Gazmir Ngota është një nga dy të arrestuar për vrasjen e 61-vjeçarit Menduh Kurt-Deda, i cili ka rrëfyer të gjithë krimin makabër se si e lidhën viktimën pas një peme dhe e dogjën të gjallë.
Në dëshminë që Ngota ka dhënë në polici dhe që emisioni Uniko nga Spartak Koka e publikon të plotë, ai ka treguar se më 16 Maj 2017 së bashku me shokun e tij Besmir Karaj kishin marrë me forcë në makinë Menduh Kurt-Dedën. Ky i fundit njihej me Besmirin dhe të ëmën e këtij të fundit, pasi kishin punuar bashkë.
Në këtë dëshmi tregohet se ngjarja ka ndodhur për një shumë parash që viktima i kishte borxh mamasë së Besmir Karajt. Marjeta Karaj ishte ajo që tha “hiqeni qafe”, sipas Gazmir Nogës.
Ky rrëfen se pasi e dogjën të gjallë duke e spërkatur me benzinë, Besmir Karaj i kishte thënë se “Menduh Kurt-Deda i dilte në ëndërr çdo natë”.
RRËFIMI I PLOTË I GAZMIR NGOTËS:
“Unë jam kthyer nga Italia në Shqipëri ne muajin Shkurt 2017. Në Itali kam punë të ndryshme krahu dhe më pas u ktheva në Shqipëri nëpërmjet lidhjeve shoqërore, çunat që rrija në lagjen Allias, Tiranë, jam njohur me shtetasin Besmir Karaj. Ndër çunat që rrimin me mua dhe Besmirin kanë qenë Fatri T. me orgjinë nga Kukësi, shtetasi Mark S. me orgjinë nga Shkodra, shtetasi Ervis D. me orgjinë nga Elbasani, dhe shumë tjetër emrat e të cilëve nuk më kujtohen. Të gjithë personat e sipërcituar ishin përdorues të lëndëve narkotike dhe kryesisht mbidheshim tek bar kafe “Kënaqësia”, në Allias në pronësi të shtetasit Besnik Masha. Gjatë darkave, takoheshim në lagje dhe shpeshherë frekuentonin dhe lokalin tjetër në pronësi të “Çufes” që ndodhet përballë bar-kafe kënaqësia, afër karbunat Kastrati, në Allias. Duke qenë se unë sapo kisha ardhur nga Italia dhe asokohe kisha para, Besmiri më është afruar dhe kemi krijuar njohje dhe shoqëri me njëri-tjetri. Besmiri punonte me një person tjetër që i thërrasin “Faja” me orgjinë nga Pogradeci ose Korça, për të cilin më pas kam mësuar se kishte qenë i dashuri i nënës së vetë, shtetases Marjeta Karaj.
Nga Besmiri kam mësuar se nëna e tij drejtone një fondacion, ndërsa vetë Besmiri punonte si shofer, me makinën e Fajes, të markës Ford Focus me ngjyrë jeshile dhe e shoqëronte atë për shpërndarjen e produkteve të ndryshme ushqimore. Në tre apo katër raste edhe unë kam udhëtuar së bashku me Besmirin, Marjetën dhe Fajën, me automjetin tij Ford Focus, në qytet Durrës, Fushë-Krujë etj. Rreth dy muaj pasi isha kthyer në Shqipëri, ku muaji dhe data e saktë nuk më kujtohet unë kam qenë tek magazina e Besmirit, që ndodhej mbrapa konviktit nr.1 të Shkollës së Bashkuar, Tiranë, dhe ndërsa po qëndronim, kemi pirë verë të hapur me turshi. Rreth orës, 01:00 të mëngjesit mua më mbaruan cigaret dhe shkova për të blerë një paketë cigare tek një kioskë, tek kryqëzimi i varrit të bamit, që qëndron hapur 24 orë. Ndërsa po kthehesha, disa metra pa mbërritur tek magazina, Besmiri është afruar me mjetin tip Ford Focus dhe më tha hajde hip, të bëjmë një xhiro. Ndërsa po qarkullonin nëper rrugica, afër një tregu fruta-perimesh në Xhamllik, Besmiri pa një person të seksit mashkull duke ecur në këmbë dhe menjëherë ndaloi makinën, pasi tha se e njihte. Për mua ishte hera e parë që e shikoja këtë person, por kujtoj që Besmiri i thërriti në emër, “Mendu” dhe pasi i futi krahun e mori në makinë.
Kujtoj që personi në fjalë ishte i madh në moshë, mbi 65 vjeç, dhe mbaj mend që kishte konsumuar alkool. Gjatë rrugës, në automjet Besmiri filloi që t’i bënte Mendus presion, duke i thënë kam kaq kohë që të kërkoj, shiko çfarë kam për të bërë dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Më pas, Besmiri mori në telefon nënën e tij, Marjetën dhe i tha kam gjet Mendun, e kam me vete me makinë dhe hajde tek Kastrati, që të flasësh vetë me të.
Kemi vazhduar rrugën me makinë dhe pasi mbërritëm tek karbunat Kastrati në Allias, makinën Ford Focus e futëm në parkingun pas pishinave të kompleksit Las Palmas, në pronësi të Cufes të cilin unë e njoh që fëmijë si banor të zonës.
Besmiri zbriti nga makina Mendun dhe menjëherë nisi ta qëllonte me shpulla, duke e sharë dhe ofenduar, ndërkohë që ky u fundit nuk reagonte pothuajse fare, vetëm qeshte, pasi si duket ishte në gjendje të dehur. Pas pak çastesh aty ka ardhur Marjeta, e cila e acaruar i bërtiste Mendus, duke i thënë prej teje më vdiq vëllai, duhet të më kthesh menjehere lekët, nga ku unë kuptova që Mendui, i kishte lekë borxhë Marjetës. Menduja, i thoshte nuk kam asnjë lekë borxhe, dhe vetëm qeshte dhe kjo sjellje e tij ka acaruar Marjetën dhe Besmirin i cili ka filluar që ta qëllojë Mendun, me grushta e shkelme, ku si pasojë ky i fundit është rrezuar në tokë dhe nuk po ngrihej me pasi ishte moshë e thyer.
Besmiri dhe Marjeta u larguan disa metra më tutje, dhe për disa çaste biseduan vetëm për vetëm me njëri-tjetrin. Pas unë jam afruar pranë tyre Besmiri më tha shprehimisht “sa burg rezikojme o Gaz”. Unë i thashë, nuk e di shumë kemi për të rrezikuar nëse i ndodh diçka e keqe.
Në vijim Besmiri pyeti Marjetën “çfare të bëjmë” dhe ajo i tha shprehimisht “hiqeni qafe”, sepse nuk i bie njeriu mendja por këtë”. Pas këtij momenti Marjeta u largua në këmbë në drejtim të baneses së saj, ndërsa Besmiri dhe unë ngritëm për krahësh Mendun dhe e futëm atë në sendiljen e pasme të mjetit tip Ford Focus me ngjyrë jeshile, targat e të cilit nuk i mbaj mend. Pasi vazhduam lëvizjen Besmiri më tha do ta çojmë mbrapa Dajtit qenin, ndërsa unë s’është se bëra ndonjë reagim, pasi mendova se Besmiri thjesht po i bënte presion Mendus. Ky i fundit, megjithëse ishte koshient, nuk bënte asnje reagim. Tek karburat Gega Oil, në vendin e quajtur kafja e Rremes, Besmiri ndaloi mjetin më tha “zbrit merr Benzin” dhe më dha në dorë dy bidona të vegjël 0.5 ml që mbante në makinë. Besmiri më dha lekët që bleva benzinë, dhe vazhduam rrugën në drejtim të Shkallës së Tujanit, deri sa arritëm në Kodër Shupal. Ishte shumë errësirë dhe gjatë rrugës nuk jemi hasur/shkëmbyer me asnjë automjet apo person tjeter.
Në vendin quajtur Kodër Shupal, Besmiri ndaloi makinën, bashkë zbritëm nga makina Mendun, duke e mbajtur për krahu dhe e mbështetëm Mendun në trungun e një peme që ndodhej disa metra më poshtë, në anë të rrugës. Besmiri e lidhi Mendun në trungun e një peme me zhinxhirë që mbante në makinë, me qëllim që ai të mos lëvizte dhe e spërkati me benzinë, nga koka tek këmbët, ndërkohë që Menduja në atë moment vetëm rënkonte. Besmiri nxorri nga xhepi një mjet ndezës çakmak, dhe i vuri flakën Mendus, i cili menjëherë u përpi nga zjarri. Unë jam shokuar, pasi nuk e prisja një veprim të tillë dhe menjëherë kam shkuar tek makina dhe bashkë me Besmirin që ishte ne drejtim te tij, jemi kthyer për në Tiranë.
Gjatë rrugës unë jam bërë keq, dhe i kam thënë disa herë Besmirit çfarë bëre kështu, unë jam familjar, do më lësh fëmijët rrugës, dhe ai më ka thënë mos u bë merak, se do e mbaj unë përsipër fajin që kam bërë. Atë natë Besmiri më la tek karbunat Kastrati në Allias, dhe më tha që të shkoja në shtëpi, ndërsa ai vetë do të lante makinën në lavazh. Pasi jam futur në shtëpi, unë e kam përjetuar shumë keq këtë ngjarje, por gjithsesi nuk jam shprehur tek persona të tjerë. Te nesërmen e ditës, unë s’i kam besuar vetes që kam kryer një veprim të tillë dhe që nga ai moment kam filluar që të pij gjithnjë e më shumë alkool, për ta kaluar këtë ngjarje. Dy apo tre ditë pas ngjarjes unë kam takuar Besmirin tek lokal ‘Kënaqësia’ dhe nga bisedat tona kam kuptuar se dhe ai e kishte përjetuar shumë keq. Kujtoj se pasi kufoma është gjetur në Kodër Shupal, dhe lajmi ka dalë në media, Besmiri e ka përjetuar dhe më thoshte që Menduja me del në ëndërr çdo natë. Të njenjtin perjetim kam patur dhe unë. Me pas, unë jam mbyllur në vetvete dhe kam shkëputur çdo lloj komunikimi si me Besmirin ashtu edhe me Marjetën.
Sqaroj se, unë e kam menduar disa herë që të dorëzohem në polici dhe të shpjegoj faktin që ka ndodhur, kam qenë në dilemë që të dorëzohem ose jo, duke menduar që kam dy fëmijë të mitur për të rritur. Kjo është dhe arsyeja që në datë 24.10.2022 ku pasi më ka thërritur policia unë jam larguar nga vendi i punës ku punoja si shpërndarës picash dhe nga banesa, pasi shoku im Fatri Tota më tregoi se e kishin pyetur në polici në lidhje me këtë ngjarje”.
/a.r