Garda Revolucionare e Iranit mori përgjegjësinë për sulmin ndaj një cisterne nafte në Ngushticën e Hormuzit, e cila mori flakë, ndërsa paralajmëroi se do të ndjekë dhe ndëshkojë anijet që i konsideron në shkelje, edhe jashtë ngushticës dhe në rajonin më të gjerë. Deklarata vjen pasi agjencitë e sigurisë detare raportuan edhe dy sulme të tjera ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik.
Marina e Gardës Revolucionare iraniane deklaroi se kishte shënjestruar dhomën e motorëve dhe sistemin e shtytjes së cisternës MV Sun Shine, në pronësi të kompanisë Natwit, pasi sipas saj, anija ishte përpjekur të kalonte përmes një rruge të paautorizuar në pjesën jugore të ngushticës. Sulmi shkaktoi zjarr në bord.
Në një deklaratë zyrtare, IRGC paralajmëroi se masat kundër anijeve që konsideron shkelëse nuk do të kufizohen vetëm në Ngushticën e Hormuzit. Sipas saj, çdo anije që përdor rrugë të paautorizuara do të ndiqet dhe ndëshkohet kudo në rajon.
Garda Revolucionare shtoi se kompanitë që akuzohen për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara do të përballen me sanksione dhe se të gjitha anijet e tyre do të jenë në shënjestër.
Ndërkohë, autoritetet iraniane fajësuan ushtrinë amerikane për incidentet në ngushticë, duke e akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje në vendimet e kompanive të transportit detar dhe të sigurimeve, si dhe për pagesa të pretenduara ryshfetesh për të nxitur zbatimin e udhëzimeve të tij.
“Përgjegjësia e drejtpërdrejtë për këto incidente dhe përshkallëzimin e tensioneve në transportin detar në rajon i takon ushtrisë agresive amerikane”, thuhet në deklaratën e IRGC-së.

