Një vajzë shqiptare e vrarë në Holandë në korrikun e vitit 1997, nuk është identifikuar ende. Ajo është varrosur pa emër, mes 300 personave të tjerë të paidentifikuar, në Amsterdam. Vajza u gjet e vrarë në një nga sheshet qendrore të Amsterdamit, Kolumbusplein. Ishte mbytur dhe kishte shenja dhune në qafë.
Kur po bëhen 20 vjet nga kjo ngjarje, një grup gazetarësh të emisionit “Varr pa emër” të televizionit SBS 6, në Hollandë është vënë në gjurmët e shqiptares. Ata kërkuan ndihmën e Televizionit Klan për ta publikuar foton e vajzës pas u gjet e vrarë.
Kees Vanderspekm gazetar SBS 6, Holandë: “E vetmja gjë që dihet është se është nga Shqipëria dhe kjo doli nga hetimet, pasi një vazje që e kishtë parë edhe më parë viktimën, kishtë dëgjuar se ajo fliste shqip. Sipas autopsisë vajza rezulton së ka një ndërhyrje kirurgjikale në bark dhe ajo mund të ketë lindur 1 ose dy fëmijë”.
Emisioni ka zbuluar se ajo kishte qëndruar më parë në Itali, ku kishte dhënë dy herë shenjat e gishtërinjve, me identitete të ndryshme.
Kees Vanderspekm gazetar SBS 6, Holandë: “Sipas Europolit rezulton se në vitin 1996, një vit përpara se të vritej në Amsterdam, vajza ishte arrestuar dy herë në itali dhe atje ne besojmë se ka dhënë dy emra të rremë, nuk e dimë. Ajo është paraqitur me emrat Hilda Dhimitra, dhe njëherë me emrin e babait Astrit dhe një herë tjetër me emrin Ndriçim.”
Të dhënat e kanë çuar grupin e xhirimit në Elbasan.
“Kemi disa të dhëna se ajo mund të jetë nga Elbasani, pasi një tjetër vajzë që punonte në një bar në Amsterdam kishte folur tre ditë përpara se ajo të vritej dhe kishte thënë se ishte nga Elbasani.
Dyshohet gjithashtu se ajo mund të jetë vajza e një familje nga Kamza. Të afërmve u janë marre analiza për t’i krahasuar me AND –në e saj. Dy tatuazhe, njëri në krahun e majtë dhe tjetri në krahun e djathtë janë dy prej shenjave dalluesë të viktimës.
Burimi: Tv Klan