Presidenti Volodymyr Zelensky ka akuzuar ashpër Kremlinin për hipokrizi, pasi Rusia iu përgjigj propozimit për një armëpushim gjatë Pashkëve me një nga sulmet më masive të muajve të fundit. Sipas liderit ukrainas, mbi 700 dronë ruse dhe iranianë “Shahed” kanë shënjestruar infrastrukturën kritike, duke lënë pas viktima dhe shkatërrim.
Në një reagim të fundit, Zelensky bëri të ditur se pavarësisht përpjekjeve për të arritur një “heshtje të armëve” gjatë festave, Moska ka zgjedhur përshkallëzimin. Sulmet, të cilat çuditërisht ndodhën edhe gjatë ditës, goditën rëndë Ukrainën Qendrore dhe Perëndimore.
“Rusia po i përgjigjet ofertës për armëpushim me dronë Shahed dhe vazhdon operacionet terroriste kundër sektorit tonë të energjisë”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se një paqe gjatë Pashkëve do të ishte sinjali që diplomacia ende ka shpresë.
Ndërkohë që në terren vërshonin dronët, në rrafshin diplomatik po zhvilloheshin bisedime intensive. Zelensky konfirmoi një thirrje “pozitive” me emra kyç të politikës amerikane dhe ndërkombëtare. Fokusi i bisedimeve ishte një dokument për garancitë e sigurisë që SHBA mund t’i ofrojë Ukrainës në një marrëveshje të ardhshme paqeje. Megjithatë, bisedimet mbeten të vështira pasi Uashingtoni po ushtron presion për lëshime territoriale, gjë që Kievi e refuzon prerë.
Rusia pretendoi këtë të mërkurë kontrollin e plotë të rajonit të Luhanskut, por Kievi e cilësoi këtë si një “mashtrim për konsum diplomatik”. Zyrtarët ukrainas thonë se Moska shpik fitore imagjinare për të bindur negociatorët amerikanë se suksesi i Rusisë është i pashmangshëm. “Ne mbajmë ende pozicione të rëndësishme, pretendimet e tyre janë të pasakta,” deklaruan burime ushtarake nga terreni.
Një grua e vrarë në Kherson pasi droni shpërtheu mbi makinën e saj. Në qytetin perëndimor të Lutsk, një depo gjigante e kompanisë postare “Nova Poshta” u shkrumbua totalisht nga flakët, duke krijuar re të dendura tymi mbi qytet.
Pavarësisht kësaj vale dhune, ekipi i Zelensky-t dhe negociatorët amerikanë kanë rënë dakord të forcojnë dokumentin e garancive, i cili shihet si “drita në fund të tunelit” për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare.











