Riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në atdhe, historiani i njohur Paskal Milo e vlerëson si një veprim që duhet ta kishin bërë edhe më parë qeveritë shqiptare pas 1990-s. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, profesor Milo e cilëson Mid’hat Frashërin si një figurë me dritëhijet e veta.
Ai e vlerëson për kontributin e tij të shquar në fushën e letrave, kulturës dhe albanologjisë. Gjithashtu, edhe në diplomaci Mid’hat Frashëri, sipas profesor Milos, ka sjellë kontribute për qëndrimet e tij gjatë kohës kur ka shërbyer si ambasador i Zogut në Greqi. Por historiani i njohur sheh shumë defekte në aktivitetin politik të Mid’hat Frashërit, që nga koha e qeverisë së Ismail Qemalit, por dhe mungesës së reagimeve të forta edhe gjatë qeverisjes nga Ahmet Zogu.
Por gabimet më të mëdha të Mid’hat Frashërit në qëndrimet e tij politike, sipas historianit të njohur kanë të bëjnë me pozicionimin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur themeloi Ballin Kombëtar dhe bashkëpunimin me pushtuesin e huaj. Milo sjell në vëmendje marrëveshjen që Balli Kombëtar nënshkroi me gjeneralin Renco Dalmaco në vitin 1943, para Mukjes për veprime të përbashkëta me trupat italiane të pushtimit kundër forcave antifashiste.
I pyetur nëse sheh një handikap në vlerësimin e figurave të tilla historike që krijojnë debat, si Mid’hat Frashëri apo Enver Hoxha, historiani Milo shprehet se ashtu si dhe Mid’hati, për të cilin nuk guxoje të flisje deri në vitin 1990, edhe për vlerësimin e Enver Hoxhës duhet të kalojnë vite dhe vendi të tejkalojë klimën e nxehtë konfliktuale politike që mbizotëron sot, e cila sipas tij, “vazhdon të ushqehet fuqishëm me armiqësitë e thella të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe përjetimet e mëdha të luftës së klasave në komunizëm, nuk lejojnë gjykime objektive”.
Kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit është i vonuar, mund të ishte bërë më parë, duhet të ishte vlerësuar më parë?
Kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit si dhe kthimi në atdhe i eshtrave të njerëzve të tjerë që kanë pasur një kontribut në historinë shqiptare ose që në fund të fundit kanë qenë shtetas shqiptarë, është një e drejtë e ligjshme dhe e pakontestueshme nga pikëpamja njerëzore dhe kjo nuk duhet të ketë asnjë diskutim. Flasim për një të drejtë që, në kohën e komunizmit për kategorinë e njerëzve si Mid’hat Frashëri nuk ekzistonte. Në demokraci, e drejta dhe liria njerëzore për t’u prehur përjetësisht atje ku dëshiron është sovrane dhe e patjetërsueshme.
Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për këtë të drejtë universale njerëzore. Është rasti për një kategori veprimtarësh, personalitete historike të shquara në fusha të ndryshme të aktivitetit jetësor, që vlerësohen për veprën e tyre dhe u bëhet një trajtim me një ceremonial të caktuar shtetëror. Në vendet me tradita demokratike të rrënjosura ka kritere të përcaktuara rigorozisht strikte për vlerësimin e kontributeve të njerëzve të shquar të kombit dhe për vendosjen e eshtrave të tyre në panteonin e memories historike. Këto kritere nuk janë subjektive, nuk ndryshojnë me rotacionin politik të partive dhe as nga gjykimet apo shijet subjektiviste të kryetarëve të shteteve apo qeverive.
Në Shqipëri, si për shumë e shumë gjëra të tjera, edhe nismat për vlerësime të figurave historike në këto afro 30 vitet e fundit janë marrë në shumicë rastesh në mënyrë krejt subjektiviste, shpesh si qoka për një person, familje apo fshat. Vetëm në Shqipëri ka ndodhur që janë dekoruar ose u janë ngritur buste e statuja edhe kriminelëve të mirënjohur të luftës e bashkëpunëtorëve të hapur të nazifashizmit. Ka shumë njerëz të shquar që kanë sakrifikuar jetën duke shërbyer, personalitete të kulturës, të artit, të arsimit e të shkencës që duhej të vlerësoheshin e të hynin në fondin e artë të memories historike të kombit. Të vijmë te thelbi i pyetjes suaj.
Pa dyshim që eshtrat e Mid’hat Frashërit natyrshëm duhej të preheshin me kohë në atdheun e tij, aq më tepër që ka qenë edhe një dëshirë e tij për së gjalli. Por çështja shtrohet se kush duhej ta bënte? Mid’hat Frashëri nuk krijoi familje të vetën e për rrjedhojë nuk pati interesim e aq më tepër në kushtet politike në Shqipëri pas vdekjes së tij. Atëherë mbetej alternativa tjetër: grupe njerëzish të afërt, shoqata, fondacione e simpatizantë të personalitetit ose të ideve të tij.
Por kjo nuk ndodhi në Shqipëri, ndonëse është folur e shkruar shumë gjithë këto vite për pinjollin e Frashërllinjve. Qeveritë që kanë qenë në krye të vendit deri tani nuk e kanë vlerësuar kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit si një akt ose përparësi apo edhe si një obligim të përcaktuar mbi bazën e një ceremoniali kriteresh të formuluara me konsensus. Pyetja shtrohet: Kush dhe përse?
Si për mjaft “thyerje” të tjera tabush e dalje jashtë skemave tradicionale, qeveria Rama që sheh më tepër efektet publike të shfaqjes sesa thelbin e veprimit, vendosi dhe ndërmori aktin e kthimit të eshtrave. Njerëzore për nga mesazhi, e diskutueshme për shkallën e nderimit.
Ka krijuar njëlloj debati fakti që një qeveri e majtë, kur kanë kaluar dy të djathta, riatdheson eshtrat e themeluesit të Ballit Kombëtar. Si e shikoni ju këtë?
Përtej këtyre thjeshtëzimeve me prapavijë politike, figura e Mid’hat Frashërit duhet gjykuar në kompleksitetin e vet. Këtu nuk është fjala se kush e bën dhe përse e bën. Po të qëndrojnë vetëm në rrafshin politik, do të zhyteshim përsëri në atë pellg të madh të së shkuarës për t’i ndarë njerëzit me thikë për kontributet e tyre historike. Mendoj se qeveria aktuale, pa i shtuar emërtesat e majtë ose e djathtë, këtë personalitet të historisë shqiptare e ka trajtuar thjesht përmes veprës së tij si njeri i kulturës dhe i albanologjisë dhe jo me konceptin politik. Vetëm kështu figura e Mid’hat Frashërit meriton më tepër respekt. Nëse do të shtrohej çështja e kontributeve të tij apo dhe qëndrimeve të tij politike, kjo do të ishte një çështje tjetër që hap diskutime. Sepse është e njohur me fakte dhe dokumente se jeta politike e Mid’hat Frashërit në vitet e Luftës së Dytë Botërore nuk i bën nder atij. Kontributet e tij janë më të mëdha si njeri i kulturës, diplomacisë dhe albanologjisë. Këtu duhet qëndruar në rast se duam ta nderojmë dhe respektojmë këtë figurë.
Po në fushën e diplomacisë, cili ka qenë kontributi i Mid’hat Frashërit?
Kontributet e tij duhen njohur dhe në fushën e diplomacisë. Në mënyrë të veçantë Mid’hat Frashëri ka spikatur me veprimtarinë e tij si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë në vitet 1923-1926. Gjithashtu dua të nënvizoj se ai u largua nga misioni i tij diplomatik në shenjë proteste kundër marrëveshjes që Ahmet Zogu bëri me jugosllavët për dhënien e Manastirit të Shën Naumit dhe të Vermoshit. Ka dy dokumente të rëndësishme, letra që ai i drejton Ahmet Zogut në këtë kohë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë nga Athina, në të cilat kundërshton këtë marrëveshje dhe paralajmëron Zogun për rrjedhojat që do të vinin prej saj. Në pozitën e tij si ministër fuqiplotë në Athinë në një kohë ndryshimesh dinamike si në Greqi e Shqipëri, Mid’hat Frashëri dëshmoi të gjithë pasurinë e tij profesionale, intelektuale e kulturore. Përmes këtyre cilësive, ai përfaqësoi me shumë dinjitet vendin e tij dhe përballoi vështirësitë e negocimeve për të mbrojtur interesat shqiptare e veçanërisht për të penguar largimin e shqiptarëve nga Greqia në Turqi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lozanës në janar 1923. Mid’hat Frashëri ka meritën se kontribuoi në përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke në vitet 1924-1926, kur edhe në krye të qeverisë e të shtetit grek u ndodhën arvanitas të shquar si Theodhoros Pangallos, i vjetri e të tjerë.
Nga ana historike, a mbetet Mid’hat Frashëri një kolaboracionist?
Nëse më detyroni të shprehem për Mid’hat Frashërin si politikan apo për ta trajtuar figurën e tij në rrafsh politik, po e them me bindje të plotë dhe me argumente të padiskutueshme se ai jo vetëm nuk ka shkëlqyer, por ka gabuar dhe jo në një rast. Mid’hat Frashëri ka gabuar në radhë të parë në vitin 1913, kur braktisi Ismail Qemalin dhe qeverinë e tij dhe u bashkua me Esat Pashë Toptanin. Që para pavarësisë e deri në 1923 ka shkruar disa herë me terma tepër të ashpra e plot akuza kundër Ismail Qemalit. Ai u tërhoq nga jeta aktive politike pas vitit 1926 dhe u mbyll në botën e tij kulturore e letraro-shkencore. Qëndroi neutral ndaj politikave të Ahmet Zogut kur e kaluara dhe formimi i tij nuk ia lejonin indiferencën dhe mbylljen në “kullën e fildishtë” të librarisë së tij famëmadhe. Mid’hat Frashëri gaboi në një moment historik kur njerëz si ai duhej t’i bashkoheshin rrymës së përgjithshme dhe aktive të antifashizmit. Ai u bë kryetari i Ballit Kombëtar, i një force që tradicionalisht duhej të përfaqësonte alternativën politike të djathtë shqiptare, aq sa ajo mund të ekzistonte si e tillë në rrethanat e Shqipërisë së kohës. Mid’hat Frashëri në formim ka qenë liberal, por nuk kishte vullnetin e fortë të veprimtarit politik konsekuent e në terren. Kjo e çoi në kompromise e bashkëpunim dhe me qeveritë kolaboracioniste. Ishte njeri intelektual që nuk rrezikonte të dilte jashtë komoditetit të kësaj jete dhe iu përshtat rrethanave të pushtimit për të ruajtur statusin e mirëqenien. Nacionalizmin e ruajti si trashëgimi familjare dhe më tepër e përdori si filozofi mbijetese dhe jo si flamur aksioni në luftën kundër fashizmit. Vlerat e tij të mëdha si dijetar, njeri i kulturës dhe i shkencës nuk ndikuan në orientimin e tij politik në vitet e luftës. Mid’hat Frashëri si politikan e kryetar i Ballit Kombëtar është një hije e Mid’hat Frashërit si albanolog, bibliofil e antikuarist. Vorbulla e kolaboracionizmit e komprometoi.
Gjatë gjithë aktivitetit të tij apo pas Mukjes?
Pas Mukjes, bashkëpunimi u bë i hapur, shenjat ishin dhënë më parë. Ali Këlcyra, si një nga udhëheqësit e Ballit Kombëtar, ka firmosur marrëveshjen me gjeneralin Renco Dalmaco në vitin 1943, para Mukjes për veprime të përbashkëta me trupat italiane të pushtimit kundër forcave antifashiste. Nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia Mid’hat Frashëri, kryetari i një partie, kur një nga liderët e saj, sigurisht jo vetëm dhe pa pëlqimin e lidershipit të partisë, firmos një marrëveshje të tillë antikombëtare.
Për më tepër, pavarësisht nëse u realizua ose jo një projekt-marrëveshje e iniciuar nga Balli Kombëtar dhe që u bënë hapa për ta realizuar atë në vitin 1944, për krijimin e një shteti të përbashkët greko-shqiptar, ku në fakt forcat shqiptare do të viheshin nën komandën e shtetit grek. Ishte një akt tjetër që tregonte miopizmin politik të Mid’hat Frashërit. Këto fakte janë të njohura, janë publike, janë të dokumentuara pavarësisht që ka njerëz që përpiqen t’i mohojnë ose t’i justifikojnë.
Mid’hat Frashëri duhet vlerësuar, respektuar për kontributet e tij në kulturën, diplomacinë e albanologjinë shqiptare dhe kjo është mëse e mjaftueshme që atij t’i bëhen nderimet e duhura siç i takojnë në këto fusha. Por nëse do të vëmë në balancë kontributet e Mid’hat Frashërit dhe të mjaft njerëzve të shquar të kulturës dhe shkencës shqiptare, pa dyshim që vendosja e tij në memorialin e Vëllezërve Frashëri në Kodrat e Liqenit është një vlerësim sipëror, i tepruar.
Vepra e Mid’hat Frashërit nuk mund të krahasohet as me veprën e të atit të tij dhe as me veprën e xhaxhallarëve të tij. Kryesisht ajo mbetet një vepër e çmuar në rrafshin kulturoro-albanologjik. Si e tillë, unë do të mendoja që vendi i tij do të ishte një bust ose në Akademinë e Shkencave përbri Eqrem Çabejt e Aleks Budës, sepse aty është edhe fusha e tij më e ndritur, ose në Bibliotekën Kombëtare ku ai ka lënë një pasuri të çmuar për Albanologjinë, një pasuri të jashtëzakonshme.
Nisma për të riatdhesuar eshtrat e Mid’hat Frashërit, që ka qenë dhe një dëshirë e tij e lënë si testament, është pozitive, është për t’u mbështetur, por tejkalimi i caqeve të trajtimit duke u nisur nga disa influenca individuale, rrethanore, nuk e bëjnë atë më të madh. Ti jepet Çezarit ajo që i takon, por jo të kapërcehen kufijtë e vlerësimeve realiste për veprën dhe jetën e personaliteteve historike. Historia nuk është pronë e individëve të veçantë që mund të interpretojnë atë si të duan. Ajo gjithashtu nuk është as e qeverive, të cilat tentojnë edhe ta manipulojnë atë për shërbime politike të ditës ose thjesht për të dhënë një model ndryshe në vështrimin e saj, që gjithsesi cenon të vërtetën historike.
Shikoni një paradoks te trajtimi i Mid’hat Frashërit, kur dimë se ishte kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë, vlerësohet me monumente dhe ceremoni, ndërsa personi që ai kërkonte ta përmbyste, Enver Hoxha, ka sot një varr të thjeshtë në varrezat publike të Sharrës dhe e veja e tij nxirret nga shtëpia, një ish-ndërtesë publike për shkak të prishjes së godinës. Mendoni se ende në Shqipëri na mungon objektiviteti dhe proporcionaliteti në trajtimin e historisë dhe personazheve të saj?
Vlerësimi i historisë shqiptare gjithnjë duhet bërë nga largësia e viteve, të cilat lejojnë të gjykohen ngjarjet dhe figurat historike me qetësi, me objektivitet dhe me drejtpeshim. Kështu ndodhi edhe me figurën e Mid’hat Frashërit. Deri në vitin 1990 as që bëhej fjalë dhe as i shkonte ndërmend një njeriu normal të sillte eshtrat e Mid’hat Frashërit në atdhe. Ato nuk u sollën as në këto 28 vjet, kur vendin e kanë qeverisur edhe qeveri të djathta. Ndërkohë që figura të tjera të historisë shqiptare me dimensione shumë herë më të mëdha në pikëpamje historike por edhe politike, mbeten pengje të asaj ndasie të madhe politike ndërshqiptare që i ka rrënjët në Luftën e Dytë Botërore. Për figurën e Enver Hoxhës, Shqipëria e sotme nuk është në gjendje të përballojë një debat e një veprim politik. Klima e nxehtë konfliktuale politike sot, që vazhdon të ushqehet fuqishëm me armiqësitë e thella të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe përjetimet e mëdha të luftës së klasave në komunizëm, nuk lejon gjykime objektive. Do të duhet një moment tjetër, vite më vonë. Një shoqëri e traumatizuar dhe e gjymtuar në themelet e saj nga e kaluara, por jo më pak edhe nga e sotmja, do kohë që të shërohet.
ma.me
E çfar rendesie ka se çfar deshiron e flet mercenari historian Paskalis Milos. Ky nuk mund te shpehet ndyshe per shtyllen e kombit shqiptar me emrin Mithat Frasheri. Injorante me dashje si Paskalis Milos nuk percaktojne kulturen dhe historine e kombit shqiptar. Mithat Frasheri ishte kunder sllaveve dhe mbronte pronen shqiptare, prandaj eshte hero kombetar. Kurse kopilja e serbeve me emrin PKSh eshte tradhetarja e kombit dhe shtetit shqiptar. Italia e Gjermania e zmadhuan Shqiperine. Sllavo-komunistet muzhike ne Shqiperi akoma mburren se ishin zagare te Çubriloviçit, Dushan Mugoshes, Miladon Popoviçit, Rankoviçit, Ivo Andriçit etj.
Po PKSh qe ishte kolaboracioniste me serbet gjate dhe pas lufte??????