Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka dhënë detaje mbi takimin e zhvilluar më 29 shtator në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas deklarimeve të Dodikut pas takimit, bisedimet përfshinë çështje politike, ekonomike dhe energjetike, ndërsa ai e cilësoi këtë si takimin e 29-të me presidentin rus.
Dodik tha se gjatë takimit propozoi krijimin e një këshilli bashkëpunimi mes përfaqësuesve të nivelit të lartë të Rusisë dhe Republikës Srpska, i cili do të mblidhej një herë në vit. Sipas tij, Putin tha se propozimi do të shqyrtohet.
Në fokus të bisedimeve, sipas Dodikut, ishte edhe furnizimi me gaz. Ai deklaroi se Putin kishte konfirmuar se çmimi i gazit për Republikën Srpska do të mbetet i pandryshuar. Po ashtu, u diskutua për bashkëpunim të mundshëm me institutin e aviacionit “Orao” në Bijeljina.
Në planin politik, Dodik përsëriti qëndrimet e tij kundër anëtarësimit në NATO dhe kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Ai tha gjithashtu se në takim ishte diskutuar çështja e kompetencave të Republikës Srpska dhe interpretimi i tij për Marrëveshjen e Dejtonit.











