën ta vazhdojë ta luftojë sepse nuk është fenomen i shfarosur.
Ke qenë kreu i grupit të PD, në qeverisjen tënde në Shqipëri ka patur sipërfaqe të mbjellë me hashash në një sasi që është shumë herë më e madhe se sa sasia e mbjellë gjatë gjithë kësaj periudhe që qeverisim ne. Nëse deri në 2013 nuk kishte asnjë vullnet për ta luftuar këtë, kishte qëndrim publik për ta mbrojtur dhe maksimumi që keni arritur ishte shkatërrimi i vetëm 7 % të plantacioneve me këtë qeveri sipas Guardia di Finanza është shkatërruar 96% në njërin vit, 97% në vitin tjetër dhe presim rezultatin e këtij viti.
Ka njëmijë e një arsye për të bërë opozitë, për të akuzuar këtë qeveri por nuk mund të godisni qeverinë për këtë. Mos u merrni me historira avionësh se avioni për të cilin flisni u nis nga Italia dhe autoritetet italiane sot e gjithë ditën nuk kanë asnjë informacion. Unë nuk kam parë që opozita në Itali të çohet dhe të bëjë marrëzira si këto që po bëni ju, megjithëse fenomeni i drogës është i pakrahasueshëm.
Si ua thotë goja Shqipëria po bëhet si Kolumbi, si nuk ju vjen zor?! Më tregon murin e Meksikës që po ngrihet për të penguar drogën, jo mo Astrit sot e gjithë SHBA dhe vendet e BE kanë probleme me drogën në ajër edhe në tokë. Po bëhesh pjesë e një kori qesharak. S’kam kompleks nga raportet e të huajve. Ku e sheh këtë fenomen, nëpërmjet Saliut?”, tha Rama.