Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi sot një takim me ambasadorin gjerman, Peter Zingraf ku u diskutua mbi intensifikimin e bashkëpunimit shqiptaro–gjerman përgjatë vitit 2020. Denaj informoi ambasadorin dhe përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane për vendimet e fundit të qeverisë mbi programet e punësimit dhe nxitjen e riintegrimit në tregun e punës të qytetarëve të larguar, si pasojë e COVID-19 dhe mbi iniciativat fiskale në mbështetje të sektorit privat, me fokus biznesin e vogël.

Ndërkohë, ambasadori Zingraf bëri me dije alokimin e një fondi shtesë prej 10.5 milionë euro për bashkëpunimin ekonomik dhe teknik mes dy vendeve, për periudhën 2020–2021, në mbështetje të ndikimit të pandemisë Covid-19, të përqendruar veçanërisht në mbështetjen ndaj SME-ve, zhvillimit dhe promovimit të tyre, por edhe zonave rurale dhe arsimit profesional.
“Rritja e angazhimit dhe mbështetja në situatat e tërmetit dhe pandemisë janë dëshmi e bashkëpunimit të fortë bilateral. Prioritetet e përbashkëta dhe orientimi i punës së qeverisë dhe partnerëve gjermanë në sektorët më me peshë në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve kanë qenë kyç në bashkëpunimin e vazhduar.” tha ministrja Denaj.












