Një gjyqtar francez që kryesoi një panel në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), i cili në vitin 2024 lëshoi një urdhër-arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, thotë se po përballet me vështirësi në jetën e përditshme pas vendosjes në listën e sanksioneve të SHBA-ve.
Sipas tij, shumica e sistemeve të pagesave në Francë janë të kontrolluara nga kompani amerikane, çka i ka kufizuar aksesin në shërbime bazë financiare.
Nicolas Gouyou tha se nuk mund të përdorë më kartën bankare, të bëjë blerje në Amazon apo të rezervojë shërbime përmes platformave si Airbnb, Expedia dhe Booking.com.
“Po kthehemi 30 vite pas në kohë”, u shpreh ai për France TV, duke shtuar se situata është “si një makinë kohe drejt një bote para-digjitale”.
Sipas raportimeve, presidenti francez Emmanuel Macron i ka dërguar shtatë letra autoriteteve amerikane duke kërkuar heqjen e sanksioneve, por pa sukses deri tani.
Një burim pranë Pallatit Elize tha se Franca po vijon përpjekjet diplomatike dhe shpreh keqardhje për mungesën e një përgjigjeje pozitive nga Washingtoni.
Gouyou tha gjithashtu se beson se do të mbetet në listën e sanksioneve gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan Donald Trump. Ai paralajmëroi për pasoja më të gjera për institucionet demokratike, duke theksuar se frika mund të ndikojë në punën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe ligjvënësve.
Më 21 nëntor 2024, ICC lëshoi urdhër-arresti për Netanyahu-n dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime të dyshuara kundër njerëzimit dhe krime lufte në Rripin e Gazës, në periudhën nga tetori 2023 deri në maj 2024.
Lufta në Gaza, e nisur në tetor 2023, ka shkaktuar mbi 71 mijë viktima dhe mbi 172 mijë të plagosur, si dhe ka shkatërruar rreth 90% të infrastrukturës civile të enklavës, me kosto rindërtimi të vlerësuar nga OKB-ja në rreth 70 miliardë dollarë.
Pavarësisht një armëpushimi të arritur në tetor 2025, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, sulmet kanë vijuar, duke shkaktuar qindra viktima dhe të plagosur të tjerë.











