Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se, “po punohet me prioritet për pastrimin e kanaleve kullues dhe vaditës, në të gjithë territorin e vendit, për të ndihmuar fermerët për më shumë akses në vaditjen e tokave buqjësore”.
Ministrja informoi se, Drejtoria e Ujitje-Kullimit të rajonit Elbasan, Korçë po çliron kanalin e Durrësit nga bllokimet shumë vjeçare, me një gjatësi prej 6.5 kilometrash që përshkon 2000 hektarë toka prodhuese me vreshta, foragjere, misër etj., në zonën e Cërrikut.
“Jemi angazhuar t’i përgjigjemi kërkesës së fermerëve në këtë zonë, të cilët rrezikonin t’u përmbytej sipërfaqja e tokës gjatë sezonit të shirave, ndërsa tashmë me pastrimin e plotë të kanalit, infrastruktura kthehet optimale për kullim duke eleminuar rrezikun e përmbytjeve”, u shpreh Krifca.
Gjithashtu theksoi ministrja, jemi duke punuar në rrjetin kullues në të gjithë territorin për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për fermerët tanë, që ata të punojnë e të prodhojnë të mirat e tokës shqiptare gjatë gjithë vitit.
/a.r