Nga Bajram Peçi
Pas krimeve mizore në vitin 1914, që ushtria greke kreu në Kurvelesh e Labëri ish kryeministri i Greqisë, Venizellos, deklaroi se, “…le të kishte dhe 15 milionë shqiptarë, vetëm Labëri të mos kish”! Dhe, në një farë mënyre, rrjedha e historisë ja plotësoi dëshirën deri diku! Kjo racë, që Venizellos dhe të tjerë shtetarë grekë rrotull tij, i trembeshin aq shumë, pak nga pak ndër vite, filloi të humbasë tiparet, u flashk, u shpërbë.
Nuk ndodhi kjo menjëherë, u deshën vite e ngjarje! Fillimisht ishte sistemi komunist që ndikoi me politikat e tij në shpërbërje e bastardim. Labit kurveleshash, zemra e krahinës të cilës Venizellos i trembej aq shumë, i mori përmes kolektivizimit tokën, që për të ishin sinonim i atdheut; i mori kullotat e bagëtinë dhe e la në mjerim një krahinë të cilës në shekuj nuk i kish munguar mishi, qumështi, gjalpi, djathi e veza.
Kur sistemi komunist u shemb, rrënojat e saj nuk mund të mos zinin nën vete edhe popullin e Kurveleshit! Tashmë me kufij shtetërorë të hapur, fshatrat e saj filluan të zbrazen gradualisht. Fshati i të parëve të mi, Kuçi ka ngelur me jo më shumë se 150 shtëpi nga afërsisht 600 që ka pasur. Ai u zbraz parasë gjithash nga të rinjtë, të cilët zgjodhën emigracionin në Greqi si të ardhme të jetës së tyre. Janë vendosur atje prej vitesh, kanë krijuar familje, shumë prej tyre nën presionin e punësimit kanë ndryshuar emrat, në vendlindje vijnë gjithnjë e më rrallë, ndihmat për pleqtë që kanë lënë pas sa vijnë e pakësohen. Fëmijët e lindur më së shumti edhe në familje flasin greqisht. Kjo është e vërteta, të cilës nuk mund t’i shmangesh dot!
Ata nuk e braktisën atdheun me dëshirë, ishin të shtrënguar nga sistemi që sundoi e që i la të varfër e në mjerim. Bashkë me urimin që emigrantëve t’u shkojë mbarë jeta e tyre dhe e familjes, duhet përmendur njëherësh se malli i tyre për malin e Vetëtimës, të Çikës e për Lumin e Shushicës është i pashtershëm. Këtë e pamë edhe në festën që Kuçi organizoi në 23 gusht 2022, kur priti dhe festuan së bashku disa mijëra emigrantë, bij, bija e nipër kuçjotë.
Kur partia Socialiste, në projektin e saj të reformës miratoi ligjin 115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” ndryshoi (?!) nenin 108 të Kushtetutës, në të cilin përcaktohet se njësi të qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë. Ishte një vendim i drejtë që u jepte fund zullumeve e çoroditjeve të kryetarëve matrapazë të komunave, e që ua kalonte kompetencat e tyre bashkive. Komunat i linte jo si të qeverisjes, por si njësi të thjeshta administrative.
Dhe kështu lexues i nderuar, Komuna Hor-Vranisht u suprimua si njësi qeverisjeje dhe qeverisja e 5 fshatrave të Kurveleshit ju kalua Bashkisë Himarë. Ky bashkim nuk pati të mangut edhe shpjegimin “historik” se këto fshatra quheshin Himarë! Kuptohej se kjo bëhej për të penguar lëvizjen ultranacionaliste të Agimit të Artë, parti kjo fashiste në Greqi (tashmë e ndaluar me ligj), por me shumë ndikim e përkrahës në Himarë. Ky bashkim patjetër që do sillte edhe rritjen e votave për të majtën. Dhe kështu ndodhi!
Bashkinë Himarë e drejton prej 8 vjetësh e majta, me kryetar Gjergji Goron. Është ky që ka vendosur të ndërtojë një ujësjellës që do marrë ujin e burimeve të Lumit të Shushicës dhe do e dërgoj në qytetin e Himarës. Afërmendsh që kjo nuk do ndodhte kurrë dhe askujt nuk do i shkonte ndërmend nëse këto fshatra të Kurveleshit të Poshtëm do vetëqeveriseshin nga komuna Hor-Vranisht? Lojrat politike zgjodhën Himarën për t’i qeverisur lebrit.
Kush do guxonte ta mendonte këtë më parë!? Kuturisja e “juristëve”, që propozuan këtë bashkësi qeverisje, me siguri nuk i ka menduar pasojat!
Në pragun e zgjedhjeve të bashkive nëpunësit bashkiakë himariotë nxitojnë ta ndërtojnë sa më parë këtë ujësjellës. Ata do i gëzoheshin më së shumti jo shtimit të ujit për banorët, por vëndeve të tyre të punës.
Ka pasur plot versione të tjera, mbase më të lira ekonomikisht, prej ku Himara mund të merrte ujë, por u zgjodh Kuçi se e ka në vartësi qeverisjeje dhe se atje ata nuk shohin ndokënd që t’u dali për zot! Gjergji Goro dhe administrata e tij e dinë mirë se çfarë pasoja ka për zonën dhe jetën e banorëve marrja e ujit të burimeve të Shushicës! Shtrati i thatë e pa ujë do zgjatet 10-15 km, deri kur në të, rrjedhës, të derdhen përrenj e burime të tjera. Në këto rrethana zemra e Labërisë do zbrazet edhe më nga banorët e saj, sepse jeta pa ujë bëhet e pamundur për blegtorinë e bujqësinë.
E gjithë kjo ndodh kur sapo është mbyllur sipari i një shfaqjeje në Tepelenë, ku kryeministri Rama, Ministrja Kumbaro dhe shefi ekzekutiv i CEO Patagonia, Ryan Gillert, e shpallën Vjosën, luginën e saj, me degët Shushicë, Drino e Bënçë, Park Kombëtar. Ska problem se ka një ligj për Parqet Kombëtare! Pushteti i kohëzgjatur e ka tipar nëpërkëmbjen dhe arrogancën.
Paturpësia e sipërmarrjes, injorimi i banorëve, bëhet edhe më alarmante kur deklarohet në kronikat TV se Bashkia Himarë ka organizuar sipas ligjit dëgjesat dhe është marrë pëlqimi i komunitetit të banorëve, ndërkohë që ata e dinë mirë se gjithçka sa pohojnë është një gënjeshtër! Dhe nuk do vonojë që kjo gënjeshtër të provohet nga protestat e banorëve (që nuk do vonojnë) dhe hetimi SPAK, të cilës po përgatitet t’i drejtohet Shoqata Atdhetare-Kulturore “Vëllazërimi Kuçjot”.
Është për të ardhur keq që Shoqata “Labëria” në Tiranë dhe dega e saj në Vlorë, shohin ç’po ndodh dhe nuk ndjehen! “Banorët e labërisë, që prej kohësh të moçme, e quanin veten e tyre arbër dhe vëndit të tyre i thoshin Arbëri”, shkruante para plot 150 vjetëve Johann Georg von Hahn. Këtë popull kish parë atje, G.von Hahn, popull i cili është atdheu, por që mesa duket nuk është më ai që pa babai i albanologjisë. Në shpërbërjen e tij, të lebërve-arbërve dhe labërisë-Arbërisë, ndihmon shumë edhe lënia pa ujë e banorëve. Tani, të presim e shohim: pas kësaj që po i bëjnë Kurveleshit të Labërisë, do nxitojnë vallë tja japin votën Gjergji Goros?
Po ti o Bajram, pse nuk rikthehesh vetë me gjithë grua, plus edhe femijët e tu, përseri në Kuç ?
Kaq.