Kryetari i Diasporës Shqiptare në Greqi, Etmond Guri, ka dhënë detaje pas takimit zyrtar me ministrin grek të Emigracionit. Në Ditarin e Pasdites me Pandi Gjatën në A2 CNN, ai se për herë të parë diaspora shqiptare zhvilloi një takim zyrtar me protokoll shtetëror me ministrin grek, ku u diskutuan problematikat kryesore të emigrantëve shqiptarë në Greqi, si vonesat në rinovimin e lejeve të qëndrimit, pengesat burokratike dhe çështjet e shtetësisë greke.
“Kemi hapur një portë, ku do të kemi komunikim të drejtpërdrejtë për të përcjellë problematikat dhe problemet që kanë emigrantë shqiptarë, duke filluar nga vonesat e mëdha të rinovimit të lejeve të qëndrimit, nga problematikat që dalin për shkak të dobësisë së administratës greke, nga mbingarkesa e kritereve, të cilat janë dokumente dhe sjellin vonesë për emigrantët, të cilët vetë administrata mund t’i marrë dhe mund t’i tërheqë vetë pa qenë nevoja për t’i përcjellë emigrantët, apo problematika që lidhen me dokumentet plotësuese kryesisht me disa shkelje administrative që janë të periudhave 10 apo 15 vjet të cilat sjellin pengesa, apo vonesa të cilat nuk kanë arsyetim tjetër, apo disa pengesa dhe masa shtrënguese ndaj emigrantëve që për ne janë të padrejta, si dhe çështja e nënshtetësisë, por ajo që është më e rëndësishme, tashmë ne nuk jemi emigrantë jemi diasporë jemi pjesë e pandarë e shoqërisë greke”.
Një tjetër çështje që i kanë përcjellë minsitrit grek është integrimi i shqiptarëve, duke ruajtur identitetin dhe jo asimilimi i tyre. Për këtë Guri tha se ministri pranoi gabimet me shqiptarët dhe pranoi kontributin e diasporës shqiptare në Greqi.
“Një nga pikat që neve i përcollëm ministrit është fakti që neve kur flasim për integrim, nënkuptojmë të drejtë vote, pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, përfshirjen e brezit të dytë apo dhe jo vetë të figurave shqiptare të cilët i kanë dhënë shoqërisë dhe mund t’i ofrojnë shoqërisë vendase dhe jo asimilim. Pra, të ruhet profili, identiteti ynë në shoqërinë greke, siç ndodh në çdo shoqëri bashkëkohore dhe demokratike. Fatmirësisht pati një pranim e një mirënjohje nga ana e ministrit, i cili e tha disa herë që duke e ndarë komitetin shqiptar dhe diasporën shqiptare si një element shumë pozitiv që i ka thënë shumë Greqisë, madje duke pohuar që është e vërtetë që në shumë raste i kemi hyrë në hak shqiptarëve por gjithsesi ai u tregua i gatshëm, na dha edhe kontaktet e duhura me personat përgjegjës ministrisë dhe të ministrive të tjera me qëllim që neve të bashkëpunojmë, sepse nuk shkuam për t’u ankuar, por shkuam për të bashkëbiseduar dhe për të zgjidhur problematikat”, tha Guri në Ditarin e pasdites me Pandi Gjatën në A2 CNN.
Ai bëri të ditur se pala greke ka premtuar një lehtësim të madh të procedurave, ndërsa gjatë muajit qershor pritet të lëshohen rreth 30 mijë leje qëndrimi për emigrantët që kanë aplikuar prej kohësh dhe presin përgjigje nga administrata greke. Sipas Gurit, prioritet do të kenë kategoritë e sigurta, si bashkimet familjare, pjesëtarët e familjeve greke dhe emigrantët që kanë dokumentacion të plotë.
“Po përgatitet ndryshimi i ligjit. Ajo që mund të themi për momentin është fakti që është lajm që ministri premtoi që rreth muajit qershor do të lëshohen 30.000 leje qëndrimi për të lehtësuar ngarkesën e sistemit. Pra lejet që i përkasin kategorive të sigurta, bashkimet familjare, pjesëtarë të familjes së grekut, apo emigrantët që kanë të njëjtin pronar, apo kanë dosje të kompletuara, nuk është e nevojshme të presin radhën për të rinovuar lejet e qëndrimit, por do të kalojnë në një situatë fast trak, gjë e cila nëse do të ndodhë siç ministri premtoi, i bie që të ketë një lehtësim të ngarkesës të volumit të punës që kanë drejtoritë e decentralizuara, departamenti i emigracionit dhe kjo do të ishte në ndihmë të gjithë emigrantëve Dhe për gjashtë muaj, nëse gjërat ecin mbarë do të ketë një ndryshim të kuadrit të ligjit të disa qarkoreve për të lehtësuar dhe ata emigrantë të cilët janë më status të parregullt në Greqi”.
Por krahas këtij lajmi pozitiv, ai paralajmëroi shqiptarët në Greqi pasi qarkullojnë disa lajme fake për hapjen e ligjit në Greqi. Guri sqaroi se aktualisht nuk ka hapje të re për aplikime të para, por bëhet fjalë vetëm për rinovime të lejeve ekzistuese të qëndrimit.
“Më lejoni të bëj dhe një thirrje për të gjithë bashkëatdhetarët që na ndjekin në këtë moment, të bëjnë kujdes, sepse kam konstatuar këto ditë qarkullojnë lajme fake sikur është hapur ligji në Greqi dhe ju bëj thirrje të mos bëjnë veprime të pamatura, sepse do të bien viktimë dhe nëse aplikojnë në sistem automatikisht do të penalizohen për pesë vjet dhe kjo është shumë problem, sepse jo do të penalizohen dhe për Bashkimin Europian, do të marrin ekspuls dhe është shumë shumë e rrezikshme. Çfarë përfshin rinovimi i lejeve të qëndrimit? Janë lejet dyvjeçare që kanë qenë dikur. Tashmë ka ndryshuar me ligjin e ri dhe janë leje trevjeçare, por ka një risi. Ministri e tha edhe vetë po aplikohet tashmë ka rreth një javë që po aplikohet”.
Guri tha se lejet e reja të qëndrimit tashmë po jepen me vlefshmëri 3-vjeçare, ndërsa në disa raste administrata greke po aplikon edhe afate 5-vjeçare për të ulur ngarkesën e sistemit dhe për të lehtësuar emigrantët.
“Pavarësisht se kategoria e lejes trevjeçare për shkak të mbingarkesës, këto leje po jepen me afat të vlefshmërie pesëvjeçar me qëllim që të ndihmohet sistemi dhe emigranti të lehtësohet. Pra në thonjëza është një lloj falje nga administrata greke për vonesat dhe për mundimin e tyre. Janë kategoritë e lejeve të qëndrimit pesëvjeçare apo 10-vjeçare të cilat janë specifike. Nga lejet e qëndrimit aktualisht rreth 205.000 që janë shtetas shqiptarë, 180.000 prej tyre kanë lejen e qëndrimit të bashkimit familjar apo të qytetarit grek, gjë e cila i i vë ato në kategori të sigurta dhe përfshihen në këtë që tha ministri do të rinovohen shumë shpejt si leje qëndrimi. Leje njëvjeçare nuk ka më në Greqi. Janë shumë të pakta dhe shumë të rralla, por që nuk i përkasin shqiptarëve. Të gjitha lejet që dalin do të kalojnë tashmë me vlefshmëri trevjeçare siç janë lejet e pensionistëve, të moshës së tretë, apo për arsye njerëzore të cilat kalojnë në një rriten me një vit vlefshmëria e lejeve të qëndrimit”.
Sipas të dhënave të përmendura prej tij, në Greqi jetojnë rreth 650 mijë shqiptarë, ku mbi 250 mijë prej tyre kanë marrë shtetësinë greke.











